Lidhje

Irani kërkon takim special për diplomatin e padëshiruar


SHBA nuk i jep vizë ambasadorit iranian në Kombet e Bashkuara

Irani po u kërkon Kombeve të Bashkuara të mbajnë një takim të posaçëm lidhur me refuzimin e Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë vizë kandidatit të Iranit për ambasador në Kombet e Bashkuara.

Zyrtarët amerikanë janë kundër emërimit të Hamid Abutalebit si ambasador i Iranit në OKB, për shkak të përfshirjes së tij në krizën e pengjeve amerikane të vitit 1979 në ambasadën Amerikane në Teheran. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha javën e kaluar se kandidatura e zgjedhur nga Iran nuk ishte e përshtatshme.

Hamid Abutalebi ishte anëtar i grupit të studentëve myslimanë që mori peng 52 diplomatë amerikanë për 444 ditë, por ai thotë se roli i tij ka qënë vetëm si përkthyes dhe negociator.

Misioni iranian në Kombet e Bashkuara vinte dje në dukje përmes një letre se ky vendim ka “pasoja negative” diplomatike dhe se krijon një precedent të rrezikshëm.

Në letër thuhej se t’i mohosh vizën një shteti anëtar të Kombeve të Bashkuara bie në kundërshtim me rregulloren e organizatës dhe me ligjin ndërkombëtar.

Teherani thotë se nuk ka në plan të emërojë një diplomat të ri në vend të zotit Abutalebi. Kriza e pengjeve iraniane bëri që marrëdhëniet diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit të ndërpriteshin.
XS
SM
MD
LG