Lidhje

Ish-agjenti i imigracionit: kriza në kufi, faj i politikës


Hipolito Acosta

Hipolito Acosta

Informacione nga programet e zbulimit të qeverisë amerikane sugjerojnë se fluksi i tanishëm i imigrantëve, sidomos i fëmijëve nga shtetet e Amerikës qendrore që kalojnë kufirin në Teksas, po nxitet kryesisht nga thashëthemet se një imigranti që kërkon azil politik do t’i jepet e drejta e qëndrimit në kufi. Edhe pse kjo nuk është e vërtetë, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus nga Hjustoni, një ish-agjent i njohur amerikan i imigracionit thotë se mënyra e veprimit në kufi nxit përshtypjen se thashëthemet janë të vërteta.

Adminsitrata Obama thotë se rreth 90 mijë fëmijë mund të përpiqen të kalojnë kufirin amerikan nga Meksika gjatë këtij viti. Mbase askush nuk e kupton më mirë situatën se sa ky person...ish Agjenti Special i Imigracionit për Shtetet e Bashkuara Hipolito Acosta.

Ai thotë se ligji i tanishëm mund të inkurajojë më shumë imigracion të paligjshëm.

“Kur individët hyjnë në vend në mënyrë të paligjshme dhe i jepet një njoftim të paraqiten në gjykatë në një datë të caktuar, gjasat janë që ata nuk do të paraqiten atje.”

Zoti Acosta thotë se nevojiten më shumë agjentë federalë që të arrestojnë njerëzit të cilët nuk paraqiten në seancën gjyqësore.

Ai thotë se një mënyrë për të ndaluar dyndjen e fëmijëve nga Amerika qendrore do të ishte fokusi tek familjarët e tyre që paguajnë kontrabandistët.

“Nëse familjari ndodhet në SHBA në mënyrë të paligjshme, duhet të bashkohet me fëmijët që kaluan kufirin dhe të gjithë duhet të vihen në proces deportimi dhe të dëbohen nga vendi.”

Zoti Acosta ka një perspektivë të veçantë. Ai e ka bërë rrugën e kalimit të kufirit në mënyrë të paligjshme shumë herë.

“Unë isha agjenti i parë në agjencinë tonë i cili shkoi në Meksikë dhe u fut në mënyrë kontrabandë nga Meksika në qytetet e Shteteve të Bashkuara.”

Libri i tij, “The Shadow Catcher,” rrëfen disa nga detyrat e tij të fshehta kur hiqej si imigrant dhe më vonë kur dëshmoi kundër kontrabandistëve dhe atyre që përdhunuan ose abuzuan fëmijët imigrantë.

Zoti Acosta, i cili u rrit në një komunitet meksikano-amerikan afër kufirit të Teksasit duke folur edhe spanjisht edhe anglisht, beson se imigrantët duhet të respektojnë ligjin amerikan.

“Sigurisht, unë mund ta kuptoj pse dikush dëshiron një jetë më të mirë, por pres që ata ta bëjnë në mënyrën e duhur.”

Ai qorton gjithashtu mospërputhjen e mënyrës së zbatimit të ligjit të imigracionit, duke vënë në dukje se të ardhurit nga Amerika qendrore pretendojnë se po i arratisen frikës së dhunës, ndërsa haitianët të cilët përdorën të njëjtën arsye në vitet ’90, u dërguan në Haiti.

“Ne përdorëm dy standarte të ndryshme. Pyetja ime është: pse?”

Zoti Acosta thotë se politikanët e përdorin çështjen e imigracionit për të fituar pikë politike, në vend që të përqëndrohen tek zgjidhjet praktike.

“Mendoj se ata duhet t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të marrin vendimin më të mirë për vendin.”

Zoti Acosta thotë se Kongresi duhet të miratojë një ligj i cili do t’i jepte qytetarëve të varfër nga Amerika qendrore dhe Meksika mundësinë për të punuar në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet vizave të përkohshme, por që do të ndëshkonte ata që shkelin ligjin, duke përfshirë edhe punëdhënësit që rekrutojnë dhe punësojnë imigrantë pa dokumente.

XS
SM
MD
LG