Lidhje

52, numri i të vrarëve nga Al-Shabab në Kenia


Guvernatori i një rajoni bregdetar të Kenias thotë numri i të vrarëve nga një sulm i militantëve të grupit Al-Shabab të dielën vonë arriti në 52.

Guvernatori i qarkut Lamu, Issa Timamy dje i tha Zërit të Amerikës se qeveria e Kenias ka dërguar më shumë trupa për të ruajtur sigurinë në qytetin e Mpeketoni dhe i këshilloi banorët e këtij qyteti që të jenë të kujdesshëm.

Dëshmitarët thonë se të paktën 30 persona të armatosur hynë në qytet me disa makina dhe sulmuan hotelet, një stacion policie, shtëpi dhe objekte të tjera publike. Disa prej të vrarëve ishin duke shikuar ndeshjet e botërorit.

Dëshmitarët thonë se persona të armatosur, në disa raste, kishin në shënjestër vetëm banorët jomyslimanë.

Në një deklaratë të publikuar në një faqe interneti thuhet se grupi Al-Shabab me bazë në Somali, i cili është i lidhur me Al-Kaidën, merr përgjegjësinë për sulmin.

Në deklaratë, Al-Shabab thotë se sulmi ishte hakmarrje për vrasjen e klerikëve myslimanë në Mombasa të Kenias, ku ditët e fundit u vranë disa predikues myslimanë.
Grupi militant gjithashtu e deklaroi Kenian një "zonë lufte" dhe paralajmëroi turistët dhe të huajt që të largohen.
XS
SM
MD
LG