Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 30 maj?

  • Astrit Lulushi

Christopher Columbus

Christopher Columbus

1498 - Kristofor Kolombi niset me 6 anije për udhëtimin e tretë në Amerikë. Tre nga anijet shkuan në ishullin Hispaniola (sot Haiti dhe Republika Domenikane), ndërsa Kolombi me 3 anijet e tjera u nis për eksplorim të rajonit Karaibe. Gjatë këtij udhëtimi, Kolombi vërejti se Toka nuk ishte sferë e përkryer. Gjithashtu ai spekulloi se kontinenti i ri mund të kete qenë vendndodhja e Kopshtit biblik të Edenit. Kolombi u kthye në Hispaniola më 19 gusht, vetëm për të gjetur se shumë nga kolonët ishin hedhur në rebelim kundër pushtetit të tij - rebelët thonin se Kolombi i kishte mashtruar se do të gjenin pasuri të shumta në Botës së Re. Kolombi, si guvernator i ishullit, e shtypi rebelimin dhe dënoi me varje disa anëtarë të ekuipazhit, për mosbindje. Në ditarin e tij në shtator 1498 ai shkruan: "Ishulli është i pasur; prej këtu dikush mund të dërgojë shumë skllevër për t'i shitur në Evropë." Në vitin 1500, mbretëria e Spanjës e shkarkoi Kolombin nga posti i guvernatorit, e arrestoi, dhe e transportoi të lidhur me zinxhirë në Spanjë. Më pas, Kolombi u lirua dhe u lejua të kthehej në Botën e Re, por jo si guvernator.

1539 - Eksploruesi spanjoll Hernando de Soto zbulon Floridën.

1783 - Benjamin Towne boton Pennsylvania Evening Post, gazeta e parë e përditëshme në SHBA.

1806 - SHBA; Presidenti i ardhshëm Andrew Jackson vret Charles Dickinson në një duel, pasi Dickinson e kishte akuzuar gruan e Jacksonit për bigami. Jackson nuk u ndoq penalisht për vrasjen, dhe dueli pati shumë pak efekt në fushatën e tij të suksesshme presidenciale më 1829. Shumë amerikanë në fillim të viteve 1800, sidomos në Jug, e shihnin duelin si një traditë burrërie. Më 1804 , edhe nënpresidenti Aaron Burr iu shmang akuzave për vrasje në duel të ish- sekretarit të Thesarit, Alexander Hamilton, një nga themeluesit e Shteteve të Bashkuara.

1808 – Itali; Napoleon Bonaparti anekson Toskanën dhe i jep kësaj krahine vende përfaqësimi në Senatin francez.

1832 - Duel fatal: Evariste Galois (Galua) plagoset rëndë në duel dhe vdes të nesërmen në moshën 20-vjeçare. Galua ishte matematicien dhe republikan radikal. Motivet e vërteta prapa duelit kanë mbetur të panjohur. Ajo që dihet është se pesë ditë para vdekjes, ai i shkroi letër një miku të tij ku i tregonte mbi një dashuri të humbur. Fjalët e fundit të Galuasë ishin ato drejtuar vëllait të vet, Alfred, nga shtrati i vdekjes: "Mos qaj, Alfred, sepse kam nevojë për të gjithë kurajon time për të vdekur 20 vjeç!"

1835 –Angli; lindi Alfred Austin, kritik, romancier dhe gazetar politik. Edhe pse studioi për ligj, jeta e tij profesionale u përqendruar në letërsi. Austin u botua rregullisht për gjysmë shekulli dhe zuri vendin e Tennysonit si poet laureat i Anglisë në vitin 1896, megjithatë, ai citohet si poeti anglez më pak i lexuar. Kritikët thonë se Afred Austin ishte gjeni, por mburrej se ishte i tillë dhe kjo e bënte atë më pak popullor. Vdiq në Londër më 1910

Verbim i Dashurisë, nga Alfred Austin
(shqipërim)

Tani e di që dashuria është e verbër, sepse unë
S’mund të shoh asnjë ngjyrë në këtë tokë të bukur,
Jo jetë, jo dritë, nuk kam besim në të ardhmen, nuk kam gëzim,
As kënaqësi e as qëllim, kur ti nuk je afër .
Mungesa jote mërgon diellin nga qielli,
Sjell fundin e pranverës, kontrollon ardhjen e verës,
Dhe bën të gjendet me bollëk, vetëm vdekje.
Por kur ti çan errësirën, dhe
Me sytë e çelur ndriçon zymtësinë time,
Papritmas zog në çdo degë këndon,
Qielli hapet, toka çahet gjithnjë e më pak,
Dheu është i gjallë si eter tani,
Çdo gjë duket e bukur kur ti afrohesh.


1848 - Meksika ratifikon traktatin duke i dhënë SHBA-së; New Meksikon, Koloradon dhe pjesë të Nevadës, Utahn, Arizonën në këmbim të 15 milionë dollarëve.

1909 - Reuben Siegel vuri themelin e shtëpisë së parë në Tel - Aviv. Qyteti Tel Aviv u themelua nga komuniteti hebre në periferi të qytetit të lashtë port të Jaffas. Më pas, Tel Avivi dhe Jaffa u bashkuan në një komunë të vetme në vitin 1950, dy vjet pas krijimit të shtetit të Izraelit. Që nga viti 2003, Tel Aviv (Qytet i Bardhë) është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESKO.

1913 - Nënshkruhet Traktati i Londrës mbi rregullimin e territoreve që dolën nga përfundimi i Luftës së Parë Ballkanike. Palët luftuese ishin Lidhja fitimtare e Ballkanit (Serbia, Greqia, Bullgaria, dhe Mali i Zi ) dhe Perandoria e mundur Osmane. Fuqitë e mëdha ishin Britania, Gjermania, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Luftimet kishin pushuar zyrtarisht më 2 dhjetor 1912, ndërsa jo zyrtarisht, serbët dhe grekët vazhdonin marrjen e territoreve; Në konferencën e Londrës - e cila filloi punimet në dhjetor 1912, pak pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë - u diskutuan tre pika kryesore që ishin burim mosmarrëveshjesh:
1- statusi i territorit të Shqipërisë, kryesisht e pushtuar nga Serbia, Mali i Zi, dhe Greqia.
2- statusi i Novi Pazarit zyrtarisht nën mbrojtjen e Austro-Hungarisë që prej Traktatit të Berlinit në vitin 1878.
3- statusi i territoreve të tjera: Kosovë, Maqedoni, Traki.
Austro-Hungaria dhe Italia mbështetën fuqimisht krijimin e Shqipërisë së pavarur. Pjesërisht, ky qëndrim ishte në përputhje me politikat e mëparshme të Austro- Hungarisë që rezistonin zgjerimin serb deri në Adriatik. Rusia mbështeste Serbinë dhe Malin e Zi; Gjermania dhe Britania mbajtën qëndrim neutral; ndërsa anëtarët e Lidhjes Ballkanike ishin kundër një shteti shqiptar dhe kërkonin që ky territor të ndahej mes tyre. Sigurisht, këto pretendime u hodhën poshtë, dhe Konferenca e Londrës e njohur pavarësinë e Shqipërisë, përcaktoi kufijtë e Shqipërisë dhe u kërkoi Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë të tërhiqeshin nga trojet e pushtuara shqiptare. Megjithatë, shqiptarët gjithmonë e kanë parë Traktatin e Londrës si të padrejtë dhe të imponuar nga Fuqitë e Mëdha, me arsyetimin se rreth 30 % - 40 % e të gjithë shqiptarëve etnikë u lanë jashtë shtetit.

1922 - Përurohet përmendorja e Linkolnit në Uashington, DC. Monumenti u projektua nga Henry Bacon në formën e një një tempulli të lashtë dorik, rrethuar nga 36 kolona që përfaqësojnë numrin e shtetet të Unionit në kohën e vdekjes së presidentit. Brenda 'tempullit' është një statujë gjigande e Lincolnit ulur në poltron, vepër e skulptorit Daniel Chester, si dhe dy murale nga Jules Guerin.

Mendim i ditës
"Çfarë është Dashuria? Unë takova në rrugë një njeri shumë të varfër, i cili ishte në dashuri. Kapelja e tij ishte e vjetër; palltoja tepër e përdorur; uji i përshkonte këpucët, dhe yjet përmes shpirtit të tij kalonin"
Viktor Hugo
XS
SM
MD
LG