Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 27 prill?

  • Astrit Lulushi

4977 pes – Krijohet Gjithësia, sipas Johannes Kepler, 28 vjeçar. Kepler (1571 - 1630), ishte astronom, astrolog - figurë kryesore në revolucionin shkencor të shekullit të 17-të, - Kepler krijoi ligjet e levizjes planetare, që u bënë bazë për teorinë e gravitacionit të Isak Njutonit. Kepler jetoi në një epokë kur mes astronomisë dhe astrologjisë nuk kishte asnjë dallim, por ekzistonte ndarje e fortë midis astronomisë si degë e matematikës, dhe fizikës si degë e filozofisë natyrore. Gjithashtu, Kepler përdori në punën e tij argumente dhe arsyetim fetar, motivuar nga besimi se Perëndia kishte krijuar botën sipas një plani të kuptueshëm përmes ndriçimit të natyrshëm të arsyes. Lidhur me krijimin e Gjithësisë ka disa teori; modeli kozmologjik më mbizoterues është Teoria Big Bang (Shpërthimi i Madh) që është llogaritur të ketë ndodhur 13.798 miliardë vjet më parë. Gjithashtu, ka shumë teori rivale në lidhje krijimin Gjithësisë. Disa shkencëtarë nuk e dine me siguri se si u shkaktua Big Bang; shumë refuzojnë të spekulojnë, pasi mendojnë se nuk do të kuptohen. Ka hipoteza të ndryshme për multi-verse, (shumë-gjithësi), dhe fizikantët kanë sugjeruar se Gjithësia, mund të jetë një ndër shumë ose madje mes një numri të pafund Universesh që gjithashtu ekzistojnë. Ja si shkruante Johannes Kepler ndërsa bëhej gati të shpallte përllogaritjet e veta në librin “Harmonies Of The World”: “Nëse më falni unë do të gëzohem; nëse zemëroheni, do të duroj; Librin po e shkruaj për t’u lexuar nga bashkëkohësit e mi ose brezat e ardhshëm, kjo nuk ka rëndësi cili; libri i pret lexuesit e tij për qindra vjet; Vetë Zoti priti 6 mijë vjet që puna e tij të shihej."

1791 - Charlestown, Massachusetts lindi Samuel Morse, shpikës dhe piktor. Edhe pse Morse nuk shpiku telegrafin dhe nuk krijoi i vetëm kodin Morse, ai ishte padyshim nxitësi më i madh telegrafisë, duke realizuar zhvillimin e saj të shpejtë dhe përhapjen në të gjithë botën. Morse vdiq nga pneumonia në Nju Jork më 2 prill 1872. Në fund të jetës, ai e ndau pasurinë e tij nëpërmjet granteve për kolegje, mes organizatave bamirëse dhe artistëve

1810 - Beethoven kompozon pjesë të tij të famshme për piano, Fur Elise (Për Elisen). Titulli vjen nga një dorëshkrim i Beethovenit kushtuar Elises; dorëshkrimi ka humbur - duke ndezur interesin për të mësuar se kush mund të ketë qenë "Elise". Ka shumë teori, duke filluar nga keqleximi i dorëshkrimit deri tek idea se Beethoven mund të ketë njohur vajzën me emrin Elise. Muzika me nostalgji, shpresë, dëshprim njëherësh - lënë të kuptohet se me Fur Elise, kompozitori kujton të dashurën që e kishte humbur.

1945 - Partizanë italianë kapin Musolinin. Duke mos dashur të binte në duart e britanikëve apo amerikanëve, Musolini ra në duart e partizanëve komunistë, të cilët ishin betuar prej kohësh se do ta dënonin për krime lufte. Ai dhe dashnorja e tij, Klara Petaçi sapo kishin kaluar kufirin zviceran, vetëm për të zbuluar se ndodheshin në anën partizane. Çifti u pushkatua, trupat e tyre më pas u transportuan me kamion në Milano, ku u varën publikisht me kokë poshtë.

1987 - Departamenti amerikan i Drejtësisë ndalon kancelarin austriak Kurt Waldheim të hyjë në SHBA, për shkak të ndihmës së tij ndaj Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Waldheim ishte president i Austrisë 1986 - 1992; më parë kishte qenë sekretar i përgjithsëm i OKB-së (1972 – 1982).

1999 - Forcat e Serbisë me tanke e mjete të blinduara rrethuan fshatrat e Rekës së Keqe duke vrarë dhe masakruar 377 shqiptarë, të fshatrave të kësaj treve: Meje, Korenicë, Guskë, Dobrosh, Rracaj, Junik, Molliq, Nivokaz, Sheremet, Ramoc, Skivjan, Shishman, Brovinë, Berjahe, Batushe, Orizë, Dallashaj, Madanaj, Duzhnjë, Popoc, Cermjan, Nec, Baballoq, Rripaj, Koshare, Morinë, Smolicë, Babaj Bokës, Brekoc, Deve, Ponoshec të Gjakovës, në mesin e të cilëve pleq, gra e fëmijë.(epokaere.com)

Mendim i ditë
“Më mirë kritika të ashpra të një njeriu inteligjent sesa miratim nga turmat pamend."
Johannes Kepler
XS
SM
MD
LG