Lidhje

Putin: Sanksionet dëmtojnë marrëdhëniet me SHBA


Ushtria e Ukrainës tha sot se një avion rus ka qëlluar një avion luftarak ukrainas mbi Ukrainën lindore. Andriy Lysenko, zëdhënës i Këshillit të Mbrojtjes Kombëtare dhe i Këshillit të Sigurisë së Ukrainës, tha se një raketë e hedhur nga një avion luftarak rus goditi dhe rrëzoi një avion ukrainas të tipit Su-25 që fluturonte mbi Ukrainën lindore të mërkurën vonë, por se piloti arriti të hidhej nga avioni. Ndërkohë, Presidenti rus Vladimir Putin thotë se raundi i ri i sanksioneve amerikane ndaj Rusisë do të pengojë marrëdhëniet dypalëshe dhe do të dëmtojë bizneset amerikane si dhe ato ruse. Presidenti Putin i bëri komentet gjatë një vizite në Brazil, vetëm disa orë pasi Presidenti amerikan Barak Obama njoftoi sanksione të reja mbi bankat dhe kompanitë energjitike ruse për shkak të mbështetjes së Moskës ndaj separatistëve pro-rusë në Ukrainë.

"Sanksionet do të kenë një efekt bumerang dhe pa dyshim do t'i fusin marrëdhëniet me SHBA në një qorrsokak, do të shkaktojnë dëme shumë serioze, dhe unë jam i sigurt se kjo do të dëmtojë edhe interesat afatgjata kombëtare strategjike të qeverisë dhe popullit amerikan'', tha zoti Putin.

Dje, duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Barack Obama tha se ai i ka kërkuar në mënyrë të përsëritur Moskës që të ndërmarrë hapa për të lehtësuar krizën në Ukrainë, dhe se deri tani Rusia nuk ka përmbushur asnjë prej rekomandimeve amerikane.

"Këto sanksione janë të rëndësishme dhe synojnë të kenë ndikim maksimal mbi Rusinë duke kufizuar efektet mbi kompanitë amerikane apo ato të aleatëve tanë", tha Presidenti Obama.

Bashkimi Evropian u bashkua me Shtetet e Bashkuara në vendosjen e më shumë sanksioneve ndaj Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë, përfshirë aneksimin e Krimesë në fillim të këtij viti.

"Sanksionet lidhen veçanërisht me aneksimin e paligjshëm rus të Krimesë. Si rezultat ne do të kufizojmë investimet evropiane në Krime. Ne kemi pezulluar politikën për investime në sektorin publik në Rusi. Udhëheqësit i kanë kërkuar Bankës Evropiane të Investimeve që të pezullojë financimin e këtyre projekteve", tha zoti Van Rompuy.

Tensionet mes Moskës dhe Kievit u shkallëzuan të martën kur një zyrtar i lartë ukrainas i mbrojtjes paralajmëroi se vendi i tij kërcënohej nga një sulm ushtarak rus dhe shefi ukrainas i sigurimit tha se kishte "prova absolute" që Rusia ishte përfshirë në rrëzimin e një avioni të ushtrisë ukrainase një ditë më parë.

Po atë ditë, 11 vetë u vranë në një sulm ajror që shkatërroi një ndërtesë në qytetin lindor të Ukrainës, Sniznhe. Separatistët pro-rusë fajësuan forcat ajrore të Ukrainës për sulmin, ndërsa një zëdhënës i ushtrisë ukrainase akuzoi Rusinë.

Luftimet janë intensifikuar në Ukrainën lindore që kur Kievi refuzoi të zgjasë një armëpushim të njëanshëm më 30 qershor. Që atëherë, forcat ukrainase kanë dëbuar rebelët nga disa qytete, duke përfshirë bazën e tyre kryesore, Slovyanskun.

XS
SM
MD
LG