Lidhje

Kosovë: Parlamenti i ri zgjedh drejtuesit


Kosova New Speaker of Parliament Mustafa
Kosova New Speaker of Parliament Mustafa

Parlamenti i ri i Kosovës u mblodh sot për herë të parë pas zgjedhjeve të parakohshme për të bërë betimin dhe për të zgjedhur udhëheqësit e tij. Pas shumë ndërprerjeve të seancës, me 65 vota për, asnjë kundër dhe 18 të paanshme, në krye të Parlamentit u zgjodh Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike, ndërsa u zgjodhën edhe dy nënkryetarë të Parlamentit.

Seanca e parlamentit u përshkua me shumë kundërshtime dhe ndërprerje për shkak të mospajtimeve në mes të Partisë Demokratike dhe koalicionit ndërmjet Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën se cili është grupi më i madh parlamentar dhe rrjedhimisht kujt i takon propozimi për kryetar të parlamentit.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Hajredin Kuçi bëri thirrje për arritjen e një konsensusi për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
"Në këtë drejtim Partia Demokratike e Kosovës mendon se konflikti lind kur të dy palët mendojnë se kanë të drejtë dhe kësaj radhe të dyja palët po mendojmë se kemi të drejtë, por ne kemi ndërtuar institucione që na tregojnë se cila palë kemi të drejtë. Partia Demokratike kërkon nga partitë politike në parlament që gjithmonë të kemi një konsensus për dërgimin e çështjes në gjykatë Kushtetuese”, tha zoti Kuçi.
Ndërsa, deputetja e koalicionit LDK-AAK-NISMA, Vjosa Osmani kërkoi nga kryesuesja e seancës që të respektohet vendimi i kryesisë së Parlamentit.
“Ne prandaj kërkojmë që në pajtim me nenin 67 të Kushtetutës, në pajtim me rregulloren e punës dhe në pajtim me skenarin që është përgatitur për ju ta lexoni në seancën e sotme, t’ia japin fjalën grupit më të madh parlamentar LDK-AAK-NISMA që përbëhet nga 47 deputet dhe siç e dini nuk është paraqitur asnjë grup tjetër më i madh që sot të propozoj kandidatin për kryetar të Parlamentit”, tha zonja Osmani.
Por, kryesuesja e seancës, deputetja Flora Brovina i dha të drejtën Partisë Demokratike e Kosovës të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, gjë që shtyri partitë opozitare dhe disa nga partitë e pakicave të lëshojnë sallën e parlamentit, me çka edhe u pamundësua votimi i kandidatit të PDK-së për kryetar të parlamentit. Mungesa e deputetëve shtyri kryesuesen që ta mbyll seancën parlamentare.
Por, partitë opozitare së bashku me ato të pakicave kombëtare u rikthyen në Parlament për të vazhduar seancën, pa Partinë Demokratike, ku edhe i zgjodhën organet e reja drejtuese të parlamentit.
Pas zgjedhjes kryetari i ri i Parlamentit Isa Mustafa tha se do të jetë kryetar i të gjithave partive pa dallim.
“Dhe ju siguroj se si kryetar i parlamentit të Republikës së Kosovës do të punoj në interes të të gjithë deputetëve dhe në interes të të gjithave grupeve parlamentare, pavarësisht a janë të gjithë këtu në sallë apo nuk janë, sepse konsideroj se një sjellje e tillë e imja dhe e juaja është në interes të qytetarëve të Kosovës”, tha zoti Mustafa.
Por, partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do ti njoh organet e zgjedhura të parlamentit dhe ka paralajmëruar dërgimin e mënyrës së zgjedhjes së tyre në Gjykatën Kushtetuese. Sekretari i kësaj partie Enver Hoxhaj tha se ajo që ndodhi sot në Parlament ishte një tentim uzurpim të institucionit më të lartë të vendit.
“Është proces kundër ligjor, kundër kushtetues dhe si të tillë si Parti Demokratike që ka një filozofi të shtet ndërtimit, si parti që ka bartur misione të rëndësishme në Republikën e Kosovës ne do të kërkojmë nga gjykata Kushtetuese që ta jap mendimin dhe vendimin përfundimtar sa i takon ngjarjeve në Parlamentin e Kosovës”, tha zoti Hoxhaj.
Njohës të çështjeve parlamentare thonë ndërkaq se është vështirë të dihet vendimi i gjykatës Kushtetuese, pasi që seanca e sotme që nga fillimi ka nisur me shkelje të rregulloreve të punës së Parlamentit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG