Lidhje

Shkup: Burgim i përjetshëm për 6 shqiptarë

  • Isak Ramadani

Gjykata Themelore në Shkup dënoi sot me burgim të përjetshëm gjashtë persona të akuzuar për vrasjen e pesë maqedonasve, para dy vjetësh. Ndërkohë, njëri nga të akuzuarit u lirua. Ky është një rast të cilin autoritetet e konsiderojnë si terrorizëm dhe që ka nxitur, nga ana tjetër, mjaft tensione në vend. Familjarët e viktimave kërkojnë të dinë kush ishin organizatorët e aktit, ndërsa familjarët e të dënuarve thonë se i gjithë procesi ishte një montim.



Gjykata Themelore në Shkup dënoi me burgim të përjetshëm gjashtë nga shtatë të akuzuarit në rastin e njohur si Liqeni i Smillkovës apo i quajtur “Monstra” nga autoritetet policore dhe gjyqësore. Gjashtë shqiptarët e akuzuar për vrasjen e pesë maqedonasve në pranverën e vitit 2012 fillimisht ngarkoheshin për terrorizëm nga organet e Rendit, por dhe prokurorja në procesin gjyqësor kundër tyre kërkoi dënime maksimale, për shkak se, sipas saj, ata kishin vendosur të bënin masakër në vigjilje të Pashkëve dhe ishin shprehur se në këtë mënyrë do të zhduknin fenë dhe të ardhmen e popullit maqedonas, gjithnjë sipas prokurores Gordana Geshkovska.

Sejdi Rama u lirua në mungesë provash, ndërsa Halil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviç, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta morën dënim me burg të përjetshëm.

Dy prej të akuzuarve, Halil Demiri dhe Afrim Ismailoviç ndodhen në paraburgim në Kosovë, për armëmbajtje pa leje. Autoritetet maqedonase ka kohë që presin nga kolegët e tyre në Kosovë që t’i ekstradojnë.

Pala mbrojtëse, ndërkohë, thotë se nuk ekziston asnjë lloj dëshmie që do të konfirmonte përfshirjen e tashmë të dënuarve, në ekzekutimin e maqedonasve të rinjë dhe ka kërkuar, si rrjedhojë, hedhjen poshtë të akuzave.

Avokatët e të dënuarve kanë paralajmëruar ankesa në Gjykatën e Apelit. Familjarë dhe të afërm të të akuzuarve gjatë javëve të kaluara kanë protestuar para gjykatave dhe istitucioneve shtetërore për të shprehur pakënaqësinë, sidomos ndaj prokurores në këtë proces.

Rasti i rrallë dhe i ndjeshëm është trajtuar shpesh në mjetet e informimit dhe mjetet maqedonase nuk kanë ngurruar të përdorin fraza të rënda dhe fyese që nga dita kur u arrestuan të akuzuarit.

Kjo ka bërë që të reagojë shoqëria civile, ndërsa Komiteti i Helsinkit në Shkup ka bërë thirrje për respektimin e standardeve profesionale si nga gjykatësit edhe nga gazetarët dhe të kapërcehen tendencat e politikave nacionaliste për të mos qenë pjesëmarrës në tensionet ndëretinke dhe mungesën e tolerancës që shumë lehtë mund të shkallëzohet, sipas kësaj organizate.

Një dëshmitar i mbrojtur ka qenë kyç në provat e Gjykatës, ndërkohë që armët me të cilat është kryer krimi nuk u gjetën asnjëherë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG