Lidhje

Qëndrimet rreth martesave të të njëjtit seks në SHBA


Ndërsa disa vende miratojnë ligje që prekin homoseksualët, të drejtat e martesave të të njëjtit seks po shtohen në Shtetet e Bashkuara. Javën e ardhshme bëhen dy vjet që kur presidenti Obama deklaroi mbështetjen e tij. Që atëherë, numri i shteteve ku homoseksualët mund të martohen ligjërisht është gati trefishuar. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman, qëndrimet e publikut kanë ndryshuar me mbështetjen që po u jepet homoseksualëve.

Chris dhe Shawn Riley u martuan pasi shteti i Merilendit legalizoi martesat e të njëjtit seks në vitin 2012.
Çifti gëzon mbështetjen e plotë të nënës së Chrisit, Beverly Rochford. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. E rritur në një komunitet konservator të krishterë, Beverly ishte mësuar me idenë se homoseksualiteti është mëkat.

“As nuk duhej ta thoje fjalën homoseksual. Ishte një mëkat mbi të gjitha mëkatet.”

Për vite me radhë, ajo mendonte se Chrisi do të martohej me një grua. Në moshën 18 vjeçare, ai i tha asaj se mendonte se ishte homoseksual, duke shkaktuar një krizë familjare dhe fetare.

“Atëherë, me të vërtetë besoja në zemër dhe shpirt se ai po zgjidhte vetë të ishte homoseksual. Nuk mendoja se ai mund të shkonte në parajsë nëse nuk ndryshonte.”

“Ishte një betejë mes nesh.”

Chrisi druhej se do të humbiste mbështetjen e nënës, por nuk u tërhoq.

“E di se çfarë thotë Bibla, e di se çfarë thotë feja. Por edhe unë jam një shembull i asaj se ç'do të thotë të jesh homoseksual. Unë e di se si evoloi seksualiteti im dhe nuk ishte një zgjedhje.”

Me kalimin e kohës, Beverly Rochford arriti të pajtohej me realitetin e një biri homoseksual, dhe tani edhe të një dhëndrri.

“Thjesht dua që Chris dhe Shawn të ndjehen të dashur. Ata janë fëmijët e Zotit. Unë jam fëmija e Zotit. Si mund ta ndihmojmë komunitetin e homoseksualëve nëse i quajmë mallkim?”

Beverly është pjesë e një legjioni në rritje aleatësh heteroseksualë të njerëzve homoseksualë të cilët kanë ndihmuar të rritet mbështetja për martesat e të njëjtit seks në 59 për qind në Shtetet e Bashkuara, sipas një sondazhi të kohëve të fundit.

“Kam punuar me sondazhe 20 vjetët e fundit dhe mendoj se është një nga ndryshimet më dramatike të opinionit që kemi parë.”

Dinamika është e thjeshtë: homoseksualët ndjehen gjithnjë e më mirë me zbulimin e seksualitetit të tyre, duke bërë që familja, miqtë dhe kolegët të rishikojnë qëndrimet dhe besimet e tyre. Sondazhet e konfirmojnë këtë.

“Njerëzit që thanë se kishin ndryshuar mendje nga kundërshtimi në favorizimin e martesave të të njëjtit seks, i pyetëm: çfarë jua ndryshoi mendjen? Shumica e tyre thanë: “Sepse njoh dikë që është homoseksual dhe kjo ndryshoi mendimin tim, sepse unë dua të mirën për atë njeri.”

Çdo vit, vullnetarët lexojnë Biblën në Selinë e Kongresit amerikan. Shumë udhëheqës fetarë janë kundër homoseksualitetit, por pranojnë se përkrahësit e martesave të të njëjtit seks po transformojnë opinionin publik.

“Ata mund ta fitojnë betejën. Ashtu duket tani. Por do të vazhdojmë të mbajmë besimet tona. Me respekt dhe dashuri, nuk pajtohemi.”

Martesat e të njëjtit seks janë të ligjshme në 17 shtete dhe në Uashington.
Senatori në shtetin e Merilendit Richard Madaleno pa dëshminë e heteroseksualëve rreth trajtimit të padrejtë të të dashurve të tyre homoseksualë.

“Kjo nuk shkon për mua si prind. Nuk e dua këtë gjë dhe as ju nuk duhet ta doni për fëmijët tuaj.”

Evolimi i Beverly Rochfordit mbi homoseksualitetin ka krijuar një lidhje të pathyeshme me djalin e saj....

“Kemi një marrëdhënie perfekte nënë-bir.”
...dhe dhëndrrin e saj.

“Mbështetja plot dashuri që ajo na jep çdo ditë është e jashtëzakonshme.”

Ndërsa për Beverlyn, ajo është mahnitur nga ndryshimi i Chrisit nga një adoleshent i përvuajtur në një burrë të martuar, aktiv në betejën e zgjerimit të të drejtave civile.

“Nëse ai ka guximin dhe bindjen për ta bërë këtë, unë jam shumë krenare.”
XS
SM
MD
LG