Lidhje

Izraeli godet linjat e furnizimit të Gazës


Ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit me synimin për t’u prerë rrugën sulmeve me raketa kundër territorit izraelit vazhdon për të tretën javë. Megjithatë nuk duket se udhëheqësit e Hamasit janë gati të heqin dorë nga sulmet. Megjithë bllokadën e gjatë të Gazës nga Izraeli, Hamasi ka pasur furnizime të vazhdueshme me raketa, që thuhet se futen në Gazë përmes një rrjeti tunelesh që lidhin Gazën me Izraelin dhe Egjiptin. Ushtria izraelite ka ndërmarrë një ofensivë tokësore në Gazë për të shkatërruar tunelet. Siç mësojmë nga kronika në vazhdim, kjo ofensivë pritet të sjellë vështirësi më të mëdha për popullatën e Gazës, e cila mbështetet tek këto tunele për furnizim me artikuj të domosdoshëm.

Forcat izraelite të mbrojtjes publikuan dje një video, ku sipas tyre, shihen pamje të një beteje mes ushtarëve izraelitë dhe personave të armatosur, të futur nga Gaza. Po ashtu u publikuan pamje që, sipas Izraelit tregojnë hyrjen në një tunel të përdorur për t’u futur në Izrael. Pasi sulmet ajrore nuk arritën të ndalin goditjet me raketa nga Gaza, Izraeli dërgoi trupa tokësore javën e kaluar për të shkatërruar stoqet e raketave të Hamasit dhe sistemin kompleks të tuneleve nëntokësore. Ministri i Mbrojtjes Moshe Yaalon thotë se është shënuar përparim:

“Disa nga tunelet janë shkatërruar tashmë. Disa të tjera do të shkatërrohen në të ardhmen e afërt dhe pa dyshim puna po kryhet në mënyrë profesionale”.

Koloneli izraelit Uri Sa’ar thotë se ushtria po kryen operacione në Gazën veriore, duke shkatërruar tunelet drejt Izraelit:

"Edhe në Jabalyah kemi ndërmarrë një sulm të rëndësishëm dy net më parë. Gjatë sulmit kemi goditur një numër objektesh si dhe infrastrukturë të ekstremistëve. Vazhdojmë operacionet në Rripin e Gazës. Kemi gjetur tunele që mendojmë se përdoreshin për futje në Izrael”.

Hamasi ka publikuar video në median sociale ku organizata pretendon se shihen luftëtarë në tunele. Pamjet tregojnë persona me maska që ecin përmes një tuneli me mure betoni, me armë në dorë dhe drita për të ndriçuar rrugën.

Për vite me radhë, bllokada izralite ka lejuar vetëm futjen e disa artikujve bazë dhe furnizimeve mjekësore në Gazë. Si rezultat tunelet shërbenin edhe si infrastrukturë për artikuj të domosdoshëm për civilët, si karburant për impiantet e filtrimit të ujit.

Zyrtarët palestinezë thonë se bombardimet izraelite kanë dëmtuar impjantet e pastrimit të ujërave të zeza duke rezultuar në ndotjen e rezervave ujore.

Banorët në Khan Younis dhe vende të tjera varen nga impjante për filtrim për furnizimin me ujë të pishëm.

“Gjatë javës së kaluar nuk kishim ujë. Izraelitët kanë goditur tubacionet e ujit dhe nuk kemi furnizim”.

Kombet e Bashkuara patën paralajmëruar disa vjet më parë se impjantet e ujit në Gazë mund të mos përmbushin nevojat si rezultat i mungesës së karburantit që ka rezultuar nga bllokada izraelite dhe mbyllja e tuneleve furnizuese nga Egjipti. Udhëheqësit e Hamasit në Gazë thonë se nuk do të pranojnë armëpushim pa heqjen e bllokadës izraelite.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG