Lidhje

Opozita: Qeveria të dorëhiqet


Pas rastit të avionit italian në Divjakë, opozita akuzon qeverinë si të përfshirë në trafiqe të lëndëve narkotike. Basha: protesta të pandalshme deri në ikjen e qeverisë

Në Shqipëri, avioni i bllokuar në plazhin e Divjakës në fundjavë i cili sipas policisë do të kryente trafik droge drejt Italisë ka nxitur polemika të forta politike. Opozita e cila akuzon qeverinë si të përfshirë në trafiqe droge, kërkoi sot dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama duke paralajmëruar një valë protestash në vend

“Partia Demokratike dhe mbarë opozita kërkojnë sot dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë Rama. As më shumë, as më pak. Dorëheqja e kësaj qeverie – u shpreh kreu i opozitës Lulzim Basha - është imperativi i ditës për të reflektuar përgjegjësitë e papërmbushura nga shumica, për të ndaluar revanshin ogurzi të narkotrafikut dhe krimit, për të zhbllokuar jetën demokratike dhe procesin e integrimit të vendit në Europë”

Zoti Basha deklaroi se opozita do të udhëheqë protesta te pandalshme deri në dorëheqjen e kryeministrit. Sipas kryetarit demokrat, qëndrimi që qeveria ka mbajtur ndaj denoncimeve të përsëritura të opozitës, tregojnë se ajo është e përfshirë dhe i ka dhënë mbështetje politike trafikut të drogës, theksoi zoti Basha.

Kërkesa e opozitës vjen pas ngjarjes së fundjavës ku një avion italian mbeti i bllokuar në plazhin e Divjakës. Opozita këmbëngul se ishte vetëm difekti i avionit në ulje që bëri të mundur kapjen e tij, dhe më pas edhe të një makine ngarkuar me drogë, e cila gjithashtu kishte pësuar një difekt. Sipas zotit Basha janë bërë të gjithë përpjekjet për të fshehur provat.

Ndërkohë policia thotë se ajo ka zhvilluar një operacion të suksesshëm falë të cilit trafiku i drogës mbeti në tentativë. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi dje se që nga ardhja e tij në detyrë, ajo e fundjavës ka qenë përpjekja e parë për të zhvilluar trafik droge përmes rrugëve ajrore.
XS
SM
MD
LG