Lidhje

SHBA, pacienti i dytë me MERS


Në Shtetet e Bashkuara është diagnostikuar një pacient i dytë me Sindromën e Rrugëve të Frymëmarrjes të Lindjes së Mesme, MERS, një virus që fillimisht u identifikua në Arabinë Saudite dhe që është i ri për njerëzit.

Është fjala për një punonjës të shëndetësisë, që kujdesej për pacientët me MERS në Gadishullin Saudit. Pacienti i paidentifikuar, po shkonte nga Jedda e Arabisë Saudite, për në Londër, kur filloi të ndjente simptomat e para të sëmundjes. Prej andej, ai ndërroi disa avionë për të shkuar në Florida.

Dr. Anne Schuchat, zyrtare e Qendrës Amerikane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, thotë se agjencia po punon ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për zbulimin dhe për t’i bërë analizat rreth 500 pasagjerëve që ndodheshin në avionët me të cilët fluturoi pacienti në fjalë, si dhe për të kontrolluar përhapjen e virusit.

Pacienti i paidentifikuar ndodhet i izoluar në një spital të Orlandos, në Florida. Mjekët thonë se ai është në gjendje të mirë.

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë po i thonë amerikanëve që shkojnë në Lindjen e Mesme, t’i lajnë shpesh duart dhe të shmangin kontaktin e hundës, apo syve me duar të palara.

Që nga 12 maji, janë konfirmuar në laborator 538 raste të sëmundjes MERS në mbarë botën. 145 pacientë kanë vdekur. Nuk ka ndonjë vaksinë, apo trajtim të veçantë për të këtë sëmundje.
XS
SM
MD
LG