Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 30 prill?

  • Astrit Lulushi

Galerius, Roman Emperor

Galerius, Roman Emperor

311 - Perandori Galeriusi njeh ligjërisht të krishterët në Perandorinë Romake. Edhe pse kishte qenë kundërshtar i ashpër i krishterimit, Galeriusi i dha fund persekutimit të tyre duke shpallur dekretin e tolerancës. Historianët thonë se arsyeja e këtij ndryshimi ishte sepse atë vit Galerius u sëmurë rëndë, dhe u frikësua se sëmundja ishte hakmarrja e Zotit të të krishterëve; Perandori Galerius, lindur afër Serdicës, Traki (tani Sofia, Bullgari), vdiq më 311 dhe u pasua në fron nga nipi i tij Maximinus Daia.

711 - Pushtimi islam i Iberisë: trupat more të udhëhequr nga Tarik ibn Zijad fillojnë pushtimin e Gadishullit Iberik. Ky territor, nën emrin arab Al - Andalus, u bë Emirat dhe pastaj Kalifat i Kordovës për disa qindra vjet. Gradualisht të krishterët filluan ripushtimin e Andaluzisë dhe e morrën atë plotësisht më 1492, kur Granada, mbretëria e fundit e el- Andalusit ra nën monarkët katolikë.

1492 - Spanja shpall se do të përjashtojë të gjithë hebrenjtë nga vendi. Disa thonë se kjo erdhi nga euforia e spanjollëve pas dëbimit të morëve; të tjerë thonë se shkak u bë këmbëngulja e hebrenjve për të mos u kthyer në të krishterë. Gjithësesi, shumë vende të Evropës, veçanërisht jugu i Italisë, Sicili e Napoli dërguan anijet e veta për të transportuar hebrenjtë e Spanjës, duke i ndihmuar ata me të holla dhe strehim. Një pjesë e hebrenjve shkoi nëpërmjet detit në Turqi. Perandoria osmane i pranoi pasi shumica e tyre ishin profesionistë, artizanë etj, por edhe sepse si të dëbuar ata ruanin urrejtje ndaj të krishterëve, dhe mund të ndihmonin perandorinë në luftën e saj kundër krishtërimit në Evropë.

1803 - SHBA dyfishon territorin përmes blerjes së Luizianës (15-milionë dollarë). Po këtë ditë më 1812, Louisiana pranohet si shtet 18-të i SHBA-së. Nuk ka shumë shtete që mund të mburren me numrin e pelikanëve, por Louisiana, ka shumë prej tyre. Kjo është arsyeja pse ajo e quan veten Shtetit Pelikan. Emëruar për nder të Louis XIV të Francës, Louisiana ka disa pseudonime si; Sportsman’s Paradise, Sugar State, dhe Creole State. Kryeqyteti i Luizianës është Baton Rouge dhe magnolia është lulja e saj e adoptuar, ndërsa pema e shtetit është selvia. “You are My Sunshine, My only Sunshine” është kënga e shtetit, së bashku me “Give Me Louisianan”, dhe motoja është: Bashkim, Drejtësi, Vetëbesim.

1808 - Prodhohet makina e parë e shkrimit nga italiani Pellegrino Turri. Dy vjet më parë, 1806, ai kishte shpikur edhe letrën e karbonit. Makina e shkrimit filloi të prodhohej komercialisht vetëm pas vitit 1870, ndërsa modeli i tastierës që përdoret sot, u projektua nga Christopher Sholes në vitin 1874.

1921 - Papa Benedikti XV boton enciklikën për Dante Aligerin - 1921 ishte shpallur viti i Dantes, ndërsa po afrohej 600 vjetori i vdekjes së poetit më 14 shtator 1321. Si gjithë bota, Vatikani përpiqej të mos vonohej në këtë ngjarje, mjaft kishte heshur, Dante kishte qenë kundërshtari i Kishës, përkrahës i fortë i ndarjes së saj nga shteti, kritikues i rreptë i korrupsionit papal dhe Kisha e kishte përndjekur. Por kohët kishin ndryshuar, qindra vjet kishin kaluar, kur Papa Benedikt i 15-të shpalli në enciklikën e tij: "...Bota ndoshta kurrë nuk ka njohur një figurë kaq të lartë, siç është Dante Aligeri, dhe sot, jo vetëm Italia, e cila me të drejtë ndjehet krenare që e ka lindur, por të gjitha kombet janë duke u përgatitur për të festuar kujtimin e tij sepse e tërë bota mund të paguajë nderimin për këtë figurë fisnike; krenaria dhe lavdia e njerëzimit .... Sa më shumë fitim ju nxirrni nga studimi i tij aq më e lartë do të jetë kultura juaj, rrezatuar nga shkëlqimet e së vërtetës..."

1933 - Në Abbott, Texas, lindi Willie Nelson - dikur thjesht kauboj, sot superstar i muzikës "country". Dashuria e tij kanë qenë kënga dhe kitara. Ka patur disa gra, por pak kohë për të shpenzuar me fëmijët e tij ... jo se nuk donte... por rruga e thërriste në koncerte, me autobusin e tij të pikturuar shumë-ngjyrësh - veshur e duke kënduar këngë kauboj. Përkushtimi i tij tjetër është gjendja e fermerit amerikan. Çdo vit, Willie shpërndan ndihma për fermerët e varfër të cilët kanë humbur fermat e tyre ndaj bankave dhe korporatave. Willie Nelson është kundërshtar i qeverisë së madhe. Ai është ndoshta i vetmi amerikan që i kishte borxh zyrës së tatitmeve (IRS) 32 milionë dollarë në taksa të prapambetura dhe pagoi çdo qindarkë, përfshirë gjobën dhe interesin. Ai pothuajse humbi fermën e tij në Teksas, autobusin e tij dhe çdo gjë tjetër që zotëronte . Por, legjenda e gjallë, siç e quajnë, Willien, fituesi i çmimit Grammy, preferon këngën e tij

"I am on the road again..." nga Willie Nelson
(shqipërim)

Mezi po pres të nisem për rrugë përsëri.
Ajo që dua është të këndoj me miqtë e mi
...
Të shkoj në vende ku nuk kam qenë.
Të shoh gjëra që s'mund t'i shoh përsëri
..
Si një grup ciganësh shkojmë në autostradë
Lusim që bota të kthehet në rrugën tonë
Dhe udha jonë është; në udhëtim përsëri…


1945 - Adolf Hitler dhe e dashura e tij Eva Braun martohen në bunkerin qeveritar në Berlin dhe pastaj kryejnë vetëvrasje.

1955 - Shpallet Element 101, Mendelevium - një element sintetik radioaktiv me simbolin e shenjës së Md dhe numrin atomik 101 - emëruar pas Dmitri Ivanovich Mendeleev, i cili krijoi tabelën periodike për të klasifikuar të gjitha emrat e elementëve.

1975 - Saigoni - dhe i gjithë Vietnami ra në duart e komunizmit - fundi jozyrtar i Luftës së Vietnamit. Ndërsa trupat amerikane u tërhoqën plotësisht nga Saigoni, kryeqyteti i vjetër jo-komunist u morr nga tanket e Vietnamit të Veriut. Amerikanët përkujtojnë rënien e Saigonit me shërbime përkujtimore për 58.153 amerikanët që vdiqën në Azinë Juglindore gjatë luftës së Vietnamit.

1991 - Mbi 131,000 vetë u vranë dhe deri në 9 milion mbetën pa strehë, kur një ciklon goditi Bangladeshin.

Mendim i ditës
"Vetëm të fshehtat e vogla duhen mbrojtur; të mëdhatë mbahen sekret nga mosbesimi publik."
Marshall McLuhan
XS
SM
MD
LG