Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 8 korrik?

  • Astrit Lulushi

Lutetia Parisii

Lutetia Parisii

52 pes – Jul Caeser pushton një fshat peshkatarësh i quajtur Lutetia Parisiorum. Nën sundimin romak, fshati u bë vendbanim i rëndësishëm dhe përfundimish u riemërua “Paris”; si i tillë, kjo është data që zakonisht shoqërohet me themelimin e Parisit, Francë. Emri Lutetia si vendbanim përmendet nga gjeografët Strabon (64 pes – 21) dhe Ptolemeu (90 – 168). Etimomogjia për Lutetia është e paqartë; keltisht ‘lucotis’ domethënë ‘llucë’, ‘moçal’ (tokë vazhdimisht nën ujë); në gjuhën bretone ‘lutetia’ domethënë ‘pis’, ‘papastërti’ (nga era e rëndë e peshkut); ndërsa ‘Paris’ është përcaktuar nga emri i fisit gal Parisii, që banonte aty.

1099 – Kryqëzata e parë: 15.000 ushtarë krishterë marshojnë në një procesion fetar rreth Jeruzalemit, ndërsa mbrojtësit muslimanë të qytetit i ndjekin me sy. Kryqëzata kishte filluar si pelegrinazh masiv nga Franca e Gjermania më 1096, kur perandori bizantin Alex Komnenos, kërkoi ndihmën e tyre për të sprapsur turqit selxhuk në Anadoll. Pas grumbullimit në Konstantinopojë, kryqtarët vazhduan marshimin drejt qytetit të Jeruzalemit që ndodhej nën sundimin mysliman prej më shumë se 400 vjetësh. Kryqtarët (kalorës, fshatarë, bujkrobër nga shumë vende të Evropës) e pushtuan Jeruzalemin në korrik 1099, duke masakruar shumë banorë muslimanë të krishterë, dhe hebrenj. Për shkak se kryqëzata e parë kishte pasur si synim kryesor Jeruzalemin, kryqtarët krijuan mbretërinë e tyre dhe refuzuan t’ia kthejnë territorin Perandorisë Bizantine. Kryqëzata e parë ishte pjesë e përgjigjes së krishterë ndaj pushtimeve muslimane; dhe u pasua nga tetë kryqëzata të tjera. Kryqëzata ishte gjithashtu hapi i parë i madh drejt rihapjes së tregtisë Lindje – Perëndim që nga rënia e Perandorisë Romake të Perëndimit në shekullin V.

1497 – Portugezi Vasko de Gama vendos të niset me anije në udhëtimin e parë të drejtpërdrejtë evropian për në Indi. Ai është një nga eksploruesit më të famshëm, i pari evropian që arriti në Indi nëpërmjet detit. Ky zbulim i hapi rrugën Portugalisë për të krijuar një perandori të qëndrueshme koloniale në Azi. Zbulimi i rrugës detare nga de Gama bëri që Portugalia të mos kishte më nevojë për të kaluar nëpër Mesdheun plot konflikte dhe as permes gadishullit të rrezikshëm arabik, për tregëti në Lindje.

1889 – Publikohet numri i parë i The Wall Street Journal, gazetë në anglishten amerikane me një theks të veçantë të lajmeve ekonomike e të biznesit. Gazeta botohet 6 ditë në javë në New York nga Dow Jones & Company, degë e News Corp. The Wall Street Journal është gazeta më e madhe në qarkullim në Shtetet e Bashkuara, me rivalen kryesore gazetën Financial Times me bazë në Londër.

1930 – Vdiq Gustav Weigand (lindur më 1860), i gjuhëtar gjerman dhe specialist në gjuhët ballkanike, sidomos rumune dhe arumune. Ai njihet për kontributin në studimin e dialektologjisë dhe marrëdhënieve mes gjuhëve të Ballkanit. Gjatë Luftës së Parë Botërore u dërgua nga autoritetet gjermane për të kryer studime etnografike në Maqedoni – rezultatet u botuan në vitin 1923. Gustav Weigand ishte anëtar i jashtëm i Akademisë rumune të Shkencave, Akademisë bullgare të Shkencave dhe të Institutit Shkencor të Maqedonisë. Në fushën e shqipes, studidimet e Weigandit përfshijnë librin Gramatika e dialeketve Durrës, Elbasan, Tiranë; Fjalorin Gjermanisht – Shqip – Gjermnisht (1914), dhe shumë artikuj mbi dialektet e shqipes, prejardhjen e popullit shqiptar dhe një numër toponimesh që Weigand i lidh drejtpërdrejt me shqipen.

1935 - Vdiq Lazër Mjeda, lindur në Shkodër më 1869, u shugurua prift katolik në vitin 1891, shërbyer si ipeshkëv i Sapas, pastaj si arkipeshkëv i Shkupit, më 1921 kthehet në Shkodër si arkipeshkëv. Lazër Mjeda ishte vëllai i poetit Ndre Mjeda; gjatë kohës së shërbimit në Shkup dhe Prizren, Lazer Mjeda ishte dëshmitar i krimeve serbe ndaj shqiptarëve dhe i dërgoi Vatikanit një raport të hollësishëm. Raporti i Lazër Mjedës do t’i shërbente publicistit vjenez Leo Freundlich për librin "Golgota e Shqipërisë” (1913). Pas publikimit të "Golgota e Shqipërisë", Leo Freundlich, pati kontaktet e para direkte me Shqipërinë, si ushtar me forcat austro-hungareze në Luftën e Parë Botërore. Më vonë ai u bashkua shërbimit Mbretit Zog, si konsulli i nderit të Mbretërisë së Shqipërisë në Vjenë. Freundlich ishte hebre dhe kur jeta në Vjenë u bë e patolerueshme si pasojë e nazizmit, ai shkoi në Zvicër, ku kryesoi misionin shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Leo Freundlich (1875 – 1953) mbeti në Gjenevë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas ardhjes së komunistëve në pushtet në Shqipëri, ai i shkroi një letër qeverisë së Tiranës, duke kërkuar të bëhej konsull nderi i Shqipërisë në Vjenë – por pa sukses.

1948 - Forca Ajrore Shtetet e Bashkuara pranon rekrutet e para femra nëpërmjet një programi të quajtur Gratë në Forcat Ajrore (WAF). WAF u formua në vitin 1948, kur presidenti Truman nënshkroi Aktin për integrimin e grave në Forcat e Armatosura. Programi WAF përfundoi në vitin 1976, kur gratë filluan të pranohen në Forcat Ajrore në mënyrë të barabartë me burrat, pa ndihmën e ndonjë programi të veçantë.

1960 – Moskë; Piloti amerikan Francis Gary Powers akuzohet për spiunazh dhe dënohet nga sovjetikët me dhjetë vjet në burgun qendror në Vladimir, 100 kilometra në lindje të Moskës. Ai dhe aeroplani i tij ishin kapur nga sovjetikët. Duke menduar se aeroplani ishte shkatërruar plotësisht, dhe Powers ishte hedhur me parashutë, amerikanët e mohuan menjëherë akuzën se Powers ishte agjent i CIA-s dhe se kishte fluturuar mbi hapësirën sovjetike për qëllime spiunazhi; por ajo që CIA nuk dinte ishte se sovjetikët e kishin kapur aeroplanin spiun U2 thuajse të padëmtuar dhe kishin mësuar rreth qëllimit të tij. Më 10 shkurt 1962, Powers u lirua nga burgu sovjetik duke u shkëmbyer me kolonelin e KGB-së, Vilyam Fisher, i njohur si "Rudolf Abel", i cili ishin kapur nga FBI-ja për spiunazh.

Mendim i ditës
“Jeta e njeriut kalon tre periudha; rini, moshë e mesme, sa mirë dukesh”.
Nelson A. Rockefeller

XS
SM
MD
LG