Lidhje

Berlini përgatitet për të pritur fituesit e Kupës


Mario Goetze
Mario Goetze

Në Berlin po bëhen përgatitje për të pritur fituesit e Kupës së Botës. Mijëra tifozë pritet të brohorasin edhe një herë për ekipin gjerman, i cili dje fitoi për të katërtën herë titullin e kampionit në në Rio de Janeiro të Brazilit.

Në klubin e tifozëve të Berlinit po bëhen përgatitjet për pritjen e kombëtares gjermane të futbollit, e cila pas 24 vjetësh sjell me vete një tjetër trofe.

Gazeta Die Welt mbante sot titullin me gërma të mëdha në ngjyrat kombëtare të zezë, të kuqe dhe të verdhë ku shkruhej thjesht: "Është e vërtetë", ndërsa Berliner Kurier boton foton e mesfushorit Mario Goetze, i cili shënoi golin e fitores në finale.

Në njërën nga rrugët që të çon te Porta e Brandenburgut, njerëzit janë duke përgatitur skenën për ceremoninë që do të zhvillohet nesër paradite.

"Nesër kemi pritjen për fituesit e Kupës së Botës. Do të jetë një festë e madhe," thotë Anja Marks, zëdhënëse klubit të tifozëve.

Fitorja e Gjermanisë në stadiumin Maracana të Rios ishte e veçantë edhe për një arsye tjetër.

Gjermanët bëhen ekipi i parë evropian që fitojnë Kupën e Botës në kontinentin amerikan. Ata mundën mikpritësin Brazil me rezultatin poshtërues 7 me 1 në gjysmëfinale dhe më pas mposhtën Argjentinën e Lionel Messit 1-0 në finale.

"Ende nuk më besohet, është një ëndërr e bërë realitet dhe do të më duhet ca kohë që ta besoj," thotë një tifoz me emrin Rolf.

Në Frankfurt, njerëzit prisnin në radhë për të blerë variantin e fundit të fanellës së ekipit gjerman, e zbukuruar tashmë me katër yje për të pasqyruar katër titujt e fitores.

André Langer thotë se po blinte një fanellë për të birin.

"Fanella me numrin e Goetzes, 19, do të jetë dhuratë për ditëlindjen e djalit tim, kur ai të mbushë 18 vjeç. Ai është tani një-vjeç," thotë Langer.

"Ne jemi kampionë bote për herë të katërt. Kishim 24 vjet që e prisnim këtë ditë dhe unë jam jashtëzakonisht krenare. Edhe një herë faleminderit Goetze.!.!" thotë Katharina Dewal.

Qeveria gjermane publikoi fotografitë zyrtare që tregojnë Presidentin Joachim Gauck dhe kancelaren Angela Merkel me ekipin e Gjermanisë bashkë me trofenë e tyre në dhomat e zhveshjes pas fitores.

XS
SM
MD
LG