Lidhje

Barroso në Tiranë: Pas Statusit sfida të reja


Presidenti i Komisionit europian “Statusi për Shqipërinë lajm i mirë edhe për Ballkanin”. Përsëritet thirrja për dialog e konsensus mes qeverisë dhe opozitës për cështjet që lidhen me integrimin

Në Tiranë presidenti i Komisionit europian Jose Manuel Barroso tha sot se vendimi i javës së shkuar për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë është një sukses i madh i saj por edhe një lajm i mirë për të gjithë rajonin e Europës juglindore. Zoti Barroso tha se ky vendim duhet të jetë një shtysë për vendin që të trajtojë me vendosmëri sfidat që ka përpara, ndërsa theksoi edhe një herë rëndësinë e dialogut dhe konsensusit mes qeverisë dhe opozitës të paktën për cështjet që lidhen me integrimin.

Barroso në Tiranë
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:04:27 0:00

Vetëm pak ditë pas krerët e shteteve të vendeve anëtare të Bashkimit europian, i dhanë Shqipërisë statusin kandidat, presidenti i Komisionit europian Jose Manuel Barroso vizitoi sot Tiranën. Ai e konsideroi vendimin një sukses për Shqipërinë, ndërsa shtoi se “për të ecur më tej në rrugëtimin drejt BE, Shqipëria duhet që të vazhdojë dhe të intensifikojë qasjen e vet sistematike për reformat, duke u përqendruar tek prioritet kyçe, me vëmendje të veçantë në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën në gjyqësor”.

Zoti Barroso vlerësoi operacionin e fundit të policisë shqiptare në Lazarat duke theksuar se lufta kundër narkotikëve duhet të jetë një përpjekje kombëtare dhe se poolitizimi i saj duhet të shmanget. SI për të theksuar rëndësinë që Brukseli i jep luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, presidenti i komisionit europian vizitoi sot pasdite edhe gjykatën e krimeve të rënda: “Në shumë nga takimet politike që pata kënsaqësinë të zhvilloj sot në Tiranë kam theksuar rëndësinë kritike që ka për suksesin e integrimit tuaj europian, cdo gjë që ju mund të bëni në fushën e gjyqësorit. Unë e kuptoj mirë sa i rëndësishëm është sundimi i ligjit në konsolidimin e demokracisë dhe në rrugën tuaj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin europian”.

Gjatë komenteve të tij në përfundim të takimit me kryeministrin Edi Rama por edhe në fjalën e tij në parlamentin shqiptar presidenti Barroso përsëriti se “për të pasur sukses, integrimi europian, duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës, ku të gjithë në shoqëri të luajnë rolin e tyre”. Dhe duke i mëshuar kësaj pike, ai theksoi rëndësinë e e dialogut mes qeverisë dhe opozitës. “Mesazhi im i qartë dhe i fortë, për të gjithë forcat politike në vend, në pozitë dhe opozitë është që konsensusi minimal duhet arritur të paktën përsa i përket fateve që kanë të bëjnë me integrimin europian”, u shpreh zoti Barroso.

Nga ana e tij Kryeministri Edi Rama deklaroi se shumica kërkon që të ecë bashkarisht me opozitën në realizimin e reformave, atë në Drejtësi, të paralajmëruar tanimë, por edhe për reformën territoriale, e cila do të duhet të mbyllet brenda korrikut. “Ne na ndihmon shumë fakti që deri më pak se një vit më parë ishim në opozitë dhe do t’i qëndrojmë në mënyrë të vendosur asaj që kemi thënë qysh në fillim; Opozita gjatë qeverisjes sonë nuk do të vuajë atë që vuajtëm ne, kur ishim në opozitë. Ne nuk do të bëjmë gabimet e pararendësve tanë, por do të nxjerrim mësime nga ato gabime”, tha zoti Rama.

Presidenti i komisionit europian i mëshoi faktit se Brukseli i qëndron angazhimit të tij për të mbështetur integrimin europian të vendeve të Ballkanit. Dhënia e statusit Shqipërisë “është një lajm i mirë për të gjithë rajonin e Europës Juglindore. Kjo tregon që procesi i zgjerimit të BE është i besueshëm dhe dinamik. Po ashtu që, BE i mban angazhimet e veta strategjike”, theksoi zoti Barroso, ndërsa gjatë fjalës në parlament tha se “nga Tirana në Podgoricë, nga Sarajeva në Shkup, nga Beogradi në Prishtinë, njerëzit e shohin BE-në si një fanar shprese. Ne nuk do lejojmë që kjo aspiratë të zbehet”, u shpreh ai.

Edhe kryeministri Rama, sic ka bërë disa herë kohët e fundit, i theksoi nevojës së një marrëdhënieje më të fortë mes BE-së dhe rajonit të Ballkanit: “I bëra me dije Presidentit vullnetin tonë për të marrë një rol të ri në rajon dhe për të bashkëpunuar me të gjithë vendet e tjera të rajonit, që BE të bëhet gjithmonë e më i vetëdijshëm se Ballkani ka nevojë për BE, por aq sa BE-ja ka nevojë për Ballkanin. Dhe e ardhmja e Ballkanit është në BE, por nga ana tjetër e ardhmja e BE, nuk mund të kuptohet pa Ballkanin si pjesë e BE”.

Zoti Rama njoftoi sot edhe një vizitë të ardhshme në Beograd, e cila pritet të zhvillohet vjeshtën e ardhshme. Një vizitë e cila do të jetë e para e një kryeministri shqiptar që prej vitit 1946.

Gjatë qëndrimit në Tiranë presidenti i komisionit europian u prit dhe nga presidneti Bujar Nishani prej të cilit mori edhe dekoratën e Flamurit Kombëtar, e takoi gjithashtu edhe kreun e opozitës Lulzim Basha.


XS
SM
MD
LG