Lidhje

Lazarat, policia merr kontrollin e fshatit


Pas 5 ditësh operacion ku u angazhuan 800 forca, policia hyri në fshatin që ishte bërë simbol i kultivimit të marijuanës, duke thyer mitin e paprekshmërisë që Lazarati kishte fituar ndër vite

Në Shqipëri policia njoftoi sot në mbrëmje se ajo ka hyrë në të gjithë territorin e fshatit Lazarat në jug të vendit, pas 5 ditësh të një operacioni të gjerë ku u angazhuan 800 forca të rendit. Ndërhyrja në fshat u bë pasi pas mesditës, trupat e njësive speciale nisën depërtimin drejt qendrës së fshatit të cilat u mbështetën nga ajri përmes helikopterëve luftarakë dhe nga toka me anë të mjeteve të blinduara.

Policia u pajis me armatim të rëndë e gatshme për cdo ballafaqim me grupet e armatosura që vepronin në fshat. Këto grupe ose janë tërhequr nëpër banesa ose kanë mundur të largohen nga mali mbi Lazarat. Më herët policia gjeti në një nga banesat e lokalizuara prej saj, një mitraloz të rëndë, i cili dyshohet të jetë përdorur kundër trupave policore.

Tani fillon një sfidë tjetër e policisë, kontrolli në shtepite e fshatit ku rreziku është i madh dhe prej afrimit të natës. Forcat e Rendit kanë nisur kontrollet dhe kanë ftuar banorët që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të jenë të pranishëm gjatë veprimeve proceduriale të saj.

Gjatë këtyre ditëve policia kishte avancuar ngadalë në territorin e fshatit, për të shmangur një përplasje të fortë me armë që do të mund të vinte në rrezik forcat e saj por edhe banorët. Gjatë ditës së djeshme pati edhe pesë të arrestuar të tjerë, të cilët sipas policisë janë banorë të Lazaratit. Ata akuzohen për veprat penale si “vrasje e punonjësve të policisë e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim, mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak, kultivimi i bimëve narkotike”. Të arrestuarit, sipas policisë, dyshohen se së bashku me persona të tjerë kanë qëlluar me armë në drejtim të forcave të policisë gjatë operacionit të ndërmarrë në fshatin Lazarat. Me këto arrestime shkon në 13 numri i perosnave që kanë përfunduar në pranga gjatë ndërhyrjes në fshatin jugor.

Strukturat e Policisë së Shtetit njoftuan sot se gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni në Lazarat kanë mundësuar asgjesimin e rreth 80 mijë rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe të një sasie mbi 12 ton e 800 kg kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzamimin. Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 2 njësi artizanale përpunimi të bimëve narkotike, si dhe sasi të konsiderueshme municioni dhe armë. Te dhenat policore flasin se ishte ushtruar kontroll në territoret e mbi 80 banesave dhe një numri të konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës në territorin ku forcat e polcisë kanë depërtuar në zonë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG