Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 14 qershor?


Munich
Munich
1158 - Duka i Saksonisë dhe Bavarisë, Henri 'Luani', themelon qytetin Munich në brigjet e lumit Isar pranë një kuvendi murgjish benediktinë - Kështu qyteti mori dhe emrin Munich (bavarisht 'Minga' - Murg). Munich është kryeqyteti i shtetit gjerman të Bavarisë dhe qyteti i tretë më i madh në Gjermani, pas Berlinit dhe Hamburgut.

1775 - Lufta Revolucionare Amerikane: Kongresi Kontinental krijon forcat e armatosura duke shënuar lindjen e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara. Të nesërmen, Xhorxh Uashingtoni emërohet komandant i përgjithshëm.

1777 – Flamuri me 13 shirita të bardhë e të kuq dhe 13 yje të bardhë në sfond blu, miratohet nga Kongresi si Flamuri i Shteteve të Bashkuara. Me shtimin e shteteve do të shtoheshin edhe shiritat dhe yjet. Sot ky flamur ka 50 yje dhe 50 shirita që përfaqësojnë 50 Shtetet e Bashkuara.

1789 - Uiski i distiluar nga misri u prodhua për herë të parë nga kleriku amerikan Elia Craig, dhe u quajt Bourbon sepse kleriku Craig banonte në qarkun Bourbon të shtetit Kentucky.

1830 - Fillimi i kolonizimit francez të Algjerisë: 34 mijë ushtarë francezë fillojnë pushtimin e Algjerit, duke zbarkuar rreth 27 kilometra në perëndim. Kolonizimi francez, nën sisteme të ndryshme qeverisëse, do të zgjaste deri më 1962 kur Algjeria shpalli pavarësinë nga Franca.

1846 - Kolonët anglezë në Sonoma, Kaliforni, fillojnë një rebelim kundër Meksikës dhe shpallin Republikën e Kalifornisë. Por Republika nuk jetoi gjate; në të njëjtin vit shpërthen lufta meksikane-amerikane; lufta zgjati deri më 1848 dhe përfundoi me përfitime për SHBA-në - më 9 shtator 1850, Kalifornia i bashkohet 30 shteteve të tjera të Amerikës, dhe sot është shteti i tretë më i madh në Shtetet e Bashkuara për nga territori, pas Alaskës dhe Teksasit. Një në tetë amerikanë banon në Kaliforni - kështu i bie të ketë 38 milionë banorë.

1872 - Kandaja legalizon sindikatat e punëtorëve.

1940 - Lufta e Dytë Botërore: Paris bie nën pushtimin gjerman, dhe forcat aleate tërhiqen. Po këtë ditë, Bashkimi Sovjetik paraqet një ultimatum për Lituanisë që rezulton në humbjen e pavarësisë lituaneze. Gjithashtu, më 14 qershor, një grup prej 728 të burgosur politikë polakë nga Tarnow bëhen banorët e parë të kampit të përqëndrimit Aushvic (3 milionë njerëz do të linin eshtrat në Aushvic deri në vitin 1945).

1951 - SHBA: Kompjuteri i parë komercial, UNIVAC I, u vu në përdorim - pak javë më pare kompjuteri ishte instaluar në Zyrën e Regjistrimit të popullsisë. Në vitin 1952, UNIVAC I u përdor nga rrjeti CBS për të parashikuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale - kompjuteri parashikoi se Eisenhower do të fitonte me shumicë të madhe votash ndaj Adlai Stevensonit edhe pse anketat tregonin se Stevenson gëzonte më shumë popullaritet. Ky parashikim i saktë me kompjuter shtoi gjithashtu ndërgjegjësimin publik mbi teknologjinë e informatikës.

1962 - Themelohet në Paris Organizata Evropiane për Kërkime në Hapësirë - sot Agjencia Evropiane e Hapësirës.

Mendim i ditës
"Çdo formë varësie është e keqe, pa marrë parasysh se është drogë, alkool ose morfinë apo idealizëm"
Karl Gustav Jung
XS
SM
MD
LG