Lidhje

Izraeli bastis shtëpitë e dy të dyshuarve


Trupat izraelite kanë bastisur shtëpitë e dy personave të dyshuar për rrëmbimin e tre adoleshentëve izraelitë, të cilët u gjetën të vdekur të hënën thuajse tre javë pas zhdukjes së tyre. Izraeli thotë se që të dy ata janë anëtarë të grupit militant Hamas, i cili thotë se nuk ka lidhje me zhdukjen e tre të rinjve izraelitë.

Bastisjet u kryen sot në orët e para të mëngjesit. Abu Islam është i afërm i të dyshuarit për rrëmbimet Abu Aysha.

“Ushtarët na thanë të dalim nga shtëpia. Ata morën nënën e Amer-it dhe ne, na futën në shtëpinë e komshiut dhe na thanë të qëndronim në një dhomë. Nuk pamë ndokënd nga Autoriteti Palestinez dhe nuk i duam ata,” thotë Abu Islam.

Një operacion i ngjashëm u krye edhe në shtëpinë e Marwan Qawasmeh. Të dy këta persona, thotë Izraeli, janë anëtarë të grupit militant Hamas, i cili nuk pranon se ka gisht në zhdukjen e adoleshentëve.

Trupat e një djali 19 vjeçar dhe dy 16 vjeçarëve u gjeten pranë fshatit Halhul, afër vendit ku u zhdukën kur po ktheheshin në shtëpi nga shkolla.

Që nga zhdukja e adoleshentëve, tensionet izraelito-palestineze janë shtuar. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kërkuar që presidenti palestinez Mahmoud Abbas të heqë dorë nga një marrëveshje pajtimi me Hamasin.

Në Uashington, presidenti amerikan Barack Obama i dënoi vrasjet dhe bëri thirrje për vetpërmbajtje. Përmes një deklarate të hënën, presidenti tha se të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet që mund të destabilizojnë më tej situatën.

XS
SM
MD
LG