Lidhje

Kosovë: Opozita me marrëveshje për qeverinë



​Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, arritën marrëveshje për formimin e koalicionit të ardhshëm qeveritar.

Sipas marrëveshjes, kryeministër i ardhshëm do të jetë Ramush Haradinaj, Nisma do të ketë një zëvendëskryeministër, kurse posti i kryetarit të Parlamentit i mbetet Lidhjes Demokratike, e cila siç thuhet, në afatin kushtetues, do të merrte edhe postin e presidentit.

Marrëveshjen e mbështeti edhe lëvizja Vetëvendosje. Kryetari i kësaj lëvizjeje Albin Kurti tha se është hap cilësor që këto tri subjekte politike kanë vendosur që mos të jenë në asnjë mënyrë në koalicion me Partinë Demokratike.

Faza e parë e bisedimeve është kjo: që t’i pamundësohet regjimit të vjetër të ripërtërihet me një qeveri të re. Faza e dytë e bisedimeve që do të ndodhë në ditët në vijim do të jetë çka nuk duhet të bëjë kjo qeveri e emergjencës që vjen në vijim. E për bindjet tona të qarta është: të pezullohen bisedimet me Serbinë, të mos implementohet asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe të pezullohen privatizimet e orvatjet për to në PTK, KEK dhe në Trepçë”, tha zoti Kurti.

Ndërkohë, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, e cila fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 8 qershor, Hajredin Kuçi, tha se “vullneti i qytetarëve nuk mbrohet me marrëveshje anti-kushtetuese”. Ai tha se autorët e marrëveshjes duhet të lexojnë kushtetutën, ndërsa marrëveshjen e cilësoi “formë trysnie për të rritur pazarin negociues me Partinë Demokratike të Kosovës”.

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës në Kosovë, nxorën fituese Partinë Demokratike të kryeministrit aktual Hashim Thaçi.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Partia Demokratike ka fituar afro 31 për qind të votave e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 26 për qind, lëvizja Vetëvendosje me 13.5 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 9.5 për qind dhe Nisma për Kosovën me mbi 5 për qind.

Sipas rezultateve paraprake, Aleanca Kosova e Re që ishte partnere në qeverinë Thaçi, nuk e ka arritur pragun prej pesë për qind të votave, që është kusht për të fituar mandate në parlament.



Neni i Kushtetutës që përcakton zgjedhjen e qeverisë:

Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]:

1. Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

2. Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

3. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

4. Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.

5. Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë. - 38 -

6. Anëtarët e Qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit. Teksti i betimit rregullohet me ligj.


Neni i Kushtetutës që përcakton zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit

Neni 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve]

1. Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh Kryetarin dhe pesë (5) nënkryetarë.

2. Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

3. Tre (3) nënkryetarët të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

4. Dy (2) nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Njëri nënkryetar do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet të rezervuara ose të garantuara të komunitetit Serb, dhe tjetri nënkryetar nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara nga komunitetet tjera që nuk janë shumicë.

5. Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit shkarkohen me votën e shumicës prej dy të tretave (2/3) të numrit të përgjithshëm të deputetëve.

6. Kryetari dhe nënkryetarët formojnë Kryesinë e Kuvendit. Kryesia është përgjegjëse për funksionimin administrativ të Kuvendit në mënyrën e përcaktuar me Rregulloren e Punës të Kuvendit.


Interpretimet janë të ndryshme varësisht edhe nga përkatësia politike, por një pjesë e njohësve të kushtetutës thekson se neni 95 qe ka të beje me zgjedhjen e qeverise i referohet një koalicioni parazgjedhor dhe jo një koalicioni pas zgjedhor. Ata druajnë se vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme, meqë Partia Demokratike nuk ka ku të kërkojë partnerë të tjerë për qeverisje përveç këtyre që sot janë zotuar të qeverisin pa të.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG