Lidhje

Rëndësia e sigurisë në Afrikë


Shtetet e Bashkuara kanë zgjeruar marrëdhënien e tyre të sigurisë me Afrikën gjatë viteve të fundit, me krijime bazash për mjetet ajrore pa pilot dhe trajnimin e trupave afrikane. Qëllimi është të ndihmojnë qeveritë afrikane të luftojnë grupet ekstremiste si Boko Haram në Nigeri, al-Shabab në Afrikën lindore dhe militantët në zonën e Sahelit.

Fokusi i këtij samiti është që tregtia dhe investimet të krijojnë atë që presidenti Obama e sheh si një marrëdhënie të re me Afrikën.

Me njoftimin e zotimeve nga kompanitë amerikane se do të investojnë 14 miliard dollarë në Afrikë, zoti Obama tha se siguria është thelbësore për zhvillimin.

“Do të bisedojmë rreth sigurisë dhe paqes sepse e ardhmja i përket atyre që ndërtojnë, jo atyre që shkatërrojnë dhe është shumë e vështirë të tërheqësh investimet e biznesit dhe është shumë e vështirë të ndërtosh infrastrukturë dhe është shumë e vështirë të mbështesësh sipërmarrjen në mes të konfliktit.”

Ushtria amerikane krijoi Komandën Afrikane në vitin 2007, por qendra e saj është larg – në Gjermani. Komanda ka mbikqyrur operacione për të mbështetur ushtritë afrikane në transportimin e trupave, zbulimin dhe ndarjen e informacionit.

Ka arsye të rëndësishme se pse Shtetet e Bashkuara kanë nevojë të përshpejtojnë përpjekjet për t’u angazhuar më shumë me kontinentin – përtej ofrimit të bashkëpunimit ushtarak dhe ndihmave.

Analisti Michael Rubin:

“Natyrisht siguria ka funksionuar. Por megjithatë, ne duhet të kujtojmë se ndërsa Kina bën tregti prej 200 miliard dollarësh me Afrikën çdo vit, Shtetet e Bashkuara bëjnë tregti vetëm për gjysmën e asaj shifre. Prandaj, ndërsa Shtetet e Bashkuara bëhen më të angazhuara në rajon, më shumë vende afrikane do të kërkojnë mbështetjen amerikane, jo thjeshtë mbështetje diplomatike, por edhe ekonomike dhe ushtarake.”

Për dekada me rradhë, administratat amerikane kanë folur rreth nevojës për të ndihmuar nxjerrjen e njerëzve të Afrikës nga varfëria dhe për rëndësinë e kontinentit. Tani që Afrika është vendi i më shumë demokracive të reja dhe i gjashtë nga 10 ekonomive me rritjen më të shpejtë në botë, presidenti Obama shpreson të tregojë se Shtetet e Bashkuara janë serioze në lidhje me partneritetin me rajonin.

XS
SM
MD
LG