Lidhje

Rripi i Gazës: Dhjetëra të vrarë dhe plagosur në një shkollë


Zyrtarët e Shëndetësisë në Gaza thonë se një predhë izraelite ra në një shkollë të menaxhuar nga Kombet e Bashkuara në veri të Rripit të Gazës, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 15 vetëve, mes së cilëve personel i OKB-së, civilë të tjerë dhe fëmijë, si edhe plagosjen e dhjetra të tjerëve.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj në atë zonë po luftonin kundër anëtarëve të armatosur të Hamasit dhe akuzoi militantët se kishte përdorur personat në shkollë si “mburoja njerëzore”, por nuk tha nëse forcat izraelite kishin hedhur predhat vdekjeprurëse.

Punonjësit e Kombeve të Bashkuara thanë se Izraelit i ishin dhënë “koordinata të sakta” për strehimin, në përpjekje për të mbrojtur civilët e pafajshëm nga gjakderdhja.

OKB-ja tha se rrethanat nuk ishin ende krejtësisht të qarta por shprehu indinjatën ndaj rezultateve të luftimeve të sotme.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon tha se ishte “i tronditur” nga sulmi ndaj shkollës që strehonte qindra palestinezë që donin t’i shpëtonin ofensivës izraelite.

Forcat izraelite të mbrojtjes me anë të një deklarate thanë se “terroristët e Hamasit në zonën e Beit Hnaounit” po “përdornin infrastrukturë civile dhe simbole ndërkombëtare si mburoja njerëzore”.

Ndërkohë, Administrata Federale amerikane e Aviacionit e hoqi masën e pezullimit të fluturimeve amerikane në aeroportin Ben Gurion të Izraelit.

Agjencia tha mbrëmë se i kishte hequr kufizimet pasi kishte analizuar të dhënat e reja dhe hapave që po merr Izraeli për të pakësuar rrezikun për avionën e pasagjerëve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG