Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 13 qershor?


Edict of Milan
Edict of Milan
313 - Dekreti i Milanos, nënshkruar nga Konstandin i Madh dhe bashkë-perandori Valerius Licinius që u jep lirinë fetare të gjithë banorëve në Perandorinë Romake, shpallet në Nicomedia (sot Izmit, në veriperëndim të Anadollit).

1525 – Gjermani; prifti Martin Lutheri martohet me murgeshën Katharina von Bora, në kundërshtim me dekretin nga Kisha Katolike Romake që ndalonte martesat e priftërinjve dhe murgeshave. Çifti pati disa fëmijë dhe me vdekjen e Luterit, 1546, Katharina Bora u vu në krye të kishës protestante, e cila më pas do të quhej Luterane.

1774 - Amerikë; Rhode Island bëhet bëhet e para koloni britanike e Amerikës së Veriut që ndalon importimin e skllevërve dhe mbyll kufijtë për të penguar trafikimin e tyre.

1865 – Në Dublin, Irlandë, lindi William Butler Yeats – poezitë e para i botoi 19 vjeç; i bashkohet lëvizjes revolucionare Vllazëria Republikane Irandeze. Në raportet e policisë më 1899, Yeats përshkruhet “pak-a-shumë revolucionar”. Më pas ai tërhiqet pas folklorit dhe përpiqet të bëjë atë që vëllezërit Grim bënë për gjermanët - mblodhi dhe botoi legjendat irlandeze. Amerikani në mërgim Ezra Pound, i cili e takoi Yeats më 1912, u bë sekretar i tij - dhe duket se ndikuan njeri tjetrin në poezi dhe ide. Në dhjetor 1923 Yeats u nderua me Çmimin Nobel në letërsi. Përgjigjja e tij në shumë nga letrat dhe urimet e dërguara përmbante fjalët: "Ky nder nuk më bëhet mua si individ, por letërsisë irlandeze; dhënia e Çmimit Nobel duket se është mënyra se si Evropa i uron mirëseardhjen shtetit të lirë irlandez" (Irlanda ishte shpallur shtet sovran një vit më parë, më 1922). Në vitin 1932 Yeats themeloi Akademinë irlandeze të Letrave dhe në vitin 1933 u përfshi shkurtimisht në organizatën fashiste Blueshirts në Dublin. Ai vdiq më 1939 në Menton, Francë. Në një nga poezitë e fundit Yeats shkruan:
Jo në mermer,
Pa frazë klishe
Në pllakën e varrit
Me komandën e tij,
Këto fjalë u gdhendën:
“Me shikim të ftohtë
Mbi jetën, mbi vdekjen.
Kalorës, kalo!"

Tre vargjet e fundit u përdorën si epitaf kur arkivoli me trupin e poetit u kthye në Irlandë në vitin 1948 dhe u ri-varos në Drumcliff në qarkun Sligo - por ka disa dyshime për vërtetësinë e eshtrave - Jeta mistike është qendra e të gjitha atyre që bëj, mendoj dhe shkruaj, thoshte ai - edhe ky parashikim për veten, i doli.

1894 - Lindi, Jacques Henri Lartigue, fotograf dhe piktor francez, i njohur për fotografitë e tij të garave me automobilë dhe modeleve pariziane të modës. Vdiq më 1986. Punimet e tij shpesh krahasohen për nga stili me ato të shqiptaro-amerikanit Gjon Milit (1904 - 1984), i njohur për fotografi objektesh dhe njerëzish në lëvizje.

1912 – SHBA; Federata Panshqiptare Vatra njihet zyrtarisht nga shtetit Masaçusets. Ky zhvillim e përfshin Vatrën në lëvizjen e rilindjes Kombëtare në rol kryesor gjatë etapës finale të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Themelimi i Vatrës ishte arritur më 28 prill 1912; “dita e fundit e bisedimeve dhe që mund të quhet datë historike e krijimit të Vatrës, e cila kaq shumë i shërbeu atdheut në kohërat e rrezikshme që pasuan më vonë, shërbime me të vërtetë patriotike që nuk do të harrohen”. (“Federata Panshqiptare Vatra”, Beqir Meta, Glogus,Tiranë 2002)

1917 - Lufta e Parë Botërore: gjermanët kryejnë sulmin e parë ajror ndaj Londrës me bombardues Gotha G, duke shkaktuar 162 të vdekur, përfshi 46 fëmijë, si dhe 432 të plagosur.

1944 - Lufta e Dytë Botërore: Gjermania nis sulm me raketa V-1 ndaj Anglisë. Ishte arma e parë e këtij lloji dhe njerëzit filluan t'i quanin 'bomba fluturuese'. Vetëm katër nga njëmbëdhjetë raketat e hedhura këtë ditë arritën të godasin objektivat e tyre.

1949 – Ethet e kuqe; Universiteti i Kalifornisë shpall rregullin sipas të cilit të gjithë profesorëve e punonjësve të këtij institucioni u kërkohej të nënshkruanin një dokument ku betoheshin se nuk kishin lidhje me ide ose Parti Komuniste.

1955 - Zbulohet miniera Mir - miniera e parë e diamantit në Bashkimin Sovjetik. Miniera, sot e mbyllur, ndodhet në Mirny, Siberi Lindore, Rusi

1966 - Gjykata e Lartë e Shtetet e Bashkuara pas shqyrtimit të çështjes Miranda ndaj shtetit Arizona, vendosi se policia duhet të informojë të dyshuarit për të drejtat e tyre para t'i marrë në pyetje; Që nga ajo kohë, në momentin e arrestimit, polici duhet ta informojë patjetër personin se ai/ajo ka të drejtë të mos flasë pa praninë e avokatit, pasi çdo gjë që thotë, mund dhe do të përdoret kundër tij/saj në gjyq.

1996 - Grupi Montana Freemen dorëzohet pas një ballafaqimi 81-ditësh me agjentët e FBI-së. Montana Freemen ishte një lëvizje e krishterë me bazë afër qytetit Jordan në shtetin Montana. Anëtarët e quanin vendbanimin e tyre "Justus Township" dhe deklaronin se nuk njihnin asnjë autoritet ose qeveri jashtë këtij vendbanimi.

2000 - Italia fal Mehmet Ali Agçan, personi i cili u përpoq të vriste Papën Gjon Pali II në vitin 1981.

Mendim i ditës
"Jeta është përgatitje e gjatë për diçka që nuk ndodh".
W.B. Yeats
XS
SM
MD
LG