Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 2 gusht?


Philip of Macedonia
Philip of Macedonia

Më 2 gusht 338 pes - një ushtri e Maqedonisë e kryesuar nga Philip II mundi forcat e bashkuara të Athinës dhe Tebës, në Chaeronea, Boeoti, duke siguruar mbizotërimin maqedon në More dhe Egje. Filip II lindur më 382 pes, ishte mbret i Maqedonisë nga viti 359 pes deri kur u vra më 336 pes. Filip ishte kalorës i mirë - emri i tij do të thotë "filo" admirues dhe "hipos" – hipur, mbi kalë). Ai ishte babai i Aleksandrit të Madh, megjithëse e shoqja e tij, Olimpia, e cila besonte në kulte e bestytni, thoshte se ishte mbarsur në ëndërr nga një gjarpër (perëndi krijuese sipas mitit Ilir). Filipi ishte trim e finok - atij i atribuohet edhe fraza e njohur "divide et impera" - "përça dhe sundo”. Kur ishte fëmijë, Filipi u mor peng në Tebë, qytet-shtet, në atë kohë fuqi ushtarake mbizotëruese në rajon. Në Tebë, Filipi mori edukim ushtarak dhe diplomatik, aftësi që i përdori më pas për të ri-fituar fronin maqedon. Gjatë periudhës si mbret, për hir të aleancave apo politikës dinake, Filipi pati 7 gra ose u martua 7 herë. Sipas historianit Athenaeus, gruaja e parë e Filipit ishte Audata, bija e mbretit ilir Bardhyll i Dardanisë. Historianë thonë se gratë ilire shquheshin si luftëtare dhe udhëheqëse në luftë, aftësi që Audata ia kaloi vajzës së saj, Cynane (Synanë), duke e stërvitur si kalorëse për luftë e gjueti. Edhe Cynane bëri të njëjtën gjë me vajzën e saj Euridice. Mes grave të tjera të mbretit Filip ishte edhe Olimpia, nëna e Aleksandrit të Madh. Olimpia ishte vajza e Neoptolemit (Ptolem, Pirro), mbret i Mollosëve të Epirit. Familja e saj i përkiste fisit Aeacidaes të Epirit, që thoshte se e kishte prejardhjen nga Neoptolemi, biri i Akilit legjendar. Sipas Plutarkut, emri i saj ishte fillimisht Polyksena; pastaj e ndryshoi në Myrtale kur ishte vajzë e re para martesës me Filipin; Olimpia ishte emri i tretë që ajo e mori kur i thanë se burri i saj, Filip, kishte dalë fitues në Lojrat Olimpike më 356, lajm që përkoi me lindjen e Aleksandrit. Emri i saj i fundit ishte Stratonicë, që shihet më tepër si epitet që iu dha pas fitores për çështje trashëgimie ndaj Euridices. Olimpia dhe Filipi, patën edhe një vajzë, Kleopatrën - kështu, nuk është rastësi që emrat mollosë Ptolem a Neoptolem e Kleopatra ndeshen brez pas brezi deri në fund të dinastisë së Ptolomeut në Egjipt.

216 pes - Lufta e Dytë Punike: Beteja e Cannaes - Ushtria Kartagjenase e udhëhequr nga Hannibali mposht një ushtri numerikisht superiore romake nën komandën e konsujve Lucius Aemilius Paullus dhe Gai Terentius Varro.

1343 - Olivier de Clisson gjendet fajtor për tradhti dhe i pritet koka në Paris. Si rezultat, gruaja e tij, Jeanne de Clisson, shiti gjithë pasurinë, bleu një flotë anijesh, dhe doli në det si pirate për të kërkuar hakmarrje kundër mbretit dhe fisnikëve francezë që i vranë burrin.

1790 - Shtetet e Bashkuara kryejnë regjistrimin e parë të popullsisë (census).

1798 - Luftrat e Francës së Revolucionit: Beteja e Nilit midis truapave të Napoleonit dhe ushtrisë britanike përfundon me fitoren e kësaj të fundit. Pas betejës, britanikët marrin në dorëzim edhe Gurin e Rozetës që francezët e kishin zbuluar. Guri ndodhet në muzeun britanik në Londër, pa gjasa t'i kthehet Francës ose Egjiptit, pavarësisht betejave ligjore mbi përkatësinë.

1903 - Rënia e Perandorisë Osmane: fillon kryengritja e udhëhequr nga Organizata Revolucionare e Maqedonasë së Brendshme kundër Turqisë Osmane, e njohur gjithashtu si Kryengritja e Ilindenit. Kryengritësit arritën të shpallnin edhe republikën e tyre të Krushevës, e cila u shtyp me dhunë nga osmanët brenda pak ditësh.

1934 - Adolf Hitler bëhet Fuhrer i Gjermanisë pas vdekjes së presidentit Paul von Hindenburg.

1939 - Albert Einstein dhe Leo Szilard i dërgojnë një letër presidentit Franklin D. Roosevelt, duke i kërkuar atij që të fillojë Projektin Manhattan për të zhvilluar armën bërthamore.

1980 - Një bombë shpërthen në stacionin hekurudhor në Bolonjë, Itali, duke vrarë 85 vetë dhe plagosur më shumë se 200 të tjerë.

Mendim i ditës
“Historia kurrë nuk duket si histori kur përjetohet”.
John W. Gardner

XS
SM
MD
LG