Lidhje

Ngrohja Globale

  • Rosanne Skirble

Një raport i ri i Kombeve të Bashkuara thotë se bota duhet të ndryshojë burimet energjitike, nga përdorimi i fosileve në burime të pastra energjie për të kontrolluar ndryshimet klimatike.

Komisioni Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike nxorri të dielën raportin e fundit, pas një takimi të shkencëtarëve dhe përfaqësuesve qeveritarë në Berlin.

Raporti gjithëpërfshirës pason dy raporte të cilët japin informacione të hollësishme dhe prova mbi ndryshimet klimatike, ndikimit të tyre dhe masave që duhen marrë.

Ky projekt masiv diellor në Shkretëtirën Mojave të Kalifornisë do të prodhojë energji të pastër për 140 mijë shtëpi, thotë presidenti i firmës energjitike NRG, David Crane.

“Brezi ynë mund të fillojë luftën kundër ndryshimeve klimatike në mënyrë që brezi i ardhshëm, njerëzit që janë në të 20-tat e 30-tat e tyre sot, mund ta përfundojnë punën.”

Ky lloj veprimi duhet të ndërmerret në shkallë globale, thotë Rajendra Pachauri, kryetari i Komisionit Ndërqeveritar mbi Ndryshimin e Klimës.

“Në qoftë se ne me të vërtetë duam të kufizojmë rritjen e temperaturës, që mos të ngrihet më shumë se 2 gradë Celsius, atëherë ky është mesazhi, i cili del shumë qartë nga ky raport.”

Raporti thotë se niveli i gazeve të dëmshëm që çlirohen në hapësirë duhet të ulet me 40 deri në 70 për qind deri në vitin 2050 për të shmangur ndikimet shkatërruese të një moti të ashpër në një botë më të ngrohtë. Zgjidhjet janë brenda mundësive, thotë Nathaniel Koehane i Fondit të Mbrojtjes së Mjedisit.

“Ka disa gjëra – si efikasiteti i energjisë, energjia e ripërtëritshme, frenimi i shpyllëzimeve – disa gjëra që bota mund t’i bëjë dhe ne mund ta ndryshojmë situatën deri në vitin 2020 për të shkuar në rrugën e duhur duke ulur mjaftueshëm gazet e dëmshëm për ta mbajtur klimën nën kontroll.”

Burimet e ripërtërishme përbëjnë 8,5 për qind të prodhimit të energjisë botërore dhe, nëse merret parasysh edhe energjia bërthamore, ato shkojnë në 20 për qind. Megjithatë, zoti Koehane thotë se ekziston një mospërputhje mes përpjekjeve ndërkombëtare dhe asaj që duhet bërë.

“Nëse shikoni statistikat në raport, do të vini re se qymyri po rritet më shpejt se burimet e tjera. Pra, ne duhet ta ndryshojmë këtë prirje dhe të rrisim burimet e energjisë së ripërtëritshme.”

Raporti konstaton se sa më vonë të fillojmë me kontrollin e çlirimit të gazeve, aq më e madhe është kostoja për shëndetin publik dhe mjedisin. Zoti Koehane thotë se votuesit duhet t’i tregojnë qeverive të tyre se ndryshimi klimatik ka rëndësi.

“Nëse ekziston vullneti politik dhe në qoftë se ecim n në këtë drejtim, ne i kemi teknologjitë e duhura. Thjeshtë duhet që çdokush të kontribuojë.”

Raporti thotë se një dritare mundësie mbetet veprimi i komunitetit ndërkombëtar. Negociatorët e OKB-së po punojnë mbi një marrëveshje të re mbi çlirimin e gazeve të dëmshëm në atmosferë që do të zëvendësonte protokollin e Kiotos, i cili skadoi në vitin 2012.
XS
SM
MD
LG