Lidhje

Qyteti historik turk, së shpejti nën ujë


Dîmenek ji Êvara Heskifê (Hasankeyf / Batman)
Dîmenek ji Êvara Heskifê (Hasankeyf / Batman)

12 mijë vjet histori pritet të fundosen nën ujë nga një projekt gjigand digash hidroelektrike në Turqinë Juglindore. Mijëra banorët që jetojnë në qytetin e vogël Hasankeyf po detyrohen të evakuohen, duke lënë pas kujtime të shumë brezave. Por qeveria turke thotë se diga do të mundësojë energji elektrike shumë të nevojshme për një nga rajonet më të varfra të vendit.

Me xhaminë e shekullit të 15-të dhe tregun plot gjallëri, Hasankeyf është konsideruar nga ekspertët si një nga perlat arkeologjike të Rrugës së Mëndafshit. Qyteti ndodhet në Turqi Juglindore, në afërsi të kufirit me Irakun dhe Sirinë dhe nuk është vetëm një vend historik, por edhe një shembull i gjallë i bashkëjetesës në paqe të banorëve turqë, kurdë dhe arabë. Mënyrat tradicionale të jetës ende vazhdojnë të ruhen në qytet dhe pëlqehen nga turistët.

Në Hasankeyf gjenden disa nga rrënojat më të rralla dhe më të lashta të Mesopotamisë. Ura Artukid mbi lumin Tigër është e shekullit të 12-të. Ajo e bëri qytetin një nga qendrat më të rëndësishme tregtare, fetare dhe kulturore të rajonit në atë kohë.

Turistë nga e gjithë bota vijnë për të vizituar objektet arkeologjike dhe për të blerë qilima të punuar me dorë në pazarin e këtij qyteti mesjetar. Por së shpejti të gjitha këto thesare dhe historia e tyre do të fundoset nën ujë. Një projekt ambicioz digash, që do të ndërtohet pak më sipër përgajtë lumit, synon të prodhojë energji elektrike në këtë rajon të varfër. Realizimi Digës Ilisu do të shkaktojë përmbytje për pjesën më të madhe të Hasankeyfit brenda një viti, duke detyruar banorët të zhvendosen dhe të braktisin shtëpitë ku kanë jetuar gjatë gjithë jetës.

Sipas politikanëve lokalë, 85 për qind e ndërtimit të Digës ka përfunduar tashmë.

"Kur Diga të përfundojë ne do të na duhet të largohemi prej këtu dhe të shkojmë në një zonë tjetër ose tek vendbanimet e reja të përcaktuara për ne. Por unë nuk dua të shkoj. Ne jemi vendas në Hasankeyf dhe qeveria po na detyron të largohemi," thotë Faris Ayhan, 81-vjeç, që punon në tezgjah.

Një qytet i ri është ndërtuar në një nga kodrat përreth Hasankeyfit, por banorët nuk duan të lëvizin, sepse ata thonë se nuk mund të përballojnë çmimin e shtëpive të reja. Ata shpresojnë që nëse Hasankeyfi arrin të ruhet të mund të jetojnë përmes turizmit.

Diga do të ketë gjithashtu një ndikim tek burimet ujore në Irak dhe Siri, pasi do të pakësojë derdhjen e lumin Tigër në ato vende fqinje, sipas ekspertëve ndërkombëtarë. Hasankeyfi ka gjithashtu rëndësi të veçantë politike për popullin kurd, pasi ka qenë kryeqyteti i dinastisë kurde Ayyubids gjatë shekujve të 13 dhe 15, kështu që përmbytja e qytetit mund të ketë një ndikim negativ në procesin e paqes mes Ankarasë dhe grupeve të armatosura kurde.

Për të gjitha këto arsye, artistë të huaj dhe vendas, të organizuar nga shoqata “Hasankeyfi ka rëndësi”, janë mbledhur në qytetin turistik për të krijuar një arkiv pamor të qytetit dhe thesareve të tij.

Melanie Mehrer nga Kanadaja po vizaton minaretë.

"Kjo është një skicë, vetëm sa vizatova minaretë dhe disa pjesë të kaligrafisë dhe të mënyrës së tyre të projektimit. Është tepër e vogël për të përfshirë detajet zbukuruese."

Melanie Mehrer, që është gjithashtu një mësuese, u bë anëtare e organizatës “Hasankeyfi ka rëndësi” pasi vizitoi qytetin disa vjet më parë dhe u magjeps nga njerëzit dhe arkitektura e tij.

"Kjo është një mënyrë idilike të jetuari. Unë jam rritur në një vend në Kanadë që ishte shumë idilik dhe trishtohem kur mendoj për fëmijët në Hasankeyf dhe se si ata do të humbasin shtëpitë e tyre, nëse kjo zonë përmbytet… se sa e dhimbshme do të jetë kjo gjë për ta. Mendoj se është e rëndësishme ta nderojmë qytetin sa ekziston ende, me shpresën se diçka do të ndryshojë," thotë ajo.

Shoqata ka edhe anëtarë vendas të cilët po përpiqen të mbrojnë trashëgiminë e tyre. Studenti Sezer Sait Can është kthyer në rajonin ku u rrit për të marrë pjesë në seminarin artistik.

"Sigurisht që ndihesh keq kur historia zhduket para syve të tu. Por ne nuk mund të bëjmë dot asgjë lidhur me këtë. E vetmja gjë që mund të bëjmë është ta dokumentojmë me foto dhe piktura, për t'u siguruar që të ketë një imazh të saj për të ardhmen," thotë ai.

Studiuesi dhe shkrimtari amerikan John Crofoot është një nga themeluesit e shoqatës “Hasankeyf Matters”, i cili u zhvendos në Hasankeyf rreth dy vjet më parë.

"Pra, shumë gjëra rreth mënyrës se si njerëzit jetonin në shekujt e Mesëm të Islamit, të periudhës selxhuke, do të humbasin, si për studiuesit ashtu dhe për vizitorët e Hasankeyfit, pasi sipas planeve ai do të zhytet 64 metra nën ujë," thotë ai.

Punimet për Digën Ilisu janë ndalur disa herë për shkak të ndikimit të saj mjedisor dhe arkeologjik. Zyrtarët thonë se stacioni i energjisë prej 1 mijë e 200 MW, rreth 100 kilometra në veriperëndim të Hasankeyfit mund të jetë në funksionim brenda vitit 2015.

XS
SM
MD
LG