Lidhje

Rrezik për luftë të gjerë izraelito-palestineze


Dhuna në Lindjen e Mesme po ndizet në një kohë kur nuk ka asnjë shenjë të re shprese për paqe. Udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë kanë dënuar vrasjet brutale të tre adoleshentëve izraelitë dhe një palestinezi dhe janë zotuar të ndëshkojnë autorët. Por të dyja palët duket se po përgatiten për luftime të mëtejshme. Izraeli ka njoftuar plane për të dislokuar 40 mijë rezervistë në kufirin me Rripin e Gazës, ku udhëheqësit e Hamasit janë betuar t’i përgjigjen pushtimit izraelit. Korrespondentja Zlatica Hoke njofton se shtysa drejt hakmarrjes nga të dyja palët aktualisht i ka mbytur zërat që thërrasin për paqe.

Zyrtarët izraelitë thonë se i kanë angazhuar forcat ajrore dhe tokësore për të ndalur sulmet e përditshme me raketa nga Rripi i Gazës.

"Nuk do të tolerojmë raketa kundër qyteteve e fshatrave tona, prandaj kam dhënë urdhër për zgjerim të konsiderueshëm të operacionit të Forcave Izraelite të Mbrojtjes kundër terroristëve të Hamasit dhe kundër terroristëve të rrjeteve të tjera në Rripin e Gazës. E kam bërë këtë vetëm pasi të gjitha përpjekjet e bëra për të kthyer qetësinë nuk dhanë rezultat dhe Hamasi zgjodhi acarimin e situatës”.

Nga ana e tyre palestinezët akuzojnë Izraelin se po vazhdon agresionin. Një zëdhënës i Hamasit, grupit të vijës së ashpër që kontrollon Rripin e Gazës, shprehu vendosmërinë për të luftuar:

"Do të vazhdojmë të mbrojmë popullin tonë kundër këtyre krimeve. I kemi paralajmëruar të mos vazhdojnë krimet kundër popullit tonë. Po ashtu i garantojmë se rezistenca është e përgatitur për mbrojtje kundër agresionit”.

Banorët e të dyja anëve të kufirit mes Izraelit dhe Gazës shqetësohen se konflikti mund të marrë përmasat e një lufte në shkallë të gjerë:

"Sa herë që njëra palë acaron situatën, edhe pala tjetër bën të njëjtën gjë. Kjo ka ndikuar tek jeta e banorëve, tani në periudhën e Ramazanit kur njerëzit agjërojnë. Jeta është paralizuar, pasi njerëzit kanë frikë. Tani që jemi në gjendje lufte, njerëzit rrinë në shtëpi dhe ndjekin lajmet. Është situatë e vështirë”.

Qeveria izraelite ka paralajmëruar banorët pranë kufirit me Gazën të shkojnë në strehimeve për t’u mbrojtur nga bombat. Banorët e Re’im-it vrapuan për në strehime kur dëgjuan bombardimet:

"Sonte ishte natë shumë e zhurmshme pasi palestinezët hodhën shumë raketa në anën izraelite dhe patëm shumë probleme nga paniku mes qytetarëve. Në zonën tonë nuk ka kapacitet të mjaftueshëm strehimi”.

Shtetet e Bashkuara i kanë dënuar sulmet me raketa dhe kanë bërë thirrje për qetësimin e situatës. Por Uashingtoni nuk ka ndikim në Gazë, sidomos që kur e shpalli Hamasin grup terrorist.

"Shtetet e Bashkuara kanë një marrëdhënie të fortë me Izraelin, por mungesa e marrëdhënieve dhe ndikimit mbi palën tjetër të kufizon shumë. Për këtë arsye nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë shumë mundësi të ushtrojnë ndikim për të sjellë ndalim zjarri”.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry e ka vendosur procesin e paqes në Lindjen e Mesme në krye të përparësive të tij. Ai bëri vizita të shumta nga korriku i vitit të kaluar deri në prill të këtij viti për takime me palët për t’i nxitur të uleshin në bisedime. Pas një farë përparimi, udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë ngecën në një numër temash delikate që kanë qenë burim fërkimesh mes dy popujve. Dhuna aktuale, më e rënda që nga 2012, shpërtheu pasi u deklarua se bisedimet e paqes kishin dështuar.

XS
SM
MD
LG