Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 25 qershor?

  • Astrit Lulushi

Elena Piscopia

Elena Piscopia

1678 - Elena Piskopia bëhet gruaja e parë në botë me doktoraturë në filozofi, kur diplomohet nga Universiteti i Padovës, Itali. Lindur në një familje fisnike në Venecia, Piskopia (1646 - 1684) fillimisht kishte kërkuar të studionte për teologji, por nuk u lejua nga Kisha - kështu ajo iu përkushtua filozofisë dhe matematikës. Megjithatë, arritja e saj nuk hapi menjëherë dyert për gra të tjera në shkolla të larta. Vetëm në fund të shekullit XX, një grua tjetër do të merrte një doktoraturë nga Universiteti i Padovës.

1741 - Maria Tereza e Austrisë kurorëzohet mbretëreshë e Hungarisë. Maria Tereza dhe burri i saj, Francis I, Perandori i Shenjtë romak, patën 16 fëmijë, përfshi mbretëreshën Marie Antoinette të Francës. Pas vdekjes së burrit të saj, Maria Tereza trashëgoi më shumë se 30 tituj sundimi e fisnikërie.

1788 – Virginia, territori i kolonisë së parë britanike të Amerikës (vitet 1600), bëhet shteti i 10 që ratifikon Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.

1903 –Lindi Erik Arthur Blair – autor i novelave alegorike Animal Farm dhe 1984, të cilat i nënshkroi me emrin George Orwell - vdiq më 1950.
"Tani do t’ju tregoj përgjigjen e pyetjes time: Partia kërkon pushtetin për hir të pushtetit. Ne nuk jemi të interesuar për të mirën e të tjerëve, por vetëm për pushtet.…Ne jemi ndryshe; oligarkitë e së kaluarës dhe gjithë të tjerët ishin frikacakë dhe hipokritë. Nazistët dhe komunistët erdhën shumë afër me ne në metoda, por kurrë nuk patën guximin për të njohur motivet e veta. Ata pretendonin, ndoshta edhe besonin, se e kishin marrë pushtetin me dhunë dhe për një kohë të kufizuar…Ne nuk jemi si ata. Ne e dimë se askush kurrë nuk e kap pushtetin për të hequr dorë prej tij. Pushteti nuk është mjet por qëllim. Një nuk vendos diktaturën për të mbrojtur revolucionin; por bën revolucion për të vendosur diktaturën. Objekti i persekutimit është persekutimi. Objekti i torturës është tortura. Objekti i pushtetit është fuqia. Tani ju filloni të më kuptoni."
George Orwell, “1984”

1924 – Presidiumi i Federatës Komuniste Ballkanike dhe Partia Komuniste italiane lëshojnë një manifest të përbashkët drejtuar klasës punëtore të Shqipërisë për të mbrojtur fitoret e revolucionit të qershorit.

1938 – Në Amerikë, miratohet ligji federal për pagën minimale (40 qindarka në orë). Sot kjo pagë ka arritur në rreth 10 dollarë në orë. Ekspertët thonë se me zhvillimet ekonomike dhe rritjen e kostos së jetesë, paga minimale në SHBA duhej të kishte arritur në rreth 22 dollarë në orë. Përpjekje legjislative për rritjen e pages minimale vazhdojnë.

1960 - Dy kriptografë të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (NSA) nisen për pushime në Meksikë - William Hamilton Martin dhe Bernon F. Mitchell, nga Meksika shkojnë në Havanë, Kubë - ku hipin në një anije ruse transporti për në Bashkimin Sovjetik. Më 5 gusht, Pentagoni njoftoi se ata nuk ishin kthyer nga pushimet dhe se "mund të kenë shkuar prapa Perdes së Hekurt". Më 6 shtator, dy kriptografët u shfaqën në një konferencë të përbashkët shtypi në Moskë dhe thanë se kishin kërkuar strehim politik dhe shtetësi sovjetike. Martin, përfundimisht u largua nga Bashkimi Sovjetik dhe vdiq në Meksikë më 1987 (56 vjeç). Pak dihet për Mitchell; ai kishte hequr dorë nga shtetësia amerikane, dhe mbeti në Bashkimin Sovjetik - vdiq në Shën Petersburg më 2001 (72 vjeç).

1962 - Gjykata e Lartë e SHBA-së vendosi (5 vota për - 4 kundër), se lutjet fetare në shkollat publike shkelin Amendamentit të Parë të Kushtetutës që përcakton ndarjen e kishës nga shteti.
.
1982 - Greqia heq rregullin e rruajtjes së kokës të rekrutëve në ushtri.

1991 - Kroacia dhe Sllovenia shpallin pavarësinë e tyre nga Jugosllavia.

1993 - Kim Campbell zgjidhet në krye të Partisë Përparimtare Konservatore kanadeze dhe bëhet e para femër Kryeministre e Kanadasë.

Mendim i ditës
"Mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund një lufte është për ta humbur atë."
George Orwell

XS
SM
MD
LG