Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 21 maj?

  • Astrit Lulushi

Duke Branomir

Duke Branomir

879 - Papa John VIII i jep bekimin Dukës kroat Branimir - kjo ditë konsiderohet si njohja ndërkombëtare e shtetit kroat, dhe një nga arsyet që kroatët i përkasin kryesisht besimit katolik. Historikisht, kroatët arritën në vendin ku janë sot gjatë fillimit të shekullit të 7-të. Ata organizuan shtetin në dy dukate nga shekulli 9. Tomislav u bë mbreti i parë më 925, duke krijuar mbretërinë e Kroacisë. Më pare rajoni banohej nga Ilirët liburnë, dalmatë. Në vitet 300, perandori iliro-romak Diokleciani ndërtoi një pallat të madh në Split, ku kaloi vitet e tij pas doreheqjes nga froni. Në shek. X, Kroacia u përfshi në perandorinë romake.

1542 – Kolonizatori spanjoll Hernando de Soto vdiq në brigjet e lumit Misisipi, (sot Louisiana). Shokët e tij të ekspeditës e mbajtën vdekjen të fshehtë dhe e varrosën trupin në lumë, në mënyrë që indianët vendas të mos mësonin për vdekjen e tij, që të mos kuptonin se de Soto ishte i vdekshëm dhe jo hyjnor, siç u kishte thënë.

1819 - Biçikletat e para shihen nëpër rrugët e Nju Jorkut.

1688 – Në Londër, lindi Alexander Pope, poet anglez, pëkrthyesi i parë i Homerit në anglisht. Familaj e tij u konvertua në katolicizëm dhe për këtë arsye ai nuk u pranua në shkollë publike apo universitet. Alekstandër Pope arriti të vetë-arsimohej; mësoi frëngjisht, italisht, latinisht, dhe greqisht, dhe duke lexuar gjerësisht, në moshën 6 vjeçare zbuloi Homerin; më 1713 filloi punën për përkthimin e Iliadës; e ndau veprën në 6 vëllime, duke botuar çdo vit për gjashtë vjet nga një vëllim – kjo mënyrë i lejoi të jetonte me të ardhurat nga punë e tij, gjë që pak poetë në histori kanë qenë në gjendje ta bëjnë. Në të njëjtën mënyrë Pope përktheu edhe Odisenë. Pastaj hartoi një botim të Shekspirit, ku Pope "korrigjoi" metrikën dhe bëri disa ndryshime në tekst. Kjo u prit shumë ashpër nga kritikët, gjë që e shtyu poetin të kundërpërgjigjej, duke i quajtur ata “intelektualë pa tru dhe shpërdorues të dijeve të tyre”. Aleksandër Pope vdiq me 25 maj 1744. Ai ka qenë vazhdimisht në gjendje rivlerësimi deri në vitet 1930 kur reputacioni i tij u rigjallërua. Aleksandër Pope tashmë konsiderohet zë kryesor poetik i shekullit të tij; shembull i hijeshisë së vargut, satirës së rreptë, guximit letrar dhe forcës morale.

Ode për vetminë, nga Alexander Pope
(shqipërim)

Lum njeriu, që dëshirën dhe kujdesin,
Me pak hektarë të trashëguar e lidh,
Kënaqet me ajrin e vendlindjes,
Në truallin e tij.

Bagëtitë i japin qumësht, fushat bukën,
Kopetë i plotësojnë nevojat per t’u veshur,
Pemët i bëjnë hije në verë,
Dhe zjarr në dimër.

Bekuar, ai që lehtë mund të gjejë
Orë, ditë e vite të bardha
Shëndet në trup, qetësi në mendje,
Paqe gjatë ditës,

Gjumë të mirë natën; studim e shlodhje,
Të përziera së bashku; rikrijim të ëmbël;
Pafajësi, që sjell më shumë kënaqësi,
Me meditim.

Pra më lini të jetoj, i paparë, i panjohur;
Pavuajtje të vdes;
Vjedhur prej botës, shtrirë
Në një varr pa gur.


1832 – SHBA, Baltimor, Maryland - Zhvillohet Kuvendi i parë kombëtar i Patisë Demokrate.

1840 - Zelanda e Re bëhet koloni britanike.

1864 - Rusia deklaron fundin e Luftës ruso- kirkasiane dhe shumë kirkizë detyrohen të mërgojnë. Kjo është caktuar të jetë Dita kirkize e zisë. Emri Kirkiz a Çerkez është aplikuar tradicionalisht për tatarët e Krimesë.

1871 - 1871 - Trupat franceze pushtojnë Komunën e Parisit. Luftime të ashpra u zhvilluan nëpër rrugë. Në fund të javës së përgjakshme rreth 20,000 komunarë u vranë dhe 38,000 të tjerë u arrestuar.

1881 - Kryqi i Kuq Amerikan themelohet nga Klara Barton. Në vitin 1869, gjatë udhëtimit të saj në Gjenevë, Zvicër, Barton u njoh me drejtuesit e Kryqit të Kuq ndërkomëtar dhe i lindi idea për krijimin e një dege të tillë në Amerikë. Kur Klara Barton u kthye në atdhe, ajo filloi lëvizjen për të siguruar nga qeveria njohjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Klara organizoi mbledhjen e parë zyrtare të Kryqit të Kuq amerikan në apartamentin e saj në Washington, DC, 21 maj 1881. Shoqata e parë vendore e kryqit të kuq u themelua më 22 gusht 1882 në Dansville, Livingston, New York. Klara Barton vdiq më 1912, në moshën 90 vjeçare.

1940 – Një force e posaçme ushtarake në Gjermani vret mbi 1.500 të sëmurë mendorë pacientë spitali në Prusinë Lindore. Vrasjet ishin pjesë e programit nazist për zhdukjen e çdo njeriu që konsiderohej i “papërshtatshëm” për të jetuar.

1973 – Shqipëri, në burgun politik të Spaçit nisi revolta e 100 të burgosurve, fillimisht si kundërshtim ndaj rregullave dhe kushteve të këqija në burg, dhe pastaj si kundërshtim ndaj regjimit. Të burgosurit u rrethuan nga trupa ushtarake të ardhur me nxitim nga Shkodra e Tirana, ndërsa në tarracën e burgut protestuesit valvisnin një flamur të Skënderbeut pa yllin komunist, duke kënduar këngë patriotike dhe hedhur parrulla kundër diktaturës. Protesta në burg brenda një vendi të izoluar u shtyp; 4 nga të burgosurit protestues u dënuan me pushkatim, 8 u ridënuan me 25 vjet burg, 70 të tjerë u rigjykuan. Në vitin 1984, një kryengritje e ngjashme u zhvillua në burgun e Qafë Barit. Të dyja ngjarjet u lanë në heshtje - shtypi atëhere nuk merrej me aspekte të tilla të realitetit socialist.

2012 - Aksident tragjik në Himarë, Shqipëri - 13 persona vdesin dhe 21 të tjerë plagosen kur autobusi i tyre bie 80 metra në humnerë. Viktimat ishin kryesishtë studentë nga universiteti Aleksandër Xhuvani, Elbasan, që po udhëtonin drejt Sarandës, në kuadër të një programi mësimor.

Mendim i ditës
“Të gabosh është njerëzore, të falësh është hyjnore”.
Aleksandër Pope
XS
SM
MD
LG