Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 15 maj?

  • Astrit Lulushi

Abd al Rahman

Abd al Rahman

756 - Abd - al - Rahman bëhet emir i Kordovës, Spanjë. Rahmani arriti të themelojë një dinasti myslimane që sundoi pjesën më të madhe të gadishullit iberik për gati 300 vjet. Muslimanët e quajtën Iberinë al - Andalus që u bë degë më vete e Perandorisë Islame, e cila ishte zgjeruar nën dinastinë Abaside më 750. Abd - al - Rahman ishte i njohur edhe me emrat Falkon i Kureshëve, dhe Skifter i Andaluzisë. Dallimet në drejtshkrimin e emrit të tij përfshijnë Abd er- Rahman, Abdul Rahman dhe Abderraman. Jetoi nga viti 731 - 788.

1248 - Kryepeshkopi Konrad Hochstaden vendos gurthemelin për katedralen e Këlnit - monument i njohur i gjerman i katolicizmit dhe arkitekturës gotike. Katedralja e Këlnit është objekti më i vizituar i Gjermanisë, duke tërhequr mesatarisht rreth 20.000 njerëz në ditë. Ndërtimi i katedrales filloi në 1248 dhe u ndërpre deri më 1473. Puna pastaj rifilloi në shekullin e 19 dhe ndërtesa përfundoi, sipas projektit origjinal, në vitin 1880.

1252 - Papa Innocent i katërt lëshon dekrettin 'dem ad exstirpanda', i cili autorizon torturimin e heretikëve në inkuizicionin mesjetar, por edhe e kufizon atë, duke përcaktuar se deri në çfarë mase një heretik duhej të torturohej.

1492 – Në Saksoni, mercenarët gjermanë vrasin mbi 200 fshatarë gjatë kryengritjes së nxitur nga kriza ekonomike dhe taksat e larta. Revolta mori emrin "Bukë e Djathë" nga emblemat mbi flamujt e kryengritësve - 'bukë e djathë' konsiderohej dieta më e thjeshtë ushqimore për jetesë.

1514 - Jodocus Badius Ascensius publikon version latin të librit Gesta Danorum, një nga dokumentet më të vjetër mbi historinë e Estonisë dhe Letonisë. Gesta Danorum përshkruan historinë daneze dhe atë skandinave në përgjithësi që nga parahistoria deri në fund të shekullit të 12-të, dhe plotëson atë që është thënë për historinë e Evropës Perëndimore dhe Jugore. Libri, i cili përshkruan pushtimet daneze në bregun jugor të Detit Baltik, dhe luftërat kundër fiseve sllave (kryqëzatat veriore), shihet si shumë i vlefshëm për historinë e fiseve sllave në periudhën e paganizmit para se të përqafonin fenë e krishterë.

1618 - Johannes Kepler zbulon ligjin harmonisë. Pas përcaktimit të dy ligjeve të Lëvizjes Planetare, Kepler vazhdoi të studionte orbitat e planeteve. Dhjetë vjet më vonë, ai zbuloi lidhjen midis kohës së orbitës së Tokës dhe distancës së saj nga Dielli nëpërmjet ekuacionit P2 = a3, ku 'P' është koha orbitale dhe 'a', gjatësia e aksit (mesatarja e distancës nga Dielli ) në njësi astronomike.

1791 - Maximilien Robespierre propozon ligjin e Vetë - Mohimit, sipas të cilit të gjithë anëtarët e Kuvendit që ishin edhe oficerë të ushtrisë duhej të mbanin njërën pozitë ose tjetrën por jo të dyja njëherësh.

1856 - Lindi Lyman Frank Baum - gazetar dhe autor i një prej tregimeve për fëmijë më të famshëm në historinë e kohëve të fundit - ai shkroi librin Wonderful Wizard of Oz që u bë film muzikor më 1939 nga studioja e Hollivudit, MGM, me aktorët kryesorë Judy Garland e Frank Morgan. Filmi u propozua për gjashtë çmime Oskar por fitoi vetëm një, për këngën më të mirë 'Over the Rainbow'.

1897 - Lufta turko - greke; ushtria greke tërhiqet mes humbjeve të shumta.

1935 - Metroja e Moskës hapet për herë të parë për publikun.

1940 - Çorapet prej najloni dalin për herë të parë në shitje në mbarë Shtetet e Bashkuara.

1943 - Joseph Stalin shpërbën Kominternin (Internacionalja e tretë komuniste).

1944 – Gjeneralët Eisenhower e Montgomery, kryeministri Churchill dhe mbreti George VI takohen për të diskutuar planin D - Day mbi zbarkimin e forcave aleate në Evropë.

1951 - Atasheu kulturor i Polonisë në Paris, Czeslaw Milosz, kërkon strehim politik nga qeveria franceze. Milosz me prejardhje lituaneze, ishte diplomat polak, i shquar si poet, prozator, përkthyes. Pas strehimit në Perëndim në vitin 1951, ai u bë i njohur me librin, Captive Mind (1953), roman klasik anti-stalinist bazuar në ngjarje të vërtetë. Në vitin 1961, Milosz emigroi në SHBA dhe u bë shtetas amerikan. Ai është nderuar me çmime të ndryshme, përfshi çmimin Nobel për letërsi më 1980. Deri në vitin 1998. Milosz (1911 - 2004) ishte profesor i letërsisë dhe gjuhëve sllave në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley.

Detyrë, nga Czeslaw Milosz
(shqipërim)

Në frikë dhe dridhje, mendoj, do ta përmbush jetën
Vetëm nëse e bind veten të rrëfehem publikisht
Duke zbuluar mashtrimin, timin dhe të epokës time:
Ne u lejuam të bërtisnim në gjuhën e djajve
Por fjalët e çiltra dhe bujare ndaloheshin
Nëndënim aq të ashpër sa kush guxonte
Veten e konsideronte të humbur.


1955 - Traktati i Vjenës: Britania, Franca, SHBA dhe BRSS rivendosin pavarësinë e Austrisë.

1961 - Papa Gjoni i 23 publikon enciklikën Mater et Magistra (Nënë dhe Mësuese), duke iu referuar rolit të kishës. Qarkorja papnore shkaktoi përgjigjen e drejtpërdrejtë nga kundërshtarët e kishës, me shprehjen "Mater Si, Magistra No"; po atë vit shprehja u kopjua nga lëvizja anti-kastro me thirrjen " Kubë Po, Kastro Jo".

Mendim i ditës
"Mata qiellin, dhe hijet e Tokës. Edhe pse mendja u lidh me qiellin, hija e trupit qëndron këtu".
Johannes Kepler (Epitaf që e shkroi disa muaj para se të vdiste)
XS
SM
MD
LG