Lidhje

Prova për raketë të re të NASA-s


Që nga përfundimi i misionit të flotës së anijeve për vajtje-ardhje në hapësirë në vitin 2011, agjencisë amerikane të hapësirës NASA i është dashur të varet nga mjetet hapësinore ruse për të dërguar austronautët në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Ndërkohë, inxhinjerët e NASA-s janë duke punuar për komponentët e një sistemi të ri për lëshimin në hapësirë të mjeteve me pilot shumë poshtë orbitës së Tokës – në një asteroid, madje edhe në planetin Mars.

Në Qendrën e Fluturimeve të Hapësirës, George C. Marshall të NASA-s në qytetin Hantsvill, të shtetit Alabama, inxhinjerët po përgatiten për të provuar një motor shtesë që do të ndihmonte raketën kryesore t’i shmangej tërheqjes së Tokës.

Agjencia thotë se ky është motori më i madh i këtij lloji i krijuar për një mjet hapësinor.

Sistemi i Lëshimit në Hapësirë, ose SLS, përbëhet nga një raketë kryesore dhe dy ndihmëse. Ajo do të vërë në lëvizje anijen Orion drejt hapësirës së thellë.

Gjatë nisjes, motorët krijojnë aq shumë zhurmë saqë valët zanore në fakt mund të dëmtojnë ngarkesën.

Prandaj, inxhinjerë të tjerë të NASA-s po testojnë një sistem me bazë ujin i cili ul intensitetin e zhurmës. Provat bëhen me një model të zvogëluar të raketës.

Inxhinjeri i Sistemit të Lëshimit në Hapësirë, Douglas Counter:

“Përvoja tregon se pa këtë lloj testimi, mund të ketë probleme jo vetëm për ngarkesat, por edhe për mjedisin dhe disa pjesë të anijes mund të mos funksionojnë mirë. Pra, kjo është një provë e rëndësishme.”

Në një nga laboratorët e brendshëm, inxhinjerët po montojnë një sistem që do të kontrollojë të gjitha pjesët e raketës.

“Ky në thelb është truri dhe sistemi nervor i raketave. Kompjuterët e fluturimit janë truri. Sistemet e ndryshme të të dhënave, sensorë të ndryshëm, të dhënat nga kuti të ndryshme – janë një lloj sistemi nervor – dhe lidhen me trurin.”

Kongresi ende nuk ka miratuar buxhetin e vitit të ardhshëm për NASA-n kështu që agjencia po përpiqet të kursejë fonde duke u mbështetur në komponente të papërdorur, si motorët e raketave RS-25, të ndërtuara për anijet e hapësirës që nuk janë më në përdorim. Menaxheri i Projektit të Testeve të Motorëve, Gary Benton, shpjegon:

“Kemi 16 motorë të RS-25 të papërdorur. Dhe, meqë motorët ishin shumë të sigurtë dhe të ripërdorshëm, jemi në gjendje t’i marrim dhe t’i përdorim për katër fluturimet e para.”

Objekti i testimit të raketave në Misisipi, është ndërtuar gjatë kohës së programit Apollo, por menaxheri i projektit Richard Rauch thotë se ai ishte krijuar për t’iu përshtatur motorëve të ndryshëm.

"Ne po ripërdorim disa nga materialet e mëparshme për t’i përshtatur me atë që është e nevojshme për fazën bazë të SLS-së.”

Në një objekt tjetër testimi në Luiziana, punëtorët kanë filluar tashmë saldimin e pjesëve të një rakete 100 metra të gjatë. Inxhinjerëve nga NASA dhe kompanisë kontraktuese kryesore Boeing iu desh të projektonin mjete të mëdha saldimi.

NASA thotë se Sistemi i ri i Lëshimit në Hapësirë po projektohet që të jetë i përshtatshëm për misionet me njerëz dhe me mallra. Testimi i i fazës kryesore do të fillojë në vitin 2016 dhe nisja e parë është planifikuar për vitin 2017, ndonëse nuk do të ketë astronautë në bord.

XS
SM
MD
LG