Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 12 korrik?

  • Astrit Lulushi

Julius Caesar

Julius Caesar

Histori: Çfarë ka ndodhur më 12 korrik?
Astrit Lulushi

100 pes - Lindi Gaius Julius Caesar (Jul Cezari), gjeneral romak, nga familje aristokrate që pretendonte se e kishte prejardhjen nga Iulus, bir i princit legjendar trojan, Enea. Mbiemri "Cezar, Caesar", sipas Plinit i Vjetri, rrjedh nga një paraardhës i Julit, që kishte lindur me prerje cezariane (nga folja latine caedere, caes-me pre). Historia Augusta sugjeron tre shpjegime alternative: Cezari i parë kishte një kokë me flokë të dendur (lat. caesaries); se ai kishte sy gri (lat. caesiis oculis ); apo se ishte i pari që vrau në betejë një elefant (morish. caesai). Jul Caesar preu monedha ku shfaqeshin imazhe të elefantëve, duke sugjeruar se ai vetë favorizonte këtë interpretim të mbiemrit të tij. Pavarësisht origjinës së lashtë, fisi Juli Caesares nuk kishte pasur ndikim të veçantë politik. Pak dihet historikisht rreth fëmijërisë së Cezarit. Si ushtarak ishte tepër i suksesshëm, që krijoi shumë zili e armiqësi. Vdiq (u vra nga një grup senatorësh) në vitin 44 pes. Vrasja ishte pasojë e mosbindjes së tij ndaj Senatit. Cezari ishte konsull dhe gjatë fushatave ushtarake shpesh vepronte në kundërshtim me urdhërat e Senatit (Roma ishte republikë senatoriale). Sipas ligjeve romake, Konsulli kishte imunitet ndaj ligjit. Senati priste që Cezarit t'i mbaronte mandati, dhe pastaj ta dënonte për shkelje të ndryshme, Cezari zgjidhje e rizgjidhej, dhe ndërsa po bëhej gjithnjë e më i fuqishëmm, tiran, diktator, disa senatorë komplotuan dhe e vranë (44 pes) për të mbrojtur sistemin Republikë të qeverisjes, por që ironikisht shënoi fillimin e sistemit perandorak romak.

927 - Aethelstan, Mbreti i Anglisë, siguron një premtim nga Constantine II i Skocise se ky i fundit nuk do të bëhej aleat me mbretërit Vikingë, duke shënuar fillimin e procesit të unifikimit të Britanisë. Kjo konsiderohet si data më e afërt e themelimit të Anglisë.

1493 - Nuremberg; del nga shtypi Kronika e Hartman Schedels, një nga librat e parë historikë të mirë-dokumentuar. Libri përshkruan historinë e botës, historinë njerëzore dhe gjithashtu historitë e disa qytete të rëndësishme evropiane. Libri u shkruar në latinisht nga Hartman Schedel, edhe me një version në gjuhën gjermane. Dijetarët latinë i referoheshin si Liber Chronicarum (Libri i Kronikave); anglisht folësit e quajnë Nuremberg Chronicles (Kronikat e Nurembergut), sipas qytetit në të cilën është botuar; ndërsa gjermanët i referohen si Die Schedelsche Weltchronik (Historia Botërore Schedelit), për nder të autorit.

1580 - Botohet Bibla e Ostrogut, një nga librat më të hershmëm të shtypur në një gjuhë sllave, dhe botimi i parë i plotë i Biblës në sllavishten e vjetër apo sllavishten kishtare. Libri u shtyp në Ostroh (sot në Ukrainë), nga botuesi Ivan Fyodorov me ndihmën e Princit rus Konstantin Ostrogski. Bibla në sllavisht u përkthye jo nga hebraishtja, por nga teksti i Septuagintas greqisht, që përmban 76 librat e Dhiatës së Vjetër dhe një dorëshkrim të Kodikut alexandrinus: ka rreth 1.256 faqe me një tipografi të përzgjedhur. Kjo është Bibla e parë e shtypur në alfabetin cirilik dhe u përdor si model për botime të librave të tjerë rusisht. Princi Ostrogski i dërgoi kopje të Biblës Papës Gregori XIII dhe Carit Ivani i Tmerrshëm, ndërsa ky i fundit i dhuroi një kopje ambasadorit anglez në oborrin rus. Nuk dihet numri i kopjeve të shtypura, por historianët thonë se nga botimi i parë i vitit 1580, sot ekzistojnë rreth 300 kopje.

1630 – Në kolonitë amerikane, guvernatori i Nju Amsterdamit bleu ishullin Gull nga banorët autoktonë dhe e ri-emërton atë Ishulli Oyster, që më pas do të bëhej i njohur si Ishulli Ellis, Nju Jork.

1806 - Gjashtëmbëdhjetë vendet perandorake gjermane lënë Perandorinë e Shenjtë Romake dhe formojnë Konfederatën e Rinit.

1817 - SHBA; Lindi Henry David Thoreau, filozof amerikan dhe autor (v. 1862). Ndërkohë që jetonte në Walden Pond, Masaçusets, David pati një përplasje me ligjin dhe kaloi një natë në burg, pasi refuzoi për të paguar një taksë. Biografët thonë se kjo përvojë e shtyu atë për të shkruar një nga esetë e tij më të njohura dhe më me ndikim: "Mosbindja Civile ndaj Qeverisë. Mendimet politike të Thoreaut u ndjenë thellë, duke kundërshtuar skllavërinë dhe Luftën meksikane-amerikane. Ai paraqiti argumentin se veprimi duhet të bazohet në ndërgjegjen individuale dhe jo në bindjen verbërisht ndaj ligjeve dhe politikave të qeverisë. "Detyrimi i vetëm që kam është për të bërë atë që mendoj se është e drejtë," shkroi ai. Që prej publikimit më 1849, "Mosbindja Civile" ka frymëzuar shumë udhëheqës së lëvizjeve protestuese kudo në botë, Kjo qasje jo e dhunshme e mosbindjes politike e shoqërore ndikoi Mohandas Gandhin, i cili ndihmoi Indinë të fitojë pavarësinë nga Britania, apo veprimtarin amerikan për të drejtat civile, Martin Luther King Jr, ose Ibrahim Rugovën e Kosovës për çlirimin e popullit të vet.

1913 - Lufta e Dytë Ballkanike: Forcat serbe fillojnë rrethimin e tyre të qytetit bullgar Vidin; rrethimi u hoq pak më vonë kur mbaroi lufta.

1962 - Grupi Rolling Stones jep koncertin e tij të parë, në Klubin Marquee në Londër, Angli.

1973 - Një zjarr shkatërron katin 6-të ndërtesës së Arkivit të Personelit të Administratës së Shteteve të Bashkuara ose NPRC (në Overland, pranë St. Louis, Missuri), ku ruheshin të dhëna e personelit ushtarak; si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 18 milionë dokumente a dosje. Një hetim në vitin 1975 sugjeroi se zjarri filloi nga një bisht cigare i hedhur pa kujdes nga një punonjës, por shkaku i vërtetë i zjarrit vazhdon të mbetet mister.

Mendim i ditës
E vërteta që i bën njerëzit të lirë, në shumicën e rasteve, është e vërteta të cilën njerëzit preferojnë të mos e dëgjojnë.
Herbert Sebastien Agar

XS
SM
MD
LG