Lidhje

Egjipt: Vazhdojnë zgjedhjet presidenciale


Komisioni i zgjedhjeve i Egjiptit i shtyu me një ditë tjetër zgjedhjet presidenciale, në përpjekje për të shtuar pjesëmarrjen në votimet që pritet të sjellin në pushtet ish-shefin e ushtrisë Abdel-Fattah el-Sissi. Votimet dy-ditëshe mendohej të përfundonin sot, por pjesëmarrja nuk ishte e madhe në vendin me 54 milionë votues të regjistruar.

Në përpjekje për shtimin e numrit të votuesve, kryeministri Ibrahim Mahlab e deklaroi ditën e sotme festë kombëtare, ndërsa ministri i drejtësisë paralajmëroi se egjiptianët që nuk do të votonin do të gjobiteshin.

Rezultatet zyrtare nuk pritet të dalin deri javën e ardhshme, por zoti Sissi është konsideruar prej kohësh si fitues në garën me politikanin majtist Hamdeen Sabahi, i vetmi kandidat tjetër.

"Shpresoj që ai do t’i verë të rinjtë në punë, pasi kemi të diplomuar që nuk kanë vende pune. Ne duam që të krijohen mundësi dhe të fillojnë projekte për të rinjtë pasi njerëzit janë lodhur pas drejtimit të vendit nga Morsi dhe Mubaraku.''

Zoti Sissi drejtoi rrëzimin e ish presidentit Mohamed Morsi korrikun e kaluar nga ushtria, duke nxitur protesta nga Vëllazëria Myslimane dhe një shtypje të dhunshme ushtarake që la më shumë se një mijë të vdekur. Shumë drejtues të Vëllazërisë janë arrestuar gjithashtu dhe zoti Sissi tha se grupi islamik nuk ka të ardhme në Egjipt.

Vëllazëria Myslimane u ka bërë thirrje egjiptianëve t’i bojkotojnë ato që grupi i quan zgjedhje të paligjshme.

Egjipti ka kaluar tre vjet trazirash politike që nga kryengritja popullore që hoqi nga pushteti ish udhëheqësin Hosni Mubarak në fillim të vitit 2011. Zoti Morsi u bë presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në vitin 2012, por qëndroi në pushtet vetëm një vit para se protestuesit të zhvillonin protesta masive ku e akuzuan atë se po përpiqej të monopolizonte pushtetin dhe nuk po përmirësonte ekonominë e Egjiptit.

Para zotit Morsi, të gjithë presidentët e Egjiptit kanë ardhur në pushtet nga rradhët e ushtrisë. Sissi tha se edhe pse ai ka një përvojë në ushtri, por ajo nuk do të luaj rol në qeverisjen e vendit."
XS
SM
MD
LG