Lidhje

Pas deklaratave të Putinit


Bota e mirëpriti, por shprehu dyshim në lidhje me mbështetjen e presidentit rus për zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Ukrainës. Presidenti Vladimir Putin të mërkurën i bëri thirrje gjithashtu grupeve pro-ruse në Ukrainë lindore të shtyjnë referendumin për pavarësinë i planifikuar për ditët e ardhshme. Ai tha se trupat ruse janë tërhequr nga kufiri me Ukrainën sipas kërkesës se Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Presidenti Putin tha të mërkurën se votimi i 25 majit, i caktuar nga Kievi është një hap në drejtimin e duhur, por mbështetja e tij për të është e kushtëzuar.

"Dua të theksoj se zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në Kiev po shkojnë në drejtimin e duhur, por ato nuk do të zgjidhin asgjë, nëse qytetarët ukrainas nuk e kuptojnë të gjithë se si do të jenë të garantuara të drejtat e tyre pas zgjedhjeve presidenciale."

Zoti Putin i bëri komentet gjatë një vizite të një përfaqësuesi të OSBE-së në Moskë, një ditë pasi diplomatë të lartë evropianë dhe amerikanë kërcënuan me sanksione më të ashpra nëse Rusia ndërhynte në zgjedhjet në Ukrainë.

Në Uashington, analisti Stephen Blank thotë se është e qartë se dy raunde të mëparshme sanksionesh mbi Moskën kanë filluar ta dëmtojnë atë.

"Pra në se do të ketë më shumë sanksione – dhe nëse ato do të jenë më të ashpra kundër bankave ruse, industrive energjitike dhe ekonomisë, Putini nuk do të rrezikojë."

Zoti Blank thotë se Rusia do të vazhdojë të përpiqet të destabilizojë Ukrainën përpara, gjatë dhe pas zgjedhjeve, pasi ajo nuk do një Ukrainë të pavarur, pro perëndimore në kufi.

Udhëheqësit separatistë në rajonin e Donetskut thanë se referendumi do të zhvillohet sipas planit, pavarësisht këshillës së zotit Putin, nëse Kievi nuk përmbush kërkesat e tyre.

"Trupat duhet të kthehen në bazat e tyre, të gjitha njësitë e paligjshme të armatosura të krijuara pas 22 shkurtit, përfshi njësitë speciale të Gardës Kombëtare dhe Ministrisë së Brendshme, duhet të çarmatosen. Vetëm pas kësaj mund të flasim për shtyrje të referendumit."

Kievi ka dërguar forca ushtarake për të rimarrë ndërtesat e pushtuara qeveritare në Donetsk, Slovyansk, Luhansk dhe zona të tjera në Ukrainën lindore. Kryeministri në detyrë Arseniy Yatsenyuk tha se operacionet do të vazhdojnë së bashku me përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike të krizës.

"Ata që kanë armë dhe bërtasin duhet t’i dorëzojnë ato dhe të marrin dënimin. Ata që do të dorëzojnë armët vullnetarisht dhe do të largohen nga ndërtesat, në se nuk kanë bërë krime serioze, do të falen."

Moska i ka mohuar akuzat se po armatos separatistët që deri tani kanë mbajtur pozicionet e tyre. Analisti Stephen Blank thotë se edhe në se Rusia ka tërhequr forcat e saj nga kufiri, ata mund të mobilizohen lehtësisht dhe të marshojnë në Ukrainë në se Moska vendos se situata është e favorshme.

Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i Natos Anders Fogh Rasmussen tha sot se aleanca nuk ka parë ndonjë shenjë se Rusia po i tërheq trupat e saj nga kufiri me Ukrainë ashtu siç njoftoi dje presidenti Vladimr Putin.

“Deri tani nuk kemi pare që ata të kenë filluar tërheqjen e trupave.”

Një zëdhënës i ministrisë së mbrotjes të Rusisë nuk pranoi të thoshte se ku janë pozicionuar trupat e larguara. Prej disa javësh Rusia po mban rreth 40 mijë trupa në kufi me Ukrainën.
XS
SM
MD
LG