Lidhje

Kerry: Kërkojmë vepra, jo fjalë nga Rusia


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se udhëheqësi i Rusisë duhet të provojë me vepra dhe jo vetëm me fjalë se ai është plotësisht i angazhuar për paqen në Ukrainën lindore, por Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë nuk janë gati për të vendosur sanksione të reja ndaj Moskës.

Duke folur në Bruksel, ku mori pjesë në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s, zoti Kerry tha se është me rëndësi "kritike" që presidenti Vladimir Putin të bëjë thirrje "publikisht" për çarmatosjen e separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore. Ai tha gjithashtu se zoti Putin duhet të ndalë kalimin e luftëtarëve dhe të armëve, duke përfshirë "tanke dhe raketa-hedhës," përtej kufirit të Rusisë me Ukrainën.

Ai tha se Uashingtoni është duke punuar me qeveritë evropiane për përgatitjen e sanksioneve të reja, nëse ato do të jenë të nevojshme.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione kundër individëve të caktuar dhe kompanive ruse fillim të këtij viti, pas aneksimit të Krimesë nga Moska dhe më pas, për përfshirjen e saj në trazirat në Ukrainë lindore.

XS
SM
MD
LG