Lidhje

Lazarat, vazhdojnë operacionet anti-drogë


Lazarat
Lazarat

Pas vetëdorëzimit në polici të të dyshuarit Razip Mahmutaj, është ndaluar edhe një person i dënuar i cili fshihej në Lazarat. Shkatërrohen 60 mijë bimë canabis dhe afër 10 ton marijuanë.

Policia po vazhdon edhe sot me forca të shtuara operacionin në fshatin Lazarat të Gjirokastrës për shkatërrimin e sipërfaqeve me narkotikë dhe goditjen e elementëve të inkriminuar.

Në fshat dëgjohen të shtëna me armë të kalibreve të ndryshme, që sipas policisë vijnë nga një grup i armatosur që vepron në një banesë në brendësi të fshatit.

Policia po shkatërron sipërfaqe të mbjella me bimë narkotike në zonat që tashmë i ka në kontroll, ndërsa edhe vetë banorët po djegin sasi narkotikësh afër banesave të tyre.
Lazarat droga
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:33 0:00


Tymi dhe ajri i rëndë i mariuanës janë shpërndarë në zonat fqinje me Lazaratin, qytetin e Gjirokastrës dhe Dervicianin.

Policia vijoi edhe gjatë natës kontrollin e hyrje daljeve në Lazarat, ku sot ka hyrë në ditën e tretë një operacion në shkallë të gjerë.

Mbrëmë një prej personave më të kërkuar nga policia, nga Lazarati u vetëdorëzua. Razip Mahmutaj u shoqërua nga forcat speciale në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës. Mahmutaj dyshohet se ishte në krye të grupit që iu kundërvu me armë forcave policore dy ditë më parë.

Në një kapanon në pronësi të tij policia gjeti një sasi të madhe lëndësh narkotike si dhe gëzhoja armësh. Policia njoftoi gjithashtu se ka arrestuar edhe një person të dënuar i cili fshihej në Lazarat. Deri tani ka shkuar në 8 numri i personave të arrestuar për kundërvënien me armë ndaj operacionit.

Forcat e Rendit kanë zhvilluar deri mbrëmë kontrolle në 30 banesa të fshatit, ku ajo tha se ka zbuluar “dy laboratorë që përpunonin mariuanë” e se ka shkatërruar afër 60 mijë bimë marijuane.Po sipas policisë janë sekuestruar e më pas janë shkatërruar së paku 10 ton lëndë narkotike.

Gjatë ditës së djeshme dy barinj, të moshës 19 dhe 33 vjecare, të cilët nuk janë banorë të fshatit, mbetën të plagosur pasdite. Sipas policisë ata janë qëlluar nga personat që po bëjnë rezistencë të armatosur.

Më herët, gjatë natës të së martës u plagos edhe një efektiv i forcave speciale. Ai ka marrë plumba në këmbë dhe në dorë, por është jashtë rrezikut për jetën.



Autoritetet kanë deklaruar se operacioni në Lazarat nuk do të ndërpritet. Ministria e Brendshme dhe policia kanë përsëritur gjatë këtyre ditëve thirrjet drejtuar banorëve që të mos lëvizin nga banesat e tyre, ndërsa u kanë kërkuar personave që kanë përdorur armë ndaj forcave të rendit që të dorëzohen. “Çdo kundërshtim dhe qëndresë me armë vetëm sa rëndon pozitën e tyre ligjore, duke u bërë dhe shkak i pasojave që Policia e Shtetit deri tani është munduar të parandalojë”, ka nënvizuar policia.

Nga ana e tij Drejtori i përgjithshëm Artan Didi ka theksuar se “operacioni i nisur si një ndërhyrje ndaj kultivimit të bimëve narkotike, është kthyer edhe në një operacion kundër një grupi kriminal që e ka mbajtur nën kthetra fshatin”, theksoi zoti Didi. Edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i cili dje pasdite ishte në Gjirokastër ku pati takime me drejtues lokalë dhe ata të policisë, deklaroi se “atij grushti kriminelësh, që kanë guxuar të ngrenë armët kundër policisë, iu ka ardhur ora”.

Përpjekjet ndër vite të autoriteteve për të ndërhyrë në Lazarat kanë dështuar. Në 2004, një helikopter i policisë italiane i cili po kryente një fluturim monitorimi mbi fshat, për llogari të policisë shqiptare, u qëllua me armë.

Para dy vjetësh mjetet e policisë italiane u vunë sërish në shërbim të autoriteteve për të kqyrur dhe zbuluar nga ajri plantacionet me marijuanë. Vitin e shkuar, përfaqësuesit italianë deklaruan në përfundim të një misioni një mujor se në Lazarat ishin 319 hektarë sipërfaqe e mbjellë me bimë narkotike, të cilat mund të jepnin një prodhim prej afër 900 tonësh. Një sasi e cila nëse do të shitej në tregjet me pakicë në Europë do të vlente 4.5 miliard euro.
XS
SM
MD
LG