Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 16 qershor?


Julian Emperor
Julian Emperor
363 - Perandori romak Julian u vë flakën anijeve të furnizimit në lumin Tigër për të mos i lënë të bien në duart e persianëve, ndërsa trupat e tij kishin filluar tërheqjen. Julian ishte perandor nga viti 361-363. Ai u bë Cezar i krahinave perëndimore të perandorisë me urdhër të Konstandinit të madh në vitin 355. Gjatë kësaj periudhe zhvilloi me sukses fushata kundër fiseve alamane dhe franke. Në vitin 360 në Lutetia (sot Paris), Juliani u shpall Augustus nga legjionet e tij - kjo e zemëroi Konstandinin dhe situata po shkallëzohej drejt një lufte civile. Papritur Konstandini vdiq, dhe Julian, si pasardhësi i tij i ligjshëm u bë perandor (Julian ishte nipi i Konstandinit të madh). Gjatë kohës si perandor, Juliani e refuzoi krishtërimin; ai rihapi tempujt paganë, rikthye pronat e tyre dhe priftërinjtë e dëbuar Kjo i dha atij emrin 'Julian femohuesi'. Flavius Claudius Julianus, lindur më 332, gjithashtu, ishte perandori i fundit i dinastisë ilire Konstantiniane, dinastia e parë e krishterë e Perandorisë romake. Juliani vdiq gjatë betejës së Ktesifonit në Persi më 363.

1816 - Lord Bajroni u lexon Fantasmagorinë katër të ftuarve të tij në Vilën Diodati, afër liqenit Gjeneva, ku banonte. Miqtë e ftuar ishin Percy Shelley, Mary Shelley, Claire Clairmont, dhe John Polidori. Bajron i sfidon ata për të shkruar një histori me fantazmë; dhe gara kulmoi me Mary Shelleyn që shkroi romanin Frankenstein; ndjekur nga John Polidori me tregimin e shkurtër, Vampyre; dhe me vetë Bajronin, i cili shkroi poemën Darkness (Errësirë):

"Pash ëndërr, nuk ishte e gjitha ëndërr.
Dielli i shndritshëm i shuar, dhe yjet
Endeshin në terr në hapësirë të përjetshme,
Pa rreze, e pashkelur edhe toka e akullt
Lëvizte e verbër në errësirë në qiell pa hënë..
Dhe retë u zhdukën; Errësira s'kishte nevojë
Për ndihmën e tyre - Ajo ishte vetë Universi..."


1858 - Në Springfield, Illinois, gjatë fushatës për në Kongres, Abraham Lincoln mban fjalimin e tij mbi ‘shtëpinë e përçarë’, ndërsa vendi ishte përfshirë në debate të ashpra lidhur me çështjen e skllavërisë: "Një shtëpi e përçarë në vetvete nuk mund të qëndrojë..nuk mund të durojë, përgjithmonë, gjysmë rob dhe gjysmë e lirë. Nuk pres që Bashkimi të shpërbëhet - nuk pres që shtëpia të bjerë - por shpresoj se do të pushojë të jetë e ndarë. Kjo shtëpi ose do të bëhet një e vetme ose çdo gjë tjetër..."

1904 - Shkrimtari irlandez James Joyce fillon marrëdhënie me Nora Barnacle dhe më pas shkrimtari do ta përdorë këtë datë në romanin e tij, Ulysses (ngjarjet e romanit zhvillohen me 16 qershor me protagonistin Leopold Bloom). Ndërsa në Dublin, Norah u takua me Xhejmsin më 10 qershor 1904, vetëm më 16 qershor vendosën lidhjen e tyre të parë romantike. Kjo datë tradicionalisht festohet në mbarë botën si Bloomsday. Takimi i 16 qershorit 1904 përfundimisht çoi në martesë në vitin 1931 dhe pa ndërprerje deri në vdekjen e Xhojsit. Në Bloomsday 1982, viti njëqindvjeçar i lindjes së Xhojsit, një stacion radioje irlandeze transmetoi pa ndërprerje për 30-orë të gjithë tekstin e Uliksit në formë dramatizimi.

1940 - Një qeveri komuniste u instalua nga sovjetikët në Lituani.

1944 - Në moshën 14 vjeçare, Xhorxh Junuis Stinney bëhet personi më i ri që ekzekutohet në Shtetet e Bashkuara në shekullin e 20. Stinney, afrikano-amerikan nga Karolina e Jugut, u dënua për vrasjen e dy vajzave të bardha 8 dhe 11 vjeçare; asnjë provë fizike nuk ekzistonte; prova e vetme kundër Stinneyt ishte fakti se vajzat kishin folur me të dhe motrën e tij pak kohë para vrasjes së tyre, si dhe dëshmia e tre policive të bardhë, në një gjykim që zgjati më pak se 2 orë. Stinney u ekzekutua me karrige elektrike. Çështja Stinney, dhe procesi gjyqësor që çoi në ekzekutimin e tij janë cilësuar si "jashtëzakonisht të dyshimta dhe dështim i plotë i drejtësisë".

1958 - Imre Nagy, Pal Maleter dhe udhëheqës të tjerë të kryengritjes anti-komuniste hungareze të vitit 1956 ekzekutohen.

1981 - Presidenti amerikan Ronald Reagan nderon me Medaljen e Artë të Kongresit, ish-ambasadorin e Kanadasë në Iran, Ken Taylor, për ndihmën që u dha 6 amerikanëve për të ikur nga Irani gjatë krizës së pengjeve të 1979-1981; Ken Taylor është shtetasi i parë i huaj i nderuar me këtë medalje amerikane.

1989 - Revolucionet e vitit 1989: Imre Nagy, ish-kryeministri hungarez, rivarroset në Budapest pas rënies së komunizmit në Hungari.

Mendim i ditës
"Jeta është shumë e shkurtër për të shpenzuar kohën duke lexuar një libër të keq."
James Joyce
XS
SM
MD
LG