Lidhje

Asnjë shenjë e avionit të zhdukur malajzian


Kryeministri australian, Tony Abbott thotë se një nëndetëse robot që po kontrollon në fundin e Oqeanit Indian për gjetjen e avionit të zhdukur malajzian do t'i përfundojë kërkimet brenda një jave.

Zoti Abbott tha se në qoftë se nëndetësja Bluefin-21 nuk gjen asnjë mbetje të avionit, atëherë autoritetet do të ndalin kërkimet dhe do të diskutojnë për mënyrën se si do të vazhdohet më tej.

Agjencia australiane që bashkërendon kërkimet, tha se mjeti nënujor e ka përfunduar misionin e parë të plotë kërkimor prej 16 orësh. Dy misione të mëparshme u ndërprenë për shkak të problemeve teknike.

Bluefin-21 deri tani ka kontrolluar 90 kilometra katrorë në shtratin e oqeanit. Por autoritetet thonë se nuk kanë bërë ndonjë zbulim të rëndësishëm nga të dhënat e mbledhura.

Zyrtarë të marinës amerikane kishin thënë se mund të duheshin deri në dy muaj që mjeti i nënujshëm të kontrollonte zonën e kërkimit prej 600 kilometrash katrore.
XS
SM
MD
LG