Lidhje

Këtë javë në Uashington


Ligjvënësit amerikanë do të zhvillojnë këtë javë seancën e parë dëgjimore për lirimin e reshterit të ushtrisë Bowe Bergdahl në këmbim të lirimit të pesë të burgosurve talebanë.

Reshteri Bergdahl njoftohet të ketë thënë se është rrahur, torturuar dhe mbajtur në kafaz nga talebanët gjatë pesë vjetëve të tij në robëri.

Ai po merr kujdes shëndetësor në Gjermani pasi u lirua më 31 maj, siç shihet në këtë video. Debati ndaj hapave që mori administrata Obama që çuan në lirimin e Bergdahlit nuk duket se do të shuhet.

Ligjvënësi republikan Mike Rogers është kryetari i komisionit të zbulimit në Dhomën e Përfaqësueve.

“Ky është një problem i madh rajonal dhe gjeopolitik për Shtetet e Bashkuara në të ardhmen. Pengjet janë kthyer tani në mjet këmbimi në luftën kundër terrorit. Kjo është gjithmonë e rrezikshme për diplomatët, punonjësit e ndihmave dhe ushtarët në fushëbetejë. Ky ishte mesazh i gabuar në kohën e gabuar dhe ne do të paguajmë për këtë vendim në vitet që vijnë.”

Ligjvënësit nga të dyja partite kanë shprehur shqetësim për faktin se Shtëpia e Bardhë nuk e kishte njoftuar Kongresin para shkëmbimit. Por demokratët thonë se çështja e ushtarit Bergdahl nuk duhet të bëhet një betejë partiake. Udhëheqësi i shumicës në Senat, Harry Reid.

“Kundërshtarët e presidentit Obama janë kapur pas lirimit të një të burgosuri të luftës dhe po e përdorin kur në fakt duhet të bashkohemi dhe të festojmë për vendin tonë dhe jo të luajmë lojra politike.”

Në seancën dëgjimore në kongres, ligjvënësit ka të ngjarë të hetojnë njoftimet e përhapura në media se Bergdahl u largua nga posti i tij në Afganistan para se të merrej peng.

“I vë ushtarët e tjerë në rrezik kur largohesh nga pozicioni yt. Kjo është e gjitha.”

Në Bruksel javën e kaluar, president Barack Obama tha se nuk do të kërkojë ndjesë për mënyrën sesi e zgjidhi këtë çështje.

“Nuk çuditem asnjëherë nga debatet që zjejnë në Uashington. Kemi një parim bazë: ne nuk lemë pas asnjëri që ka uniformën amerikane.”

Polemikat kanë zbehur festimet e planifikuara për lirimin e ushtarit Bergdahl, i cili pritet të vazhdojë kujdesin shëndetësor kur të kthehet në Shtetet e Bashkuara. ((SIGNED))


XS
SM
MD
LG