Lidhje

Qendra që përkujdeset për zogjtë e rrallë


Ligji i vitit 1992 për Mbrojtjen e Zogjve të Egër në Shtetet e Bashkuara ndalon sjelljen e zogjve të egër të kapur për tregti. Por sipas një sondazhi, kjo nuk e ka penguar rritjen e zogjve si shpendë shtëpiake. Numri i tyre sot është rreth 15 milion. Për shkak të jetës së tyre të gjatë dhe përgjegjësive që lidhen me mbajtjen e një shpendi, disa prej këtyre zogjve i kalojnë një grupi shpëtimi, si ai që vizitoi korrespondentja e Zërit të Amerikës Rebecca Ward në periferi të Uashingtonit.

Tingujt e xhunglës? Këtu në Virxhinia? Këta zogj të bukur – afrikanët gri, papagallët e vegjël dhe të tjerë autoktonë të Afrikës, Australisë dhe Amerikës së Jugut – kanë gjetur strehim dhe kanë shpëtuar nga abuzimi dhe neglizhimi. Matt Smith është themeluesi i organizatës Project Perry.

“Si shumë njerëz të tjerë, unë mbaja një zog në shtëpi. Por e kuptova se sa shumë punë duhet që të kujdesesh për papagallët.”

Importimi i zogjve ekzotikë si këta ka qenë i ndaluar në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1992. Por shumë nga këta ose u kapën në natyrë, ose janë pasardhësit e zogjve të kapur nga xhungla e Amazonës dhe Kongoja.

“Ngaqë papagallët jetojnë gjatë, shumë nga këta zogj të kapur në natyrë po shpëtohen.”

Edhe nëse një zog ekzotik është rritur nga njeriu, zoti Smith thotë se ka nevojë për shumë më tepër se ajo që mund t’i japin shumica e pronarëve të shpendëve – fluturim kryesisht të lirë dhe shoqërim me zogj të njëllojtë.

Ky papagall i quajtur Trent u kap në natyrë, së bashku me shoqen e tij, për t’u përdorur për shumim. Zoti Smith thotë se zogjtë që përdoren për shumim shpesh mbahen në një kafaz të vogël, por nga sikleti femra e Trentit këputi aq shumë pupla nga koka e tij, saqë ato nuk rriten më.

“Kur ke trashëguar qiellin dhe aftësinë për të fluturuar dhe pastaj papritur kapesh dhe sillesh në këtë vend që të përdoresh për shumim, kjo mungesë e mjedisit shpesh mund të rezultojë në probleme si këputja e puplave,” thotë Matt Smith.

Prandaj, nëse janë me fat, zogjtë si Trent përfundojnë në qendra shpëtimi si Project Perry në mënyrë që të jetojnë në mjedise më të përshtatshme për ta. Zogj të tjerë këtu janë sjellë nga ish-pronarët e tyre të cilët nuk mund të kujdeseshin më për ta. Në disa raste, thotë zoti Smith, pronarët paguajnë për kujdesin gjatë gjithë jetës. Për shembull, deri në 80 vjet për një papagall nga Amazona, 60 për ato nga Afrika dhe 30 vjet për papagallë më të vegjël. Është një angazhim shumë i gjatë. Por është e lehtë të kuptohet arsyeja.

“Ata janë zogj shumë kureshtarë dhe është provuar shkencërisht se kanë aftësinë emocionale dhe inteligjencën e një fëmije 3-5 vjeçar.”

Disa nga zogjtë në fakt preferojnë të rrijnë me njerëzit dhe në atë rast, Project Perry përpiqet t’i gjejë shtëpi adoptimi. Tani për tani, në Project Perry ka rreth 150 zogj, por stafi është i vogël dhe varet nga donacionet dhe ndihma e vullnetarëve si ish-teknikja veterinare, J.J., e cila edhe vetë ka adoptuar disa zogj.

“Kam katër papagallë trupvegjël në një dhomë të tyren. Kam tre në dhomën e ndenjes dhe katër papagallë australianë me ta.”

Këtu ka pesë kafazë– më i fundit i ndërtuar këtë vit. Ai është 335 metra katrorë, i ndërtuar për papagallët afrikanë dhe lejon që zogjtë të fluturojnë gati 37 metra nga njëri kënd në tjetrin. Kafazët kanë temperaturë të kontrolluar, dhe imitojnë një mjedis natyror me pemë dhe bimë – një vend i mirë për të jetuar nëse je shpend. Por jeta për shumë nga këta zogj nuk nisi ashtu. Prandaj, thotë zoti Smith, ai do të donte që njerëzit të cilët duan të marrin një zog si shpend shtëpiak ta dinë se nga vjen ai.

“Në vende ku nuk ka ligje që mbrojnë importimin e papagallëve të egër, kur merrni këta papagallë si shpendë shtëpiake nga këto vende, dijeni se shpesh ata janë kapur me metoda brutale. Dhe pastaj janë futur në arka, ku shumica e tyre gati ngordh.”

Sipas organizatës World Parrot Trust, një numër speciesh papagallësh janë në rrezik zhdukjeje në vendet nga vijnë, pjesërisht për shkak të tregtisë së zogjve por edhe prishjes së mjedisve ku jetojnë.

XS
SM
MD
LG