Lidhje

Williamson: Zyrtarë të lartë të UÇK-së, përgjegjës për krime lufte


Prokurori i posaçëm i BE-së, Clint Williamson tha sot se nuk ka prova për trafikim organesh por ka prova për përfshirje të zyrtarëve të lartë të UÇK-së në krime kundër njerëzimit

Prokurori i posaçëm Clint Williamson, që drejton grupin hetues të ngritur nga Bashkimi Evropian për hetimin e pretendimeve të raportit të Këshillit të Evropës për krime lufte në Kosovë, tha sot se zyrtarë të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të përballen me akuza për krime kundër njerëzimit.

Në vitin 2011 zoti Williamson mori përsipër të hetojë pretendimet e ngritura nga i dërguari i Këshillit të Evropës Dikc Marty në vitin 2010, përfshirë edhe trafikimin me organet e personave të rrëmbyer. Ai tha se është përballur me sfidë për mbledhjen e dëshmive mbiu këto pretendime. Por, sipas tij, kjo nuk nënkupton se grupi hetues ka hequr dorë dhe se hetimet do të vazhdojnë, meqë ekziston dyshimi se një krim i këtillë ka ndodhur në masë të kufizuar.

"Nuk ka ndonjë shenjë që kjo praktikë ishte më e gjerë dhe sigurisht nuk ka shenjë që ndonjë numër i madh i pjesëtarëve të pakicave që u zhdukën ose që u vranë ishin viktimë e kësaj praktike. Pohimet që janë dhënë nga disa njerëz duke lënë të kuptohet që qindra janë vrarë me qëllim të trafikimit të organeve janë krejtësisht e pambështetura", tha ai duke nënvizuar se fakti që kjo ndodhi në një shkallë të kufizuar nuk e pakëson egërsinë e një krimi të tillë. Por, ai tha se nuk vlen të stërmadhohen numrat dhe të krijohet dhimbje e ankth për familjet të cilët ende nuk e dinë fatin e të dashurve të tyre.

Duke publikuar të gjeturat e hetimeve tre vjeçare të drejtuara prej tij, ai tha se janë gjetur prova bindëse kundër ish-zyrtarëve të caktuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një aktakuzë kundër këtyre individëve arsyetohet me shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare, duke përfshirë krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës.

Ai tha se viktima të këtyre krimeve ishin kryesisht serbë, romë dhe pjesëtarë të pakicave të tjera por edhe shqiptarë të Kosovës të cilët cilësoheshin bashkëpunëtorë të serbëve ose, më shpesh, të cilët ishin thjeshtë kundërshtarë politik të udhëheqjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të dhënat e grupit tha ai, tregojnë që elementë të caktuar të Ushtrisë Çlirimtare qëllimisht i vunë nën shënjestër pakicat me veprime që përfshinin "vrasje të paligjshme, rrëmbime, zhdukje të detyruara, burgosje të paligjshme në kampe në Kosovë dhe në Shqipëri, dhunë seksuale, forma të tjera të trajtimit çnjerëzor, zhvendosje me dhunë të individëve nga shtëpitë dhe komunitetet e tyre si dhe përdhosjen dhe shkatërrimin e kishave dhe objekteve tjera fetare".

"Kjo çoi në spastrimin etnik të një pjesë te popullsisë serbe e rome në pjesën jugore të lumit Ibër në Kosovë, me përjashtim të disa enklavave të shpërndara. Për më tepër, është konstatuar që disa elementë të Ushtrisë Çlirimtare ndërmorën një fushatë të gjerë të dhunës dhe frikësimit gjatë viteve 1998 dhe 1999 kundër kundërshtarëve politik shqiptarë, që gjithashtu përfshinte veprat e vrasjeve pa gjyq, burgosjeve të paligjshme dhe trajtimit çnjerëzor. Ne besojmë se provat janë bindëse që këto vepra nuk ishin vepra të individëve që kanë vepruar me dëshirën e vetë, përkundrazi këto janë kryer në një mënyrë të organizuar dhe janë miratuar nga individë të caktuar në nivelet më të lartë të udhëheqjes së Ushtrisë Çlirimtare. Natyra sistematike ose e gjerë e këtyre krimeve në periudhën pasi përfundoi lufta në qershor të vitit 1999 e arsyeton ndjekjen penale për krime kundër njerëzimit".

Grupi ka konstatuar që individë të caktuar në udhëheqësinë e lartë të ish-UÇK-së përdorën elementë të asaj organizate të kryejnë dhunë për të fituar fuqi politike dhe pasuri personale.

Zoti Williamson tha se të gjeturat e tij do të jenë të mbyllura dhe nuk do të shpalosen deri në fillimin e punës së gjykatës së posaçme, themelimi i së cilës është miratuar nga Parlamenti i Kosovës.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International bëri thirrje për ngritjen sa më të shpejtë të gjykatës për trajtimin e të gjeturave të raportit të zotit Williamson.

Sian Jones, hulumtuese e kësaj organizate citohet të ketë thënë se “ky është një hap drejt vendosjes së drejtësisë për familjet e mbi 400 serbëve të Kosovës që besohet se ishin rrëmbyer nga UÇK-ja, ishin transferuar në Shqipëri ku dyshohet se mund të jenë vrarë”.

Ajo u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe autoriteteve të Kosovës që të “veprojnë menjëherë për të siguruar ngritjen e gjykatës së posaçme sa më parë që është e mundur. Çdo shtyrje mund të çojë në mosndëshkim dhe frikësim të mëtejmë të dëshmitarëve të mundshëm”.

Qeveria e Kosovës e cilësoi raportin e zotit Williamson si hap të rëndësishëm për përcaktimin e mundshëm të përgjegjësisë individuale. Në një reagim të saj thuhet se qeveria ka bashkëpunuar me grupin hetues gjatë gjithë procesit dhe do të vazhdojë bashkëpunimin deri sa këto hetime të marrin fund.

Kjo është demonstruar edhe nga miratimi nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për krijimin e një dhome të veçantë në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës për t’i adresuar këto çështje. Kjo është dëshmia më e mirë se Kosova është shtet ligjor dhe se do të vazhdoj të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshme në bashkëpunim të plotë me partnerët ndërkombëtarë në vazhdim të këtij procesi. Qeveria e Kosovës vlerëson përfundimin e punës së Ambasadorit Williamson, që është një hap i rëndësishëm për përcaktimin e mundshëm të përgjegjësisë individuale dhe iu jep fund pretendimeve për akuza tjera të padëshmuara”, thuhet në reagim në të cilin shprehet edhe përkushtimi ndaj procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, vazhdimin e procesit të integrimeve Evropiane dhe procesin e anëtarësimit në NATO.

Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, konsideron se e tërë puna e grupit hetues dhe raporti i ambasadorit Williamson, janë një hap përpara drejt sqarimit të akuzave tashmë të njohura për publikun.

Aleanca po ashtu konsideron se ky është një hap i madh në drejtim të duhur për vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë. Aleanca është e bindur se populli i Kosovës i udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë çlirimtare dhe çfarëdo rasti individual që ka implikime kriminale nuk do ta zbehë pastërtinë dhe misionin çlirimtar të asaj lufte”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG