Lidhje

Izraeli do të vazhdojë ofensivën për shkatërrimin e tuneleve


Ushtria izraelite njoftoi se po thërret 16 mijë trupa rezerviste, ndërkohë që konflikti vazhdon për të 24-tën ditë me goditje të reja ajrore dhe sulme artilerie. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha sot në një mbledhje të kabinetit se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që e pengon të përmbushë atë që e cilësoi si fokusin e operacioneve në Rripin e Gazës:

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do të shkatërrojë rrjetin e tuneleve të Hamasit në Rripin e Gazës “me ose pa armëpushim”.

“Deri tani kemi neutralizuar dhjetëra tunele terrori dhe jemi të vendosur të përmbushim këtë mision me ose pa armëpushim. Për këtë arsye nuk do të bie dakord me asnjë ofertë që nuk lejon Forcat e Armatosura Izraelite të përmbushin këtë mision të rëndësishëm për sigurinë e popullit të Izraelit”.

Komentet e zotit Netanyahu u bënë ndërkohë që zbehen shpresat që përpjekjet ndërkombëtare për të ndalur konfliktin mes Izraelit dhe luftëtarëve të Hamasit të japin rezultat.

Ushtria izraelite publikoi sot imazhe të asaj që e përshkroi si hyrja në një tunel të zbuluar në një xhami. Izraeli thotë se 23 tunelet që ka zbuluar janë shkatërruar tashmë dhe se duhen vetëm disa ditë për të shkatërruar tunelet e tjera.

Ushtria izraelite ka vazhduar ofensivën në Gazë. Një goditje ajrore la sot të shkatërruar një xhami dhe disa shtëpi pranë saj. Ende nuk dihen dëmet në njerëz nga ky sulm.

Ndërkohë që dhuna vazhdon, Kombet e Bashkuara njoftuan mbi 15 mijë palestinezë të tjerë të futen në vendstrehime në Gazë. Kjo e çon në 220 mijë vetë numrin e të strehuarve, ose katër herë më shumë se OKB-ja kishte parashikuar si persona në nevojë strehimi prej kësaj krize.

Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka akuzuar si Izraelin, ashtu edhe Hamasin për krime lufte. Komisionerja Navi Pillay thotë se goditjet në zona të populluara me civilë përbëjnë “shkelje të ligjit ndërkombëtar, prandaj janë krime lufte”.

Mbi një mijë e 300 palestinezë, pjesa dërrmuese civilë, dhe mbi 50 izraelitë, shumica ushtarë, kanë gjetur vdekjen që kur filloi konflikti më 8 korrik.

XS
SM
MD
LG