Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 20 maj?

  • Astrit Lulushi

Council of Nicea

Council of Nicea

325 - Mblidhet Këshilli ikumenik i krishterë, në Nikea (Azi e vogël). Historiani Eusebius, i pranishëm në këtë takim, e quajti atë 'ikumenik' që do të thotë 'mbarë-botëror' dhe në atë kohë nënkuptonte Perandorinë Romake. Takimi u zhvillua nën kujdesin e perandorit Konstandin. Ai ftoi 1800 peshkopët e kishës së krishterë (rreth 1000 në lindje dhe 800 në perëndim), por vetëm një numër i vogël, rreth 300 u paraqitën, 5 prej tyre ishin nga Iliria. Sipas Eusebius, në librin 'Historia e Kishës…”, Konstandini (me prejardhje ilire) u siguroi peshkopëve një sallë të madhe e dinjitoze për mbajtjen e kuvendit; dhe vetë bëri një hyrje ceremoniale, nga fillimi qershorit, duke u ulur diku nga fundi i sallës; roli i tij ishte mbarëvajtja e kuvendit, dhe u zotua të përdorte autoritetin e tij për zbatimin e çdo vendimi që do të merrnin peshkopët. Në Këshillin e Nikeas u diskutuan shumë gjëra, që nga natyra e Jezu Krishtit e deri tek njësimi i rregullave kishtare, përfshi caktimin e ditës së pashkëve, duke e shkëputur atë nga pashkët hebraike, si dhe vendimi që lutjet e së dielës që të bëheshin në këmbë dhe jo në gjunjë si deri atëherë. Në përfundim, Këshilli i Nikesë miratoi kanunoren e kishës. Disa peshkopë të lindjes nuk ranë dakord dhe Këshilli i përjashtoi, ndërsa perandori Konstandin i dëboi duke i dërguar në rajone të thella të Ilirisë. Konstandi i madh vdiq më 337; krishtërimi do të bëhej fe zyrtare e perandorisë romake në vitin 380, ndërsa Konstandini do të shpallej Shën Konstandin, Mbrojtësi i Krishtërimit.

1310 - Prodhohen këpucët e para për të dy këmbët, veças, të djathtë dhe të majtë. Deri atëherë, këpucët ishin njësoj dhe njerëzit i vishnin ato një ditë në këmbën e majtë e ditën tjetër në këmbën e djathte, që të konsumoheshin të dyja njëherësh. Mendohet se këpucët e para janë ato me lëkurë kafshe, që nga koha e akullnajave kur njerëzit thjesht mbështilnin këmbët për t’I mbrojtur nga të ftohtit. Sandalet e para mendohet të jenë përdorur në Lindjen e Mesme për mbrojtjen e tabanit të këmbëve nga rëra e nxehtë. Arkeologët kanë zbuluar këpucë që datojnë nga vitet 8000 pes, në atë që tani quhet shteti Mizuri (SHBA). Në Evropë, këpucë të ngjashme me këpucët e sotme ishin në modë nga shekulli XI deri XV. Në shekullin 17-të këpucët prodhoheshin vetëm me ngjyrë të kuqe dhe lartësia e takave ishte e ndryshme, shpesh në varësi të shkallës shoqërore. Atletet e para janë prodhuar për herë të parë në Amerikë në vitin 1916. Ndërsa çizmet e para për femra ishin ato të projektuara për mbretëreshën britanike Viktoria në vitin 1840. Në kohët biblike një sandale dhurohej në shenjë zotimi. Në mesjetë një prind ia kalonte autoritetin e tij mbi vajzën burrit të saj në një ceremoni të dhënies së këpucës - ati i nuses ia jepte dhëndrit këpucën dhe dhëndri ia dorëzonte nuses e cila e mbante për të treguar se tani e tutje ajo i përkiste burrit. Sot në SHBA këpucë miniature ose reale lidhet në parakolpin e makinës së çiftit të sapomartuar, si kujtesë e ditëve kur një prind i dha dhëndrit një nga këpucët e vajzës së tij si simbol i ndërrimit të kujdestarit. Në Kinë, një nga këpucë e nuses hidhet mbi çati për të siguruar lumturi për çiftin e sapomartuar. Në Hungari dhëndëri ngre një dolli për nusen e tij duke përdorur këpucën e saj në vend të gotës. Edhe shqiptarët e kanë një thënie të lashtë ‘e pi rakinë me opingë’, për njeriun që pi shumë. Një muze këpucësh ekziston në Toronto, Kanada, i vetmi muze i këpucëve në Amerikën e Veriut, ndoshta edhe në botë. Muzeu përmban këpucë dhe sandale që përshkojnë një periudhë prej 4.500 vjetësh.

1498 - Exploreruesi portuguez Vasko da Gama arrin në Kalkutë, Indi.

1506 – Në Spanjë vdiq Kristofor Kolombi, 55 vjeç, nismëtari i kolonizimit të Hemisferës Perëndimore, pa e ditur se kishte zbuluar një Botë të re.

1521 - Ignatius Loyola (1491 – 1556) plagoset rëndë nga një predhë topi në betejën e Pamplonas. Gjatë javëve të shërimit nga plagët, Layola, luftëtar spanjoll, i mërzitur nga qëndrimi shtrirë, kërkoi disa romane për të kaluar kohën. Në kështjellë, nuk kishte asnjë libër, përveç një kopje e Jetës së Krishtit dhe një libër mbi shenjtorët. Injaci filloi t’i lexonte, dhe më shumë lexoi, aq më shumë filloi të imitonte shenjtorët dhe vlerat e tyre. Pas kësaj Layola u dorëzua prift, murg dhe themeloi Shoqerinë Jezuite. Në vitin 1622 ai u kanonizua duke marre emrin Shën Injatus.

1609 - Sonetet e Shekspirit botohen për herë të parë në Londër nga Thomas Thorpe. Sonetet hapen me një përkushtim për " WH". Identiteti i këtij personi mbetet mister dhe, që nga shekulli i 19-të, ka nxitur shumë spekulime. Një gabim i thjeshtë për inicialet e Shekspirit, "WS” ose 'WSH", kjo është sugjeruar nga filozofi Bertrand Russell në kujtimet e tij. Sonetet (gjithësej 154) njihen edhe për ndikimin; nuk ka gjuhë të përhapura ose jo, që këto sonete nuk janë përkthyer, duke përfshirë gjuhët gjermanisht, frëngjisht, shqip, arabisht, hebraisht, esperanto, madje edhe në gjuhën e sotme angleze.

Sonet # 30, nga W.SH.
(shqipërim)

“Kur në heshtje rri
mendoj të kaluarën,
që rëndësi s’i dhashë,
mërzitem për gjërat
që nuk i kam por, doja...
Brengave të vjetra lot të rinj u shtoj,
sytë nga të qarët rrallë i pata njomur.
Por, tani përmbyten për miqtë
e çmuar humbur a vdekur.
Qaj, vuaj, ankohem edhe për të tjera
si të mos mjaftonte dhembja që provova,
atëhere, kur i humba shumë nga këto gjëra.
Janë plagë të kohës që prapa s’kthehet,
si për t’më dënuar me dhembje pa fund.”


1799 – 1799 – Në Paris, lindi Honore de Balzak - romancier francez dhe dramaturg. Opusi i tij letrar është sekuencë tregimesh e romanesh të njohur me titulin e përgjithshëm Komedia Njerezore, panoramë e jetës franceze në vitet pas rënies së Napoleon Bonopartit, më 1815. Balzak ishte monarkist shumë konservator; në shumë mënyra, ai është antipod i republikanizmit demokratik të shkrimtarit Viktor Hugo. Megjithatë, trajtimi i mprehtë i realitetit dhe çështjeve të kohës fitoi respektin e shumë socialistëve dhe marksistëve. Engelsi thoshte se Balzaku ishte shkrimtari i tij e preferuar, ndërsa Marksi u referohej vazhdimisht romaneve të tij.

1835 - Otto shpallet mbreti i parë i Greqisë moderne. Pas vrasjes së Ioan Kapodistrias (presidenti i parë i Greqisë), tre Fuqitë Mbrojtëse; Britania, Franca dhe Rusia, zgjodhën 17 - vjeçarin princ Otto, djalin e dytë të Mbretit Ludvig të Bavarisë, si mbret të Greqisë. Kjo ishte zgjedhja e tyre e dytë, i pari, Leopold i Sakse-Koburg, e kishte refuzuar fronin.

1867 - Parlamenti britanik hedh poshtë projekt-ligjin e John Stuart Mills mbi të drejtën e grave për të votuar. Mills njihet si filozofi më me ndikim i shekullin XIX. Ai krijoi konceptit se liria e individit është më e rëndësishme se liria shtetit për ta kufzuar atë.

1873 - Levi Strauss dhe Jacob Davis regjistrojnë patentën për pantallonet blu xhins.

1900 - Lojrat e dyta Olimpike moderne hapen në Paris (zgjasin 5 muaj).

1926 - Thomas Edison thotë se amerikanët preferojnë më shumë filmat e heshtur sesa filmat me zë.

1927 - Arabia Saudite shpallet e pavarur nga Britania e Madhe (Traktati i Jeddas).

1944 - Partia Komuniste e SHBA-së shpërbëhet, duke u bërë thirrje anëtarëve të saj të përkushtohen që Amerika të dale fituese në luftën e dytë botërore.

1985 - Izraeli shkëmben 1100 të burgosur arabe për tre ushtarë izraelitë.

1985 - Shtetet e Bashkuara fillojnë transmetimet në Kubë nëpërmjet stacionit Radio Marti, në gjuhën spanjolle.

1989 - Demonstrata për demokraci; Kina shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Pekin.

1991 - Moskë; Sovjeti Suprem miraton ligjin që lejon shtetasit sovjetikë të udhëtojnë jashtë vendit.

2002 - Pavarësia e Timorit Lindor njihet nga Portugalia, duke i dhënë fund zyrtarisht 23 vjetëve të sundimit indonezian dhe 3 vjetëve të administratës së përkohshme të OKB-së.

Mendim i ditës
''Kur ligji bëhet despotik, morali dobësohet, dhe anasjelltas.''
Honore de Balzak
XS
SM
MD
LG