Lidhje

Kosovë: Partia fituese – formon qeverinë


Gjykata Kushtetuese e Kosovës, tha se partia që doli e para në zgjedhjet parlamentare të tetë qershorit, ka të drejtën që të provojë e para formimin e qeverisë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës bëri publik vendimin lidhur me kërkesën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, mbi rolin e saj kushtetues në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare të tetë qershorit.

Vendimi i Gjykatës lë të kuptohet se është Partia Demokratike e kryeministrit në detyre Hashim Thaçi ajo e cila merr e para mundësinë për formimin e qeverisë, ndërsa përjashton mundësinë që kjo qoftë edhe në herën e dytë të bëhet nga koalicioni pas zgjedhor i krijuar nga Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të nenit 84 (9) dhe të nenit 112 të Kushtetutës, si dhe të rregullit 56.1 të Rregullores së punës, me 30 qershor 2014,

VENDOS

I. Njëzëri, TA DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;

II. Me shumicë votash, TË KONSTATOJË që:

a. Nenet 84 (14) dhe 95 të Kushtetutës janë në përputhshmëri me njeri-tjetrin;

b. Përdorimi i termave “parti politike ose koalicion”, kur përmenden në lidhje me nenin 84 (14) dhe me nenin 95, paragrafët 1 dhe 4, të Kushtetutës, nënkupton partinë politike ose koalicionin që është regjistruar sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, merr pjesë si subjekt zgjedhor, është i përfshirë në fletëvotim të zgjedhjeve, e kalon pragun dhe, rrjedhimisht, fiton vende në Kuvend;

c. Partia ose koalicioni që ka fituar shumicën në Kuvend, si; përcaktohet në nenin 95, paragrafi 1, të Kushtetutës, nënkupton partinë ose koalicionin që ka shumicën e vendeve në Kuvend, qoftë shumicën absolute, qoftë atë relative;

ç. Presidenti Republikës, në bazë të nenit 95, paragrafi 1, të Kushtetutës, i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër të nominuar nga partia politike ose nga koalicioni që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend;

d. Presidenti i Republikës nuk e ka diskrecionin të refuzojë caktimin e kandidatit të propozuar për Kryeministër;

dh. Në rast se kandidati i propozuar për Kryeministër nuk merr votat e nevojshme, Presidenti Republikës, në diskrecionin e tij/saj, në bazë të nenit 95, paragrafi 4, të Kushtetutës, emëron kandidatin tjetër për Kryeministër, pas konsultimit me partitë ose me koalicionet (e regjistruara në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme) që kanë plotësuar kriteret e lartpërmendura, pra me parti ose me koalicion që është regjistruar si subjekt zgjedhor në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, e ka emrin në fletëvotim të zgjedhjeve, ka marrë pjesë në zgjedhje dhe ka kaluar pragun;

e. Nuk përjashtohet që Presidenti i Republikës të vendosë t’i japë partisë ose koalicionit të parë, sipas nenit 95, paragrafi 1, të Kushtetutës, mundësinë të propozojë kandidatin tjetër për Kryeministër;

III. T’UA KUMTOJË këtë aktgjykim palëve dhe ta publikojë në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 2004 të Ligjit;

IV. Ky aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.

Në reagimet e para thuhet se udhëheqësit politik do të respektojnë vendimin e gjykatës, por pa e interpretuar më tej atë.

Vëzhguesit thonë se në rast të dështimit të Partisë Demokratike për të siguruar shumicën e nevojshme në Parlament, çështja në masë të madhe do të mbetet në duart e presidentes e cila duhet të vlerësojë se kush mund të ketë këtë shumicë për të emëruar mandatarin e ri.

Kërkesa e presidentes Jahjaga, drejtuar Gjykatës Kushtetuese pasoi debatet rreth asaj se kush do të mund të formojë qeverinë. Partia Demokratike, e kryeministrit në detyrë Hashim Thaçi, doli e para në zgjedhjet e tetë qershorit. Ndërsa, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, lidhën një marrëveshje për themelimin e qeverisë së re duke pretenduar se kanë të drejtë për një gjë të tillë meqë me mbështetjen e lëvizjes Vetëvendosje ata sigurojnë shumicën në Parlament.

Të tria këto forca thanë se nuk do t’i përgjigjen asnjë ftese të mundshme të Partisë Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Presidentja Jahjaga, duke njoftuar se ka marrë vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese është zotuar se “do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës duke respektuar dhe zbatuar në plotëni vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Ndërkohë, Ambasada amerikane në Prishtinë, nëpërmjet një deklarate u bëri thirrje të gjithë udhëheqësve të Kosovës që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në reagim thuhet se “aftësia e institucioneve të Kosovës për ta menaxhuar këtë proces e nderon zhvillimin demokratik të saj”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG