Lidhje

I dyshuari i Bengazit po merret në pyetje


Shtetet e Bashkuara i thanë Këshillit të Sigurimit të OKB-së se udhëheqësi i dyshuar i sulmit vdekjeprurës të vitit 2012 ndaj konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë, ishte duke planifikuar vrasjen e amerikanëve të tjerë.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Samantha Power, thoshte në një letër se kapja e Ahmed Abu Khatallah-ut afër Bengazit të dielën ishte e justifikuar për të parandaluar më shumë sulme dhe në përputhje me "të drejtën e Shteteve të Bashkuara për t'u vetmbrojtur".

Personi në fjalë akuzohet për sulmin që çoi në vrasjen e katër amerikanëve, duke përfshirë Ambasadorin Christopher Stevens.

Ebu Khatallah, i cili është në të 40-at, po merret në pyetje nga autoritetet amerikane në bordin e anijes amfibe të transportit USS New York, në Detin Mesdhe. Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se Khatallah do të sillet në Uashington për t'u përballur me tre akuza për terrorizëm. Njëra prej akuzave mund të çojë në dënimin e tij me vdekje nëse ai shpallet fajtor.

Zyrtarët amerikanë thonë se ai do të gjykohet në një gjykatë civile, jo ushtarake, dhe do t'i sigurohet një avokat mbrojtës. Zyrtarët nuk kanë njoftuar ndonjë plan se kur mund të vijë ai në Uashuington.

Forcat amerikane të operacioneve speciale e kryen arrestimin pa shkaktuar viktima dhe e nxorrën atë fshehurazi jashtë vendit. Por zyrtarët amerikanë nuk e informuan Libinë para operacionit, ashtu siç nuk informuan Pakistanin para operacionit të vitit 2011 në Pakistan që çoi në vrasjen e Osama bin Ladenit.
XS
SM
MD
LG