Lidhje

Obama, presidenti me më pak popullaritet që nga Lufta e Dytë Botërore


Presidenti Obama dhe opinioni publik

Presidenti Obama dhe opinioni publik

Një anketë e re jep vlerësime të ulëta për Presidentin Obama në disa cështje, përfshirë politikën e jashtme, ekonominë, kujdesin shëndetësor dhe terrorizmin. Sondazhi i ri i Universitetit Quinnipiac pason disa anketa të tjera kombëtare javët e fundit që tregojnë mbështetje në rënie për Presidentin Obama dhe politikat e tij.

Në sondazhin e fundit të Universitetit Quinnipiac, 33 për qind e të anketuarve thanë se zoti Obama është Presidenti më i dobët që nga Lufta e Dytë Botërore. Ish-Presidenti George W. Bush ishte i dyti, me 28 për qind.

Por 35 për qind thanë se Ronald Reagan ishte Presidenti më i mirë amerikan në periudhën e pas luftës. Ish-Presidenti Bill Clinton u vlerësua si më i miri nga 18 për qind e të anketuarve, ndërsa ish - Presidenti John Kennedy u zgjodh si më i miri nga 15 për qind.

Zoti Obama merr gjithashtu një sërë vlerësimesh negative për një sërë çështjesh në sondazhin e Quinnipiac. Vetëm 40 për qind e të anketuarve e miratojnë menaxhimin e ekonomisë nga ana e tij, ndërsa 37 për qind e miratojnë politikën e tij të jashtme.

Tim Malloy është ndihmës drejtor i sondazhit të Universitetit Quinnipiac University poll.
“Është një goditje e rëndë përsa i takon politikës së tij të jashtme. Mbështetja ka rënë 10 për qind përsa i takon zotësisë në këtë fushë dhe mënyrës se si po e menaxhon atë. Është një goditje e rëndë, sepse politika e jashtme ishte një nga kartat e tij më të forta dhe tani është dobësuar”.

Zoti Obama vazhdon përpjekjet për të siguruar përkrahjen e simpatizantëve, pas sondazheve jo të favorshme dhe disa problemeve me politikat e tij.

Presidenti thotë se do të lëshojë një urdhër ekzekutiv lidhur me reformën e imigracionit, mes sinjaleve se Kongresi nuk ka gjasa që të merret me këtë çështje këtë vit.

Kreu Republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner tha kohët e fundit se synon të depozitojë një akt-padi federale për të bllokuar përdorimin nga presidenti të urdhrave ekzekutivë.

“Kushtetuta e bën të qartë se puna e Presidentit është që të zbatojë me përpikmëri ligjet dhe sipas pikëpamjes time, presidenti nuk e ka bërë këtë”.

Presidenti Obama nuk i ka kushtuar shumë vëmendje paralajmërimit të republikanëve dhe ka premtuar se do të veprojë në mënyrë të njëanshme kur të ketë mundësi.
“Familjet e klasës së mesme nuk mund të presin derisa të veprojë Kongresi. Prandaj, le të ngrenë akt-padi. Përsa kohë që ata nuk veprojnë, unë nuk do të kërkoj falje sepse po përpiqem të bëj diçka”.

Politika e jashtme ka qenë për një kohë të gjatë një nga pikat e forta të presidentit. Por kriza e fundit në Irak, duket se po e dobëson besimin e publikut në udhëheqjen e Presidentit Obama, thotë analisti John Fortier me Qendrën Dypartiake të Politikave në Uashington.

“Mendoj se problemi për presidentin është se kushtet në terren në Irak nuk janë të mira dhe një pjesë e përgjegjësisë i atribuohet atij. Prandaj nuk besoj se ka alternativë të favorshme për të, megjithëse edhe populli amerikan nuk është në një mendje përsa i takon asaj që duhet bërë”.

Eksperti i sondazheve, Tim Malloy shton se vendimi i presidentit për të vepruar në mënyrë të njëanshme ka njëkohësisht potencialin e rrezikut politik por edhe suksesit.

“Asnjëherë nuk është e lehtë për një president në mandatin e tij të dytë. Dhe pyetja është: a po vepron presidenti në mënyrë arbitrare? Disa mund të thonë po. Por bllokimi aktual në Uashington është në përmasa historike dhe jam i sigurt se përkrahësit e Presidentit thonë se ai nuk ka rrugëzgjidhje tjetër, ndërsa ata që janë kundër tij thonë se ai po tejkalon kompetencat”.

Demokratët janë të shqetësuar se shifrat e ulëta të mbështetjes për Presidentin mund t’i dëmtojnë ata në zgjedhjet e Kongresit në nëntor.

Ekspertët thonë se Republikanët ka gjasa ta ruajnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe kanë shanse shumë të mira që të sigurojnë shumicën edhe në Senat ku aktualisht dominojnë demokratët. Një gjë e tillë do të sigurontë për ta kontrollin e dy dhomave të Kongresit, për dy vitet e fundit të presidencës së zotit Obama.

XS
SM
MD
LG