Lidhje

Vetëvendosje vë afate për marrëveshjen mes partive


Lëvizja Vetëvendosje kërkon deri të dielën përgjigje për kushtet që ka vënë, për të mbështetur koalicionin e tri partive opozitare

Lëvizja Vetëvendosje kushtëzon mbështetjen për koalicionin ndërmjet Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën në procesin e përpjekjeve për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kryetari i kësaj lëvizjeje Albin Kurti tha të enjten se pret deri të dielën që të tri këto parti të miratojnë në formë të shkruar parimet e kësaj lëvizjeje për ndryshimin e qasjes së Kosovës kundruall bisedimeve më Serbinë dhe ndryshimin e politikave të privatizimit.

Pa marrëveshje nuk e japim votën. Gjatë këtyre tre ditëve besoj do ta arrijmë dakordimin për të cilën kemi shprehur gatishmëri. Jemi të gatshëm të marrim pjesë në ekzekutivin e ardhshëm, por jo pa marrëveshje”, tha zoti Kurti.

LDK, AAK dhe Nisma për Kosovën kanë arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje sipas së cilës kryetar i Parlamentit do të ishte Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i kanë rezervuar postin e kryeministrit.

Zoti Haradinaj tha se deri në mbledhjen e parë të parlamentit të ri që mbahet më 17 korrik, “do të konfirmohet ajo që kemi thënë ne si katër partitë opozitare - jo qeveri e re e regjimit të vjetër”.

Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën janë regjistrohen si një grup i vetëm parlamentar dhe me këtë ata do të siguronin një grup prej 47 deputetësh. Duke llogaritur edhe në mbështetjen e lëvizjes Vetëvendosje, ata pretendojnë se u takon të propozojnë kryetarin e parlamentit e pastaj të vazhdojnë përpjekjet për të themeluar qeverinë duke e lënë jashtë Partinë Demokratike.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare duke fituar 37 vende në parlamentin 120vendesh të Kosovës thotë se ajo mbetet grupi më i madh parlamentar dhe si e tillë ka të drejtën kushtetuese që të marrë postin e kryetarit të Parlamentit, sikurse edhe drejtimin e qeverisë së re.

Në fillim të javës që kaluar Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi vendimin lidhur me kërkesën e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, mbi rolin e saj kushtetues në formimin e qeverisë. Sipas Gjykatës Kushtetuese është Partia Demokratike e kryeministrit në detyrë Hashim Thaçi ajo e cila merr e para mundësinë për formimin e qeverisë, ndërsa përjashton mundësinë që kjo qoftë edhe në herën e dytë të bëhet nga koalicioni pas zgjedhor i krijuar nga LDK, AAK dhe Nisma për Kosovën.

Vëzhguesit thonë se në rast të dështimit të Partisë Demokratike për të siguruar shumicën e nevojshme në Parlament, çështja në masë të madhe do të mbetet në duart e presidentes e cila duhet të vlerësojë se kush mund të ketë këtë shumicë për të emëruar mandatarin e ri.

LDK, AAK dhe Nisma për Kosovën së bashku me lëvizjen Vetëvendosje janë zotuar se nuk do t’i përgjigjen asnjë ftese të mundshme të Partisë Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës, ndërsa PDK me kushtin që të ketë votat e të gjitha pakicave kombëtare do të ketë nevojë për të paktën 4 vota shtesë që duhet t’i kërkojë në radhët e partive rivale.

Të shtunën, pritet që kryetari dhe kryesia nga përbërja e kaluar e Parlamentit të zhvillojnë një takim me përfaqësuesit e partive politike dhe aty pritet të propozohet edhe rendi i ditës për mbledhjen e 17 korrikut. Ajo mbledhje do të jetë edhe sprova e parë për procesin tashmë të ndërlikuar të formimit të institucioneve të reja. Nëse nuk arrihet ndonjë zgjidhje vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

XS
SM
MD
LG