Lidhje

Rama, akuza të forta gjyqtarëve e prokurorëve


Kryeministri deklaroi sot se reforma në Drejtësi do të bëhet me cdo cmim. “Ajo do të drejtohet nga parlamenti. E rëndësishme përfshirja dhe konsensusi i opozitës”

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot një ndërhyrje të fortë për të reformuar sistemin e Drejtësisë. Ai foli me tone të ashpra për gjyqtarët që lirojnë kriminelët në këmbim të parave, si dhe për prokurorët që sipas tij përdorin dosjet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë për përfitime vetjake. Zoti Rama tha se reforma do të udhëhiqet nga parlamenti dhe se për realzimin e saj do të duhet të ftohet edhe opozita

Ndërsa i mëshoi edhe një herë suksesit të operacionit policor në Lazarat, kryeministri Edi Rama tha sot se “ajo Republikë më vete” sipas tij “nuk ishte një plantacion jashtë kontrollit të shtetit, por një shëmbëlltyrë arrogante e shkeljes së dinjitetit të shtetit nga forca e paligjshmërisë dhe e triumfit të padrejtësisë mbi Drejtësinë”.


Për kryeministrin, Gate Mahmutaj, personazh i cili u vë në qendër të operacionit në Lazarat, një ish i dënuar që kish përfituara nga amnistia, "nuk është aspak më shumë i rrezikshëm se gjykatësit që nxjerrin nga burgu kriminelët" tha ai. Një deklaratë e cila u pasua nga paralajmërimi i prerë për reformën në sistemin e Drejtësisë, me cdo cmim: “Superaksioni i Lazaratit na e bën edhe më të pamundur se deri para 5 ditësh, që t’i shmangemi përballjes frontale, pa asnjë lëkundje, me kriminalizimin e sistemit të drejtësisë dhe me çdo element të inkriminuar brenda sistemit të drejtësisë.

Sot, gjyqtarët që kryejnë krime, duke u bërë pjesëmarrës në vrasjet dhe në tragjeditë njerëzore që shkaktojnë rrugëve “Gatet” e liruar me një të rënë çekiçi prej tyre, duhet ta marrin të qartë mesazhin se ne jemi gati të përballemi me çfarëdo kosto me ta, deri sa kush nuk do të ndahet nga “Gatet”, të shkojë të rri me “Gaten”, tek vendi i “Gateve”, pa mundur të bëjë dot më dëm për njerëzit e pafajshëm, në këtë vend, që s’është vendi i “Gateve”.

Deri më tani, qeveria nuk e kishte fshehur herë pas here pakënaqësinë edhe ndaj Prokurorisë. Por sot tonet e kyeministrit ishin po aq të forta edhe ndaj këtij institucioni që sipas tij po i përdor dosjet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë për përfitime personale: “Prokurorët që i kanë marrë kaq shumë kohë këtij vendi duke i ardhur vërdallë dosjeve të krimeve, të zyrtarëve të lartë apo duke nxjerrë prej tyre vetëm disa “cironka” të lodhura, - si ato që kapnim ne me kavanoz te bregu i liqenit, - duhet ta kenë të qartë se nuk mund t’i fshihen më përgjegjësisë së tyre”.

Si për të dëshmuar domosdoshmërinë e një ndërhyrjeje të fortë kryeministri tha se “me këtë sistem drejtësie anëtarësimin në Bashkimin Europian, të jemi të qartë, Shqipëria nuk e sheh dot as me dylbi”.

Reforma në Drejtësi, do të jetë në qendër të sesionit të ardhshëm parlamentar. Ajo do të drejtohet nga komisioni i ligjeve saktësoi kryeministri duke vënë theksin te nevoja e një produkti që të realizohet bashkë me opozitën: “Njësoj si Reformën Territoriale, natyrisht, edhe këtë reformë ne e duam gjithëpërfshirëse dhe konsensuale, në radhë të parë me pjesëmarrjen e opozitës, por njësoj si Reformën Territoriale, ne do ta çojmë përpara edhe Reformën në Drejtësi, me parimin tonë, të shpallur qysh ditën e parë: “Do të dëgjojmë këdo, por do të udhëheqim pa u ndalur, para kujtdo”, deklaroi kryeministri Rama.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG