Lidhje

Greqi, Agimi i Artë dhe zgjedhjet evropiane


Në zgjedhjet evropiane, të dielën më 25 maj, partitë politike të ekstremit të djathtë do të përpiqen të arrijnë fitore kudo në kontinent. Mes tyre është Agimi i Artë, partia greke, e cila nisi si një grup i vogël që u bë i njohur për përleshjet e dhunshme me emigrantë në rrugët e Athinës.

Në zgjedhjet e vitit 2012, Agimi i Artë hyri në parlament për herë të parë, me 18 deputetë. Zgjedhja e tyre u pa si një votë proteste nga grekët e zemëruar ndaj masave shtrënguese ekonomike.

Agimi i Artë mbetet në vendin e tretë ose të katërt në sondazhet e opinionit në prag të zgjedhjeve evropiane. Kjo, megjithë një hetim të qeverisë, që ka çuar në burg gjashtë deputetë, duke përfshirë kreun e partisë, Nikos Mikaloliakos. Ata akuzohen për pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Hetimi erdhi pas një serie sulmesh ndaj imigrantëve. Parlamenti votoi për të shkurtuar fondet e partisë dhe për heqjen e imunitetit të deputetëve.

"Ne nuk do të tërhiqemi, as nga burgimet dhe as nga vrasjet," tha deputeti i partisë Agimi i Artë, George Germenis, të cilit iu dha leje nga burgu për të folur në parlament, në pritje të gjyqit.

Germenis është parë në një video, ku mbështetës të partisë prishin stendat e imigrantëve në një treg të Athinës.

Partia pretendon se hetimi është një përpjekje për të goditur anëtarët e saj, në mënyrë që ata të mos mund të kandidojnë në zgjedhje. Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 18 maj, deputetët Ilias Kasidiaris dhe Ilias Panagiotaros, të dy të liruar me kusht, dolën në vend të katërt. Edhe deputetët e tjerë u paraqitën mirë.

"Në zgjedhjet komunale dhe evropiane, me sa duket ne do të fitojmë kudo në qytete, në prefektura dhe në Parlamentin Evropian," u tha Panagiotaros përkrahësve.

Evropa ka parë një rritje të partive të ekstremit të djathtë, por profesori i shkencave politike në Universitetin e Athinës, Dimitri A. Sotiropoulos thotë se Agimi i Artë ndryshon nga të tjerat.

"Kjo nuk është e ngjashme me partitë e tjera në Evropë, ajo është një parti qartazi neo-naziste. Partitë e tjera të ekstremit të djathtë në Evropë nuk nënvizojnë në retorikën e tyre shovinizmin dhe racizmin, që gjen në retorikën politike të Agimit të Artë. Një tjetër karakteristikë e saj është përdorimi i dhunës," thotë profesori.

Ilias Kasidiaris, i cili i hodhi ujë në fytyrë një politikaneje të partisë së majtë SYRIZA dhe i ra me shuplakë gjatë një debati televiziv në vitin 2012, përdori retorikën kundër imigrantëve në një fjalim fushate të kohëve të fundit.

"Në më pak se 100 vjet, ndoshta në dy brezat e ardhshëm, grekët do të jenë pakicë në vendin e tyre. E vetmja mënyrë për ta luftuar këtë të keqe në rrënjët e saj është përmes zgjedhjeve të majit. Ne duhet t'i fitojmë zgjedhjet e majit, për të ruajtur gjakun grek," tha Kasidiaris.

Ai tha se qëllimi i Agimit të Artë është që përfundimisht të qeverisë vendin.

Profesor Sotiropoulos beson se arsyeja që partia Agimi i Artë vazhdon të ketë popullaritet është se ajo di të shfrytëzojë zemërimin dhe dëshpërimin e qytetarëve, diçka që BE-ja nuk ka arritur ta zbutë.

"Bashkimi Evropian ka bërë shumë përparim, por jo mjaftueshëm për t'u vlerësuar nga ana e grupeve me të ardhura të ulëta të Evropës dhe nga brezat e rinj të evropianëve. Kjo lë mjaft terren për lulëzimin e së djathtës populiste," thotë profesori.

Zgjedhjet evropiane do të mbahen më 25 maj dhe sondazhet i japin Agimit të Artë rreth tetë për qind të votave, duke e renditur në vendin e tretë ose të katërt.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG