Lidhje

Konferencë globale kundër dhunës seksuale në konflikte


Megjithëse armët kanë kohë që kanë heshtur, pasojat e luftërave ballkanike të viteve 1990 vazhdojnë të ndihen dhe dhuna seksuale është një nga trashëgimitë e atyre konflikteve. Organizatat ndërkombëtare janë duke u përpjekur t’u mësojnë brezave të rinj që përdhunimi dhe dhuna seksuale nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë.

Ylli i Hollivudit Angelina Jolie është një nga organizatoret e konferencës në Londër që synon t’i japë fund dhunës seksuale në konflikte dhe Bosnja do të jetë sërish në qendër të vëmendjes. Në mars, ajo vizitoi këtë vend dhe, e shoqëruar nga sekretari i Jashtëm britanik William Hague, u takua me gratë të abuzuara, në një qendër të një OJQ-je në Zenicë.

Shumë nga viktimat e dhunës seksuale në Bosnje u përdhunuan gjatë luftës dhe plagët e tyre emocionale janë të thella. Një grua, që para kameras përdor pseudonimin ZKM për të mbrojtur identitetin e saj, ishte 28 vjeç kur filloi lufta në vitin 1992 dhe kur fqinji i saj serb në qytetin e Foçës e dhunoi.

"Fqinji im nuk e fshehu fytyrën. Ai erdhi tek dera jonë dhe me egërsi më dhunoi, para familjes sime," kujton ajo.

Ajo tregon se ndërsa ai vrau të gjithë pjesëtarët e familjes, ajo arriti të shpëtonte dhe u fsheh në një pyll aty pranë, ku u shpëtua nga një familje serbe. Njëzet vjet më vonë, fqinji i saj u arrestua dhe u dënua me burg për krimet e tij.

"Do doja që të më kishte vrarë në vend që të bënte atë që bëri dhe në vend që të përjetoja pasojat," thotë ajo sot.

Vitin e kaluar, organizata britanike CARE International filloi nismën "Bëhu burrë - Jo abuzues", një fushatë për të promovuar barazinë gjinore dhe luftën kundër dhunës seksuale në Ballkan.

Objektivi kryesor i fushatës është që të edukojë djemtë adoleshentë, duke ndryshuar konceptin e tyre rreth burrërisë dhe të qenit mashkull.
Sasha Ostojic është një 23-vjeçar nga Visoko, në Bosnjë. Ai thotë se u rrit në një familje të rreptë, patriarkale, me një baba dominues i cili nuk kishte respekt për gratë. Më pas, ai vetë nuk tregonte respekt në shkollë dhe u bë i dhunshëm ndaj grave në lagjen e tij. Për të shmangur mundësinë e arrestit dhe burgut, ai pranoi të bëhej koordinator projekti për CARE International dhe tani drejton programe edukative për djem të rinj.

"Babai më tha: ‘A nuk je burrë mjaftueshëm? Pse paske nevojë për këtë program?’ Atëherë isha 15 ose 16 vjeç dhe këto pyetje më bënë konfuz. Por tani e kuptoj që me të vërtetë kam nevojë për një përfshirje të tillë, si në këtë projekt ose projekte të ngjashme, sepse më dha mundësi të bëhem më i sigurtë në vetvete, të jem vetvetja," shpjegon ai.

Megjithatë, ekspertët thonë se duhet bërë më tepër për të parandaluar dhunën seksuale ndaj grave në Ballkan.
Sumka Bucan është psikologe dhe drejtoreshë rajonale e organizatës Care International. Ajo fajëson tensionet e vazhdueshme etnike në rajon.

"Mendoj se është një çështje e rëndësishme, sepse nuk bëjmë aq sa duhet për të ndryshuar situatën. Kemi ende tensione mes grupeve etnike në Bosnje-Hercegovinë dhe në rajon, sepse kjo lloj sjelljeje inkurajohet nga strukturat politike."

Takimi Global i Londrës për t'i dhënë fund dhunës seksuale në konflikte zhvillohet nga 10 deri më 13 qershor.
XS
SM
MD
LG